Drejtori i Parkut Arkeologjik Kombëtar të Amantias, Gëzim Lojdia, shprehet se qëllimi i kësaj ekspozite është qartësisht i lexueshëm: njohja me armët me të cilat shqiptarët kanë luftuar nëpër kohëra kundër pushtuesit të huaj. Kjo krahinë ka një kontribut të veçantë në luftërat për liri dhe pavarësi. Dhe pika lidhëse është mes të shkuarës që zbret nga koha e antikitetit te mesëm, ku qytetërimi amantin shpreh identitetin ilir, ndërsa qyteti malor 630 m mbi det ka qenë kryeqendra e një qytetërimi që zgjatej deri në buzë të detit. Ky qytetërim jetoi një periudhë njëmijëvjeçare dhe ka lënën pas emrin e mirë të një qytetërimi ilir, gjurmët e të cilës ne i kemi sot prezent në këtë kodër të fshatit Kudhës-Gërhot.
Ndër armët e ekspozuara bënte pjesë pisqolla me përbërje bronz, hekur, argjend e periudhës së Rilindjes Kombëtare. Kjo është përdorur në luftërat kundër pushtuesit otoman. Pisqolla është prodhim i armëtarëve vendas, kryesisht Shqipëria e jugut dhe mbushja bëhej nga gryka. Jatagan me material hekur, bronz e kohës së Rilindjes me gjatësi 57cm, është përdorur kryesisht në kryengritjen e Shqipërisë së Jugut në 1878 dhe është prodhim i armëtarëve vendas. Një armë tjetër ishte harbia me përbërje hekur dhe bronz e kohës së Rilindjes, rreth 37cm, e cila shërben për ngjeshjen e barotit të armëve që mbushen nga gryka. Është prodhim i trevës. Vezmja është një mjet tjetër interesant i kulturës arbërore e kohës së Rilindjes shqiptare që peshon rreth 600 gr dhe shërben për përdorim vetjak në luftërat e popullit kundër pushtuesve, me përbërje aliazh dhe argjend. Ka edhe nagant me material metali dhe dorezë druri e prodhimit italian e kohës së viteve 1880, që është përdorur në Luftën e Parë Botërore dhe është trofe. Një ndër objektet që zgjoi interes është palcorja me material aliazh e argjend e teknikës artizanale me derdhje e kulturës arbërore me dimensione 6 cm x 3.5 x 2.5 cm.
Periudha e përdorur është kohë e Rilindjes shqiptare dhe ky mjet shërben për përdorim vetjak në luftërat e popullit tonë kundër pushtuesve osmanë, sidomos në kryengritjet e Shqipërisë së Jugut të vitit 1847. Ajo është prodhuar në jug nga vendasit dhe përdorej për të mbajtur palcën me të cilën vaisej arma. Është pjesë e armëve të zjarrit me strall dhe ruhet në gjendje shumë të mirë me të gjitha elementët e zbukurimit me motive gjeometrike floreale. Një koleksion më vete përbënin nagantet dhe pisqollat. Mes tyre është edhe naganti i Mbretit Zog, në dorezë të të cilit shkruhej A. Zogu. Pushkë stralli quhet armatimi i një lloj punimi artizanal i shek. XIX e periudhës së Rilindjes, e cila ka këto dimensione: 143 cm me kalibër 16 mm. Arma është përdorur në rrethinat e Vlorës në kryengritjet e vitit 1910-1911. Tek tyta ka një mbishkrim “Zarzamino-Ominozo” e punuar në dru arre. Pushkë me kapsulë e shekullit të XVIII rreth 125 cm, me kalibër rreth 16 mm dhe është gjetur në një terren ku ka kryer aktivitetin klubi patriotik “Labëria”. Shpatat e përdorura nga ushtria e Ali Pashë Tepelenës kundër pushtuesit osman.
Ka revolver të prodhimit 1908 –1942, prodhim gjerman përdorur në Luftën e Dytë të përbotshme. Beretë italiane e vitit 1934 me peshë 660 gr, prodhuar me material të cilësisë së parë. Një material të veçantë përbënin pushkët trofe prodhime të vendeve të ndryshme të shekujve të ndryshëm, të zëna trofe. Mes tyre veçojmë pushkë prodhim i huaj rreth 3 kg pesha, belçik gjerman rreth 4.3 kg e përdorur në Luftën e Parë Botërore, është përdorur nga luftëtarët popullorë në rrethinat e Vlorës gjatë Luftës së Parë Botërore. Një patickë italiane e vitit 1941 me dimensione rreth 92 cm e gjatë, që është përdorur në Luftën e Dytë Botërore, pushkë e gjatë italiane e vitit ‘34, pushkë e shkurtër ruse e vitprodhimit ’44, që është përdorur në rrethinat e Vlorës pas çlirimit, pushkë gjermane e vitprodhimit 1880. Armët e gjuetisë që janë përdorur si mjet luftarak. Midis armëve luftarake ka edhe pushkë austriake, amerikane.
Kjo ekspozitë u vizitua nga banorë, historianë, nxënës shkolle. Qëllimi, sipas drejtorit të parkut, është nxitja dhe interesi për të tërhequr vizitorë në këtë qytezë të historisë sonë së lashtë, e cila ka filluar të ndiejë ripërtëritjen e saj në këto muajt e fundit. Duhet theksuar interesimi që ka shfaqur edhe MTKRS-ja për këtë zonë arkeologjike. Vetë ministri Ylli Pango e ka eksploruar këtë zonë. Investimet, si përfundimi i rrugës deri në kala, rrethimi i siteve, pastrimi i objekteve e rrethimi dhe mbjellja e pemëve kanë ndryshuar fytyrën e saj duke tërhequr deri turistë të huaj, ku numri i përgjithshëm i vizitorëve shkon në 630, shifër kjo e panjohur në 60 vjetët e fundit. Ndërsa pritet që në dy vitet e ardhshme, ky park në këtë zonë rurale të kapë kuotat e vizitorëve të Apolonisë.
Marre nga : Gazeta Metropol











