Enver Hoxha dhe Ali Tepelena

Enver Hoxha dhe Ali Tepelena

Si për çdo figurë tjetër të së kaluarës shqiptare barometri më i rëndësishëm ishte edhe në këtë rast qëndrimi i Enver Hoxhës për të. Dhe, sikurse ishte ajo kohë, mjaftonte që rrethi i tij i ngushtë të kapte vlerësimin pozitiv ose negativ të udhëheqësit për aksh figurë, e ky pastaj përhapej valë-valë në gjithë shtetin dhe depërtonte deri në librat e shkollave për fëmijë.

Aq më shumë që Hoxha, edhe pse pak, është prononcuar në disa raste për Aliun dhe kjo mjaftonte për historianë ose shkrimtarë simpatizantë të Aliut që të shkruanin monografi ose romane për të dhe të amplifikonin pikërisht ato që kishte thënë Udhëheqësi.

Por çfarë kishte thënë ai?

Janë disa pasazhe në fjalime të viteve 1961-1964. Është pikërisht koha kur Hoxha ka prishur marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik dhe po modelon për historiografinë shqiptare atë nacionalizëm komunist që shoqëroi izolimin e plotë të vendit nga bota deri në ngjarjet e viteve '90-'91.

Në një fjalim të mbajtur në rrethin e Tepelenës më 27.6.1962 Hoxha thotë për Aliun: "Ai ishte kundër imperatorisë otomane, kundër sulltanit dhe donte që Shqipëria të ishte më vete, e shkëputur nga turqit. Ali Tepelena ishte diplomat, njeri i zgjuar" etj. (sh. vepra 23, Tiranë 1977, f. 350,). Në një fjalim para Byrosë Politike më 2.10.1964 udhëheqësi jep direktiva të sakta se si duhet formuluar historia e popullit shqiptar.

Pasi ndalet gjatë në mënyrën se si duhet paraqitur figura e Skënderbeut, ai vazhdon: "Çështja e Ali pashë Tepelenës duhet përcaktuar mirë. Aliu... kur u fut në luftë kundër turqve, kishte për qëllim që vendi të çlirohej prej tyre. Ai kishte mendimin të krijonte një pashallëk shqiptar." (vepra 27, Tiranë 1978, f. 359)

Ky përcaktim në një moment kur duhet botuar një tekst bazë i historisë flet vetë. Ai është e kundërta e gjithë asaj çka na del pas leximit të veprës së Pukëvilit, por jo vetëm e tij, gjithashtu e Liikut, e Hjuzit etj.

Për të gjithë këta autorë Aliu ishte në radhë të parë sundimtar turk i Greqisë dhe i Epirit, natyrisht dhe i Shqipërisë së jugut; armët kundër Ismail apo Hurshid pashës ai i ngriti vetëm kur i mbyllën rrethimin, përpjekjet e tij për të dalë "i pavarur" qenë ato të një ish-sundimtari të kapur pisk, i cili është fuqizuar dhe pasuruar gjithmonë në emër të Portës dhe të Islamit. Kurse Hoxha, në një konceptim diametralisht të kundërt, arrin deri dhe të ngrejë paralelen me Skënderbeun (edhe ky me Skënderbeun një sendërgjim më vete, siç e kemi thënë në vende të tjera):

"Ai u përpoq të bashkonte gjithë vendin në një shtet të vetëm të shkëputur nga Perandoria Turke... Ali Pasha orvatej të krijonte atë që bëri disa shekuj përpara Skënderbeu, që të gjithë shqiptarët të lidheshin së bashku për t'i rezistuar pushtuesit të huaj." ("Shtëpia e kulturës të vlojë si një zgjua bletësh", fjalim i mbajtur në Tepelenë më 27.10.1963, vepra 27, Tiranë 1977, f. 535-536)

Është interesante që Hoxha në disa raste, kur fillon vlerësimet për Aliun thotë "ai ka patur anët e veta pozitive dhe negative" ose "të metat dhe meritat e tij" dhe pastaj ndalet vetëm në anët pozitive. Ne nuk mësojmë prej tij se cilat ishin anët negative të Aliut, nuk dëgjojmë asgjë për rrugën e krimeve dhe intrigave që përdori ai për t'u ngjitur lart në pushtet.

Gjithashtu interesante që në meritat hyjnë sipas Hoxhës edhe dredhia, dinakëria etj. "e gjithë Shqipëria është njohur edhe në botën e jashtme me Ali pashë Tepelenën, i cili ka anë pozitive dhe negative.

Ai ishte kundër imperatorisë otomane, kundër sulltanit... ishte diplomat, njeri i zgjuar etj." (vepra 23, v. i cit.); "Aliu, me zgjuarsinë e tij, donte të zhdukte feudalët e tjerë... Napoleoni i tha gjeneralit të tij që të bashkëpunonte me Aliun, veç dhe të ruhej si fort dinak që ishte" ("Shtëpia e kulturës të vlojë..." v. cit., f. 536).

E. Hoxha vlerëson veçanërisht strategjemën që përdori Aliu kundër Ibrahim pashës së Beratit, kur e akuzoi këtë se donte t'i shiste Vlorën francezëve. Krejt ndryshe e mësojmë historinë nga Pukëvili: kjo ishte një nga intrigat e zakonshme të Aliut për të hequr qafe një rival të vetin, në këtë rast vjehrrin e dyfishtë të djemve të tij.

Le që është e papërfytrueshme që një pasha lokal t'i jepte një fuqie perëndimore një port kaq të rëndësishëm për Perandorinë si Vlorën, të cilën venecianë dhe të tjerë ishin munduar më kot ta merrnin qysh prej pushtimit otoman më 1417. Kurse Hoxha thotë: "Aliu i ra pashait të Beratit, ish-agjent i francezëve, që ta likuidonte." ("Shtëpia e kulturës të vlojë..." v. cit., f. 536).

Në një fjalim menjëherë pas prishjes me Bashkimin Sovjetik, duke hequr një paralele të qartë midis Shqipërisë së fillimshekullit 19 dhe Shqipërisë së viteve 1960, midis veprimit të Aliut dhe veprimit të vet, Hoxha thotë: "Iku ajo kohë kur Ibrahim Pasha i Beratit, të cilin Ali Pashë Tepelena e kishte vënë përpara, i propozonte një gjenerali të Napoleon Bonapartit t'i shiste Vlorën "për 40 aspra", për të shpëtuar kokën" ("Vigjilencën ta kemi në rendin e ditës", fjalim i 14 nëntorit 1961, sh. vepra 22, f. 276, Tiranë 1976).

Si ka mundësi që Hoxha ta marrë për të vërtetë një sajesë të tillë të Aliut për baxhanakun dhe rivalin e tij? Si ka mundësi që ai ta quajë pashanë plak të Beratit, atë njeri të mefshtë dhe të urtë, siç e gjejmë në këtë libër, "ish-agjent" të francezëve?

Kjo e ka përgjigjen në gjithë karrierën e vetë Hoxhës, e cila është e mbushur me rivalë ose vartës që akuzohen si të shitur te Perëndimi ose Moska, si ish-agjentë ose poliagjentë të fuqive të huaja, dhe pastaj likuidohen. Nuk e teprojmë aspak po të themi se Hoxha privatisht dhe gjysmë publikisht e ka admiruar Aliun.

Kemi ndër të tjera një dëshmi gojore të një Zhoa Amazonas, dikur drejtues i partisë marksiste-leniniste të Brazilit që e vizitonte shpesh Shqipërinë në vitet '60-'70: Amazona në një nga këto takime i thotë Hoxhës se shtypi perëndimor e akuzon udhëheqësin komunist për raprezaljet e shumta që ka bërë mbi popullin shqiptar.

Hoxha i përgjigjet: "Ju nuk e njihni temperamentin rebel të shqiptarit. 170 vjet më parë në Shqipërinë e Jugut sundonte Ali Pashë Tepelena, ndërsa në Egjipt Mehmet Ali Pasha, shqiptar dhe ky, nga krahina e Korçës. Ky i fundit i dërgon një letër Ali Pashë Tepelenës, duke e qortuar për vrasjet që kishte bërë në Sul.

Ali Pashë Tepelena i përgjigjet: - ‹Shqiptar ti dhe shqiptar unë, pasha ti dhe pasha unë, Ali ti dhe Ali unë, por kemi një ndryshim. Ti sundon përmbi fellahet, që vret 1 dhe të binden 10.000 të tjerë, kurse unë sundoj përmbi shqiptarë, që vras 100 dhe mezi më binden 10 të tjerë...› Kështu janë shqiptarët, shoku Amazona.

Për hir të idealit komunist, çdo gjë duhet sakrifikuar, bile edhe kapitali më i çmuar që është njeriu" (te libri "Kush ishte Enver Hoxha" nga A. Musta, M. Kokalari, Tiranë 1966, f. 83) Sadoqë kjo dëshmi është gojore dhe me karakter anekdodik, prapë nuk duket e shpikur dhe përputhet me gjithë rastet e tjera kur Hoxha e ka lëvduar Ali Tepelenën publikisht.

Paralelet mes dy sundimtarëve (shprehja më duket e saktë) janë jo të pakta, nganjëherë befasuese kur mban parasysh ndryshimin prej gati 170 vjetësh mes sundimit të njërit dhe të tjetrit.

Karizma, ëmbëlsia në të folur, dinakëria, ngjitja nga vrasja në vrasje, mosngurrimi në likuidimin e rivalëve realë e të supozuar, varfërimi dhe shkatërrimi i elitave, apo më thjesht i njerëzve të pasur ose me autoritet, përdorimi i shpeshtë i intrigës, loja me dy faqe (përzemërsia, ngrohtësia ndaj atij që shpejt do bjerë në humnerë), komunikimi popullor, mbulimi i vendit me spiunë ("vendi i vet mbikëqyret nga një rrjet i tërë paditësish dhe vrasësish" shkruan Pukëvili për Aliun), interesimi për martesat, në përgjithësi për jetën private të nënshtetasve etj. etj.

Interesant është edhe fakti që të dyja sundimet, edhe pashallëku i Aliut, edhe Shqipëria komuniste ishin pa themele të vërteta, ose prej rëre, siç e thotë për pashallëkun e Janinës Liiku: ndërsa i pari legjitimimin e kishte te fermanët e Portës së Lartë, të cilat një ditë u kthyen në të kundërtën, i dyti qëndronte mbi një bazë ideologjike që u lëkund dhe u shemb përfundimisht në fund të viteve 1980.

Pra është e ngjashme shpejtësia e rënies së dy sistemeve të cilët nuk kishin ndonjë mbështetje në popullsi. Edhe ajo që lanë pas dy sundime në thelb personale janë të ngjashme: anarkia, shkatërrimi, dëshpërimi moral.
Por natyrisht nuk mund të shtyhemi më tej, sepse paralelet "shkencore" këtu janë të palejueshme: edhe vetë personazhet kanë një numër dallimesh ku s'vlen të ndalemi.

Po theksojmë vetëm dimensionin heroik-legjendar të Aliut, të cilën admiruesi i vet një shekull e gjysmë më pas nuk e pati: ishin sidomos dy vitet e fundit të rezistencës, mbrojtja edhe me armë në dorë e një plaku 80 e ca vjeçar, siç e gjejmë edhe në librin e Pukëvilit, ajo që i dha përjetësinë, e bëri të hynte edhe në këngët e popullit dhe t'i mbetej kujtimi pavarësisht nga librat. Një guxim e trimëri personale në beteja që nuk gjen paralel te sundimtari komunist, së paku në periudhën e Luftës.

Trajtimi i veçantë që gëzoi Aliu (krahasuar me sundimtarë të tjerë shqiptarë të Perandorisë otomane) në kohën e Shqipërisë komuniste u shpreh si në monumentin e ngritur në Tepelenë, ashtu edhe në një numër monografish e botimesh më të vogla, romanesh e tregimesh që iu kushtuan Aliut, po ashtu edhe në ndalimin e plotë të veprës dokumentare mbi të, në radhë të parë asaj të Pukëvilit.

Karriera e përgjakshme e Ali Tepelenës me mizoritë e shumta, motivi kryesor i ngjitjes së tij: etja për pushtet dhe lakmia për pasuri, u lanë në heshtje, ndërsa pyetja: Ishte satrap që punoi gjithë jetën për rritjen e pushtetit personal, apo burrë shteti që punoi shumë edhe për të mirën e shqiptarëve? anoi qartas nga përcaktimi i dytë. Këtë qëndrim e përforcoi dhe romani popullor i Sabri Godos "Ali pashë Tepelena" (botimi i parë 1970).

Për herë të parë gjatë kësaj kohe vihet në dyshim edhe saktësia e biografisë së Pukëvilit. Në zërin për autorin frëng te Fjalori enciklopedik i vitit 1985 thuhet: "Duke u nisur shpesh nga gojëdhëna të pasakta dhe me paragjykime fetare e politike, nuk pasqyron plotësisht realitetin historik. Përpjekjet e F. Pukëvilit për të nxirë personalitetin e vërtetë të Ali pashë Tepelenës nuk i kanë qëndruar kritikës bashkëkohore dhe asaj të mëvonshme."




Gazeta Shekulli

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama