Elbasan etnografia vlere historike

Elbasan, etnografia vlerë historike

Në dhomat e godinës dykatëshe të muzeut, përmes objekteve pasqyrohet mënyra e jetesës së kësaj zone, mobilimet, veshjet, etj. Janë renditur dhomat në mënyrën sesi ato funksiononin duke të dhënë imazhin e një shtëpie të vjetër elbasanase, duke përfshirë gjithçka.Muzeu Etnografik u krijua në vitin 1986 në shtëpinë e Sejdinëve e cila ishte ruajtur si monument tradite edhe pse pronarët e saj ishin cilësuar "armiq të popullit". Jo shumë larg sheshit të Bezistanit në qendër të qytetit kjo shtëpi është restauruar së fundi. Është një ndërtesë karakteristike me çardak, e veçantë në llojin e saj në trevën e Elbasanit, ajo është përcaktuar si simbol i shtëpive elbasanase. Në planin arkitekturor, banesa e ndërtuar në vitin 1870 ngjan me shtëpitë karakteristike të Beratit dhe Shkodrës, por ka shumë elementë që e bëjnë unike.

Kati i parë i banesës, dikur magazinë për prodhimet bujqësore të familjes Sejdini, përbëhet nga tre dhoma dhe një sallon, në të cilat tani paraqiten vlerat e traditës popullore, por edhe dokumente historike me vlerë. Dhoma e punimit të leshit, dhoma e metaleve si dhe dhoma e tabakëve kanë zënë vend në këtë kat, duke i krijuar mundësi vizitorit që të njihet me kulturën dhe traditën vendase. Kati i dytë i muzeut përbëhet nga një korridor i madh, dhoma e punës së vajzave, dhoma e grave, dhoma e burrave dhe dhoma e nuses. Në numrin e madh të zejeve, që pasqyrohen në këtë muze, përmenden punimet e shajakpunuesve, qeleshepunuesve, kazazëve, punimet e opingarëve, e saraçëve, punimet e zilexhinjve, armëtarëve, argjendarëve, çibukçinjve, samarxhinjve, mullinjtë primitivë të vajit, si dhe guri mortor i legjionarit Mark Sabitis, monumenti që vërteton arkeologjikisht vendndodhjen e Skampis. Punonjësit e muzeut etnografik, shprehen se zejtaria në qytetin e Elbasanit nisi të zhvillohej në gjysmën e parë të shekullit të XVII-të.

Gjithçka që ruhet në muze transmeton një mozaik të pasur vlerash, që pasqyrojnë tiparet etnografike të krahinës. Të gjitha këto janë realizuar me copa të kushtueshme, zbukuruar me motive vendase të thurura me gajtane dhe tel argjendi ose ari. Sipas tyre, kostumet e burrave dhe të grave që dalloheshin për bukurinë dhe elegancën çmoheshin shumë nga të huajt. Një dolloman apo xhybe e kategorisë së parë, që përdorej nga aristokracia, e punuar me copë kadife të kuqe të importuar, tregtohej përkundrejt një shumë të madhe. Në gjysmën e dytë të shekullit të XIX në punimin e kostumeve kombëtare përmenden mjeshtërit elbasanas Hasan Dilja, Tahir Kryemadhi etj. Ka ende familje që trashëgojnë zejet e vjetra, por pak prej tyre arrijnë ti realizojnë punimet ashtu siç bënin të parët e tyre. Mosrritja e krimbit të mëndafshit, humbja e tezgjahut apo edhe futja e teknologjisë kanë bërë që gjithçka të jetë tepër të vështirë për tu realizuar. 

Marre nga : Gazeta Sot

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama