Elsa Lila ne gare naten e dyte te Sanremos


Këngëtarja shqiptare, Elsa Lila do të prekë skenën e Sanremos natën e dytë të festivalit të madh. Ajo do të konkurrojë e gjashta sipas rendit alfabetik në sesionin e të rinjve. Nga organizatorët e festivalit më të madh të këngës italiane, janë bërë të ditur vetëm këngëtarët e dy netëve të para, në datën 27 dhe 28 shkurt në kategorinë e big-ëve dhe atë të rinjve. Ndër emrat e këngëtarëve profesionistë të dy netëve, janë Leda Battisti, Simone Cristicchi, Mango, Milva, Zero Assoluto, Al Bano, Amalia Gré, Paolo Meneguzzi, Paolo Rossi, etj. Këto janë të dhënat e para që mediat italiane përcjellin rreth radhës që këngëtarët do të ndjekin në konkurrimin e Sanremos. Ndërsa vazhdon të përflitet rreth të ftuarve specialë, ku përfshihen yje të Hollivudit që do të vijnë të përshëndesin publikun italian. Për Elsa Lilën kjo është hera e dytë që hyn në konkurrim në Sanremo. Kjo pjesëmarrje e saj është pritur mirë nga publiku shqiptar, pas suksesit që ajo pati disa vite më parë në skenën tonë. Pas këngës "Valeria", me të cilën ajo konkurroi tre vjet më parë me kompozim të kantautorit të njohur italian, Gigi D'Alessio, Lila rikthehet me këngën "Il senso della vita"(Kuptimi i jetës). Elsa Lila do të jetë në garë mes 14 këngëtarëve të tjerë të rinj, të përzgjedhur për të marrë pjesë në Sanremo. Në një intervistë të dhënë për gazetën, menjëherë pas kualifikimit, Lila theksonte se sivjet ajo do të konkurrojë me një këngë të fuqishme, por që sidoqoftë i përshtatet vokalit të saj. Nuk ka dashur të bëjë publike asgjë, derisa emri i saj është renditur në listën kualifikuese të këngëtarëve të rinj. "Is senso della vita" është një këngë që pas saj ka bashkëpunimin e dy emrave të njohur italian. "Kuptimi i jetës" është shkruar nga Guido Morra dhe e kompozuar nga Maurizio Fabrizio, dy autorë që kanë kompozuar për emrave të njohur të muzikës italiane si Patty Pravo, Ornella Vanoni, Françoise Hardy, Mia Martini, Eros Ramazzotti dhe Renato Zeros. "Të jesh pjesëmarrëse në Sanremo, së pari është një reklamë e mirë që i bën vetes disa net me radhë. E rëndësishme është se çfarë impakti do të ketë më pas kënga jote te publiku, sa e kërkuar do të jetë nëpër programet muzikore", - është shprehur Elsa, duke lënë të kuptohet se pjesëmarrja është shumë e rëndësishme, por nëse kjo shoqërohet edhe me një çmim, është shpërblim për punën e bërë. Interpretimi i saj i parë në Sanremo me këngën "Valeria" ishte i suksesshëm. Ndërsa Lila shprehet se pjesëmarrja e saj e dytë nuk ishte e planifikuar. Ka qenë një takim i rastësishëm me autorët, të cilët i ofruan këngën. I mbetet vetëm datën 28 shkurt për të parë konkurrimin e Elsa Lilës me këngën "Kuptimi i jetës", në skenën e madhe të San Remos. Këtë vit shënohet edicioni i 47-të i këtij festivali, që do të zhvillohet nga data 27 deri në 3 mars. Të pesë netët e festivalit do të prezantohen nga Pippo Baudo dhe Michelle Hunziker, e cila sipas mediave italiane do të ofrojë një paraqitje të veçantë për çdo natë.

Pergatiti : Oliverta Lila
Marre nga : Gazeta Shqiptare


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama