Eksodi! Rama mban nje fjalim pasionant para kuksianeve...

Eksodi! Rama mban nje fjalim pasionant para kuksianeve...

Pritej me shumë interes dalja e kryeministrit Edi Rama përpara kuksianëve, këtë ditë të shtunë. Jo për faktin se do shpërndante leje legalizimesh dhe do vazhdonte serinë e batutave me banorët, por sepse po shkonte në një nga zonat ku ndjehet më shumë eksodi drejt vendeve perëndimore, kryesisht në Gjermani.

Qindra njerëz, të mbledhur në takim, e ndoqën me shumë interes fjalimin e Ramës, i cili ishte i mbushur me pasion.

Edi Rama u tha kuksianëve se ata nuk janë varfëruar tani, por kanë 20 vite si rajoni më i varfër në vend.

“Kukësi nuk u varfërua në këto 18 muaj, por gjatë viteve të tëra izolim e varfërim. Sepse ato që po bëjmë ne sot duhet të ishin bërë vite më parë. Sepse kanceri që kapi çdo sektor të shtetit duhet të ishte operuar vite më parë, që të mos ishte lënë të përhapej. Por unë besoj se të gjithë së bashku ne jemi në gjendje ta përshpejtojmë kthesën dhe të dalim me shpejtësi në rrugën e re që kemi projektuar”, ka thënë Rama.

Nuk i kemi zgjidhur gjithë problemet e shëndetësisë, tha Rama, por shtoi se është bërë shumë në këtë drejtim.

“Kemi furnizuar të gjithë spitalet dhe barnat i marrin në spital falas. Kemi ulur 30% çmimin e ilaçeve dhe kemi kursyer 17 milionë dollarë nga ulja e çmimit duke bërë që fondi ynë të jetë më i madh i investimit. A mund të themi që shëndetësia është falas sot, absolutisht jo. Por kemi marrë drejtimin e duhur për të shkuar drej kësaj”, tha Rama.

Ai preku edhe çështjen e borxhit, që ka shqetësuar shqiptarët dhe është ngritur edhe nga deputeti Ben Blushi.

“Babai i shtëpisë luante bixhoz, gjetëm borxhlinjtë tek dera,” tha ai, duke iu referuar ish- kryeministrit, Sali Berisha.

Duke folur për eksodin, Rama iu referua duke thënë se ajo që ka ndodhur javët e shkuara, si një referencë për një plagë që është duke u mbyllur.

Sërish Rama tha se gjithçka ishte pasojë e një keqkuptimi, që u shfrytëzua edhe nga grupet kriminale.

Rama foli sërish si një opozitar shumë i mirë, kur tha se ka shkuar në zonën e Shishtavecit dhe ka parë rrugën e tmerrshme që të çon në atë zonë.

Rama tha se kjo rrugë nuk u ndërtua nga demokratët, ndërsa shtoi se patatet e Shishtavecit sërish po kalben.

Kryeministri theksoi se opozita po derdh lot krokodili për eksodin.

Në fund, Edi Rama prezantoi edhe kandidatin për këtë Bashki, Hasan Halilaj.

Ky i fundit është nën kritika pasi jo vetëm që kaloi me LSI-në, por për tetë vite nuk garantoi as furnizimin me ujë të qytetit, edhe pse rrethohet nga uji në të katër anët.

Halilaj është justifikuar se e ka penguar pushteti qendror dhe Rama e mori në mbrojtje.

“Duhet të çmojmë kurajën e tij që u nda nga pushteti i vjetër,” tha Rama, duke shtuar se në koalicionin e tyre të madh është edhe FRD, të cilët po ashtu i ka vlerësuar për kurajën.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama