Elia Zaharia Princi me cmend me dhjetera telefonata

Elia Zaharia: Princi më çmend me dhjetëra telefonata
Ndërkohë që mban kontakte edhe me zhvillimet kinematografike që zhvillohen e Shqipëri duke qene herë pas here edhe pjesë e trupave të xhirimit. Mbi të gjitha vlerëson dashurinë për Princin e saj të kaltër që këtë herë ka qenë vërtetë një princ, djalë i familjes mbretërore shqiptare duke pranuar me sinqeritet se “ ndjehem mirë në dashurinë time me Princin” Në këtë intervistë ajo flet edhe për projektet e së ardhmes por edhe ato të lëna përgjysmë. Me nostalgji kujton këngën dhe ish grupin e saj “Spirit Vois”, për të cilin mendon se mund që të rrikthehet sërish në skenë, tashmë me një projekt krejt të ri.

Elia Zaharia, duket tashmë si një pariziene e vërtetë, në këtë qytet të madh e të zhurmshëm?

Jo egzaktësisht ashtu, pasi unë me të gjithë këto obligime e aktivitete këtu, jo vetëm që nuk kam kohë për ta shijuar sado pak, por as që edhe ti hedh dot një sy tani në palcën e dimrit. Jam tërësisht e zënë. Shkolla e pas saj vinë menjëherë detyrat si, puna në grup me teatrin, premierat.... Tani që po flasim bashkë mëndja më rri tek një monolog që e kam detyrë për nesër në 8 të mëngjesit. Duhet që ta mësoj përmendësh dhe pastaj ta studioj dhe ta interpretoj në bazë të një logjikë ku është ndërtuar e gjithë skena. Në fakt kam mall për Parisin pasi me këtë qytet më lidhin kujtime shumë të bukura të këtyre viteve të fundit, parqet e sheshet që kanë një bukuri mbresëlënëse në shumicën e rasteve të zhveshura, ku nuk mungojnë asnjëherë vizitorët e shumtë të huaj, por edhe vendet historike e piktoreske tepër të dëgjuara për këtë qytet. Më duhet që të lëviz e të udhëtoj nëntokë, me metro e trena të cilët më marrin e më çojnë në destinacionet e përditshme që më presin. Jeta këtu ka një rritëm të veçantë.

Tani që mësuam se, Elia është tërësisht e angazhuar me skenën e problemet e saj, po cilat janë raportet me kinematografinë?

( Qesh). Këtë vjeshtë, përpara se të vija këtu në Paris, kam xhiruar për një rol, në një film të një regjisori serb me skenarist një autor shqiptar, i cili nuk është krejtësisht i panjohur për publikun e lexuesin tonë, atje në Shqipëri. Në projektet e ardhshme është edhe një tjetër film, për të cilin në fakt, është shumë shpejt për të folur edhe pse mendoj se, do të jetë një angazhim tepër serioz që mua më pëlqen shumë. Por gjithçka është tashmë vetëm në letër.

Elia, ju keni pasur para pak kohësh një eksperiencë tjetër kinematografike franceze duke realizuar filmin, “Vetmi”. Unë kam mundur që të shoh edhe disa sekuenca ku ju luani rolin kryesor, atë të një vajze shqiptare që gjendet papritmas në një rrjet kriminal?

Ka qenë një eksperiencë tepër mbresëlënëse ai bashkëpunim. Kjo për faktin, se regjisori francez kërkoi që të mblidhte një grup aktorësh, ku mund që të flitej vetëm shqip. Kështu dy partnerët e mij, aktorë francezë ishin vërtetë me origjinë shqiptare, por që në familjet e tyre gjuha shqipe nuk zinte vendin kryesor. Ata flasin me një dialekt të rëndë sa herë më drejtohen mua, edhe pse kemi punuar për batutat që duhej të më thonin. Ka edhe një dublim francez. Pastaj në këtë film, janë angazhuar edhe dy a tre personazhe të tjerë, që vinin e u përzgjodhën nga komuniteti i studentëve shqiptarë këtu në Paris. Filmi përmblidhte tre kinonovela që ishin në një sinkron dhe shërbenin të njëjtës ide. Ai ka mbetur tashmë i pa montuar, edhe pse regjisori i tij synonte Kanën, duke shpresuar për ndonjë çmim. Problem buxheti që u tejkalua, por që shpresoj se mund që të zhbllokohet së shpejti, me qëllim që filmi të shkoj tek spektatori. Për rolin tim kam pasur shumë vlerësime edhe nga kineastë të tjerë francezë , miq të regjisorit tonë, të cilët e kanë parë filmin në këto parametra. Unë këtë i a kam dedikuar mamasë sime Yllkës e cila zgjoi dhe transmetoi tek unë cilësitë që duhet të ketë një aktore. Kjo ka ndodhur edhe me vëllain tim Amosin, i cili ka realizuar para pak kohësh një rol interesant tek filmi i Eno Milkanit. (Bie zilja e celularit. Elia e hap menjëherë e më kërkon të falur. Duket shend në fytyrë.” Po zemër, të dëgjoj...- thotë Nga biseda intime që zgjat tre-katër minuta, kuptohet që në telefon ishte pikërisht njeriu që i ka sjellë dashurinë kësaj vajze të talentuar, dhe që tani kjo është bërë publike)

Eshtë ai, Princi?

(Pohon me kokë)

Si ndjehet Elia Zaharia në dashurinë me Princ Lekën?

Më telefonon nga Tirana. Marr disa telefonata në ditë. Ndjehem mirë në dashurinë time me princin. Është një njeri që e çmoj dhe e vlerësoj shumë, me plot virtyte. Me jep dhe i jap dashuri. Jetojmë me njëri tjetrin edhe pse jemi larg njëri nga tjetri, gati 3000 kilometra. Ai është gjithmonë i zënë edhe për shkak të detyrës që ka aktualisht në Ministrinë e Jashtme, ku i duhet që të lëvizë shumë, por edhe ato të oborrit të tij mbretëror atje në Tiranë. Telefoni duket sikur shkurton distancat tani, kështu që shpesh gjatë ditës i telefonojmë njëri tjetrit. Më pëlqen që jam e dashuruar nga një njeri si ai.

Gjatë verës që shkoi u kemi ndjekur edhe në një videoklip, i cili është vlerësuar maksimalisht, madje edhe me një çmim. Në ç’raport qëndron këngëtarja me aktoren tek Elia?

Unë në skenë fillimisht jam ngjitur si këngëtare, tek grupi “Spirit Vois” ku kam gjetur Sonin dhe Dorinën. Mendoj se kemi qenë të suksesshme në atë kohë dhe kemi lenë edhe gjurmë në fillesat e këngës postdiktatoriale. Unë ruaj ende disa regjistrime të asaj periudhe, dhe i shoh herë pas here, me një lloj nostalgjie. Jeta na ka ndarë e shpërndarë tashmë. Soni Malaj vazhdon e vetme rrugën e këngës në Tiranë dhe në diasporë. Dorina është në Amerikë, ndërsa unë vazhdoj aktrimin. Gjithsesi, ne jemi shoqe të ngushta. Por ëndrra vazhdon, nuk është ndonjë çudi që ne mund që të mblidhemi sërish e të këndojmë si dikur. Mundësitë ekzistojnë. Kam biseduar edhe me Sonin për këtë ide, por edhe me Darinën dhe ...shpresojmë. Mund që të këndojmë edhe këtë verë në një produksion kënge të një mikut tim kompozitor, që edhe ai është shqiptar si ne, e student këtu në Paris. Madje i a kemi kërkuar këngën për të realizuar këtë projekt. Tani le të vijmë tek pyetja juaj, raporti midis këngëtares dhe aktores. Unë mendoj se nuk ekziston asnjë kufi limit i ndarë me thikë. Madje janë në funksion të njëra tjetrës. E plotësojnë atë, pasi kanë të bëjnë me ngjitjen në skenë, ku përpara ke publikun që të ndjek me vëmendje dhe të vlerëson. Mua me pëlqen më shumë aktrimi. Kjo është jo vetëm zgjedhja ime, por edhe prirjet individuale në këtë mes.

Dhe lajmi i fundit?

Edhe pse studentë në degën e dramës, tashmë kemi krijuar një grup aktorësh të pavarur, ku japim shfaqe në kryeqytetin francez. Kemi provuar që të vëmë në skenë pjesë të larmishme, dhe jo pa sukses. Edhe pse në fillesat e vet, grupi ynë ka mundur që të zgjoj interesin, jo vetëm të publikut parizien e gjetkë, por edhe të vetë institucioneve artistike e kulturore të një gjigandi si Parisi. Ndjehem e lumtur në këtë rrugë, dhe për këto arritje. Me mëndje dhe zemër tashmë qëndroj midis Parisit dhe Tiranës edhe pse u ktheva nga kjo e fundit , pak ditë më parë ku isha për pushimet e fund vitit që posa u mbyll.

Marre nga Gazeta Shqiptare në Britaninë e Madhe

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama