Emri i guvernatorit konflikti me i ri presidence-qeveri

Emri i guvernatorit, konflikti me i ri presidence-qeveri

Çështja e guvernatorit mund të rikthehet në një betejë të radhës mes qeverisë dhe Presidentit. Kreu i shtetit, Bujar Nishani, ka sipas ligjit dhe Kushtetutës të drejtën ekskluzive për t’i propozuar Parlamentit emrin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, duke lënë jashtë loje Kryeministrin në detyrë. Një ndryshim në ligjin e Bankës së Shqipërisë i bëri më 25 korrik 2002 ka zhveshur Kryeministrin nga e drejta e propozimit të kandidatit për postin e guvernatorit. Ligji i miratuar më 23 dhjetor të vitin 1997 parashikonte se “Presidenti i Republikës emëron guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, mbështetur në propozimin e Kryetarit të Këshillit të Ministrave”. Por si pasojë e konflikteve politike të atëhershme brenda së majtës, në vitin 2002 u iniciua ndryshimi i ligjit, ku Kryeministri nuk e gëzonte më të drejtën për të propozuar emrin e guvernatorit në zyrën e Presidencës. Kjo e drejtë ligjore tashmë mund të shihet dhe si pjesë e vijimit të konfliktit ndërmjet mazhorancës dhe Presidencës. Kjo varet nga emri që Presidenti Bujar Nishani mund të propozojë në Kuvend për caktimin e pasardhësit të Fullanit në krye të Bankës së Shqipërisë. Nëse kandidati i propozuar mund të refuzohet nga ana e Kuvendit të Shqipërisë. Ndërkohë që ky konflikt mund të përkthehet dhe si një ngërç i ri që mund të rëndojë mbi këtë institucion financiar. Mes Kryeministrit Rama dhe Presidentit Nishani ka pasur përplasje kohët e fundit. Acarimi i saj arriti kulmin kur kreu i shtetit i ktheu brenda ditës për rishikim ligjet me shumicë të cilësuar, si KLD, Magjistratura, hartën e re territoriale administrative, por edhe ligjin e Policisë. Për këtë Rama duke paralajmëruar rrëzimin e menjëhershëm të këtyre dekreteve, e cilësoi kreun e shtetit si një person që përdori argumentet e PD-së për kthimin e ligjeve. Ndërsa debati vijon me për vendet vakante në Gjykatën e Lartë.

Nishani takon Bashën

Presidenti Nishani, nisur nga kjo e drejtë që ia jep ligji e Kushtetuta duket se ka nisur konsultat me qëllimin e gjetjes së një emri konsensual për njeriun që do të pasojë Fullanin. Pasi takoi dy ditë më parë Kryeministrin Edi Rama në Durrës, kreu i shtetit bëri një lëvizje tjetër duke thirrur në zyrën e tij, kreun e PD-së, Lulzim Basha. Presidenca nuk ka dhënë një njoftim zyrtar në lidhje me këtë takim, por ai u bë publik nga vetë zyra e shtypit të PD-së. Ndërsa mësohet se takimi në Presidencë i nisur në ora 12:30 ka zgjatur për më se një orë. “Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u takua me Presidentin e Republikës, z. Bujar Nishani, në kuadrin e konsultave për zhvillimet në Bankën e Shqipërisë. Z. Basha vlerësoi rolin e Presidentit në funksion të ruajtjes së stabilitetit financiar në vend. Kryetari i Partisë Demokratike theksoi qëndrimin e opozitës se garantimi i pavarësisë së Bankës së Shqipërisë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin, dhe qëndrueshmëria e politikës monetare, janë të një rëndësie jetike për ekonominë e vendit dhe të qytetarëve”, thuhet në njoftimin për shtyp. Basha, pas konsultave  me kreun e shtetit, ka mbledhur kryesinë e vogël të PD-së. Këtij takimi i parapriu konferenca e Kryeministrit Edi Rama, i cili paralajmëroi bllokimin e çdo kandidature politike për postin e guvernatorit. Më pas mësohet se Presidenti pas ‘ballafaqimit’ me Bashën, është takuar me kryetarin e Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori.

 
Reagimi

Braçe: Kreu i shtetit të mos i japë imunitet ‘guvernatores’

Kryetari i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, Erjon Braçe, ka dalë kundër zëvendësguvernatores së Bankës së Shqipërisë, Elisabeta Gjoni. {“Po lexoj që, paska pasur një mori takimesh të nivelit të lartë dje, ku shkëlqen takimi i Presidentit të Republikës me zëvendësguvernatoren e Bankës së Shqipërisë që kryen detyrën e guvernatorit, Elisabeta Gjoni! E vlerësoj shqetësimin e Presidentit për stabilitetin e sistemit financiar në vend, në fund duhet të ndodhte dhe kjo. Por ka një shqetësim edhe më të madh; Ndikimi mbi prokurorinë për vijimin e hetimeve dhe çuarjen deri në fund të nxjerrjes së përgjegjësisë penale për cilindo që ka drejtuar në bankë dhe ka bërë faj. Shqip! Elisabeta Gjoni, në cilësinë e zëvendësguvernatorit (detyrat e të cilit janë të qarta në ligj), në kushtet e mungesës së zëvendësguvernatorit përgjegjës për administrimin e Bankës, me përgjegjësi të plotë edhe për këtë (sipas ligjit), është përgjegjëse po aq sa guvernatori për keqadministrimin me pasojë dëm të rëndë ekonomik për bankën. Nuk mundet që Presidenti i Republikës të japë imunitet nga hetimet apo të cenojë hetimet për të!”, shkruan Braçe në Facebook.

 

Si ishte ligji

Neni 44, pika 2

Të gjithë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës zgjidhen dhe emërohen nga Kuvendi Popullor i Republikës së Shqipërisë, mbështetur në propozimet e bëra si më poshtë: a) Pesë anëtarë propozohen nga Kuvendi Popullor; b) tre anëtarë propozohen nga Këshilli i Ministrave; c) një anëtar propozohet nga Këshilli Mbikëqyrës.

Presidenti i Republikës emëron guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, mbështetur në propozimin e Kryetarit të Këshillit të Ministrave.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë zgjedh dhe emëron

zëvendësguvernatorët, mbështetur në propozimin e bërë nga guvernatori.

Ndryshimi i ligjit në vitin 2002

Në nenin 44 pika 2 pas shkronjës “c” fjalia “Presidenti i Republikës emëron guvernatorin e

Bankës së Shqipërisë, mbështetur në propozimin e kryetarit të Këshillit të Ministrave” hiqet dhe me “Guvernatori zgjidhet nga Kuvendi, me propozimin e Presidentit të Republikës”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama