Ajo çfarë akademikët e quajnë "pastërtia e gjuhës shqipe" do të jetë edhe këtë vit një nga pikat më të ndjeshme, e cila do të nënshkruhet në protokollin e bashkëpunimit që dy akademitë e shkencave, ajo e Shqipërisë dhe e Kosovës, do të nënshkruajnë javën që vjen në Prishtinë. Eduart Sulstarova, sekretar i Përgjithshëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, shprehet se me gjithë vonesën, protokolli që nënshkruhet çdo dy vjet mes dy akademive shqiptare do të nënshkruhet javën që vjen në Prishtinë. Dy akademitë, sipas tij, prej vitesh kanë pasur një bashkëpunim koherent të përqendruar kryesisht në projekte të përbashkëta për kërkimet shkencore, siç është komisioni ndërakademik i ngritur për pastërtinë e gjuhës shqipe, apo puna për enciklopedinë shqiptare, enciklopedinë e artit shqiptar, fjalorë të ndryshëm, bashkëpunimi në arkeologji, biologji etj.
Plani i marrëveshjes që do të nënshkruhet javën që vjen në Kosovë do të ketë 24 pika që prekin fusha të ndryshme, objekt i punës së dy akademive. Por pika më e ndjeshme ku do të përqendrohet puna në dy vitet e ardhshme, do të jetë ajo e shqipes standarde. "Ka më shumë se një vit që është ngritur një komision ndërakademik me shkencëtarët më të mirë të gjuhës nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe arbëreshët, i cili është mbledhur disa herë në Shqipëri dhe në Kosovë për të parë se çfarë ndryshimesh eventuale mund t‘i bëjnë drejtshkrimit të gjuhës shqipe, pasurimit të saj", thotë Sulstarova.
Problemi i gjuhës standarde prek gjithë hapësirën shqiptare, ndaj puna e ngritur nga ky komision kërkon kujdes, aq më tepër që sipas Sulstarovës "kosovarët janë më tepër fanatikë ndaj këtij standardi". Megjithëse mediat apo dhe në shkolla është vënë re një lëkundje ndaj shqipes zyrtare, ky komision do të shohë të gjitha mundësitë që shqipja standarde jo vetëm të jetë e detyrueshme, por të ketë dhe masa për mbrojtjen e saj. "Ne nuk mohojmë të folurën në dialekt, pasi secili në shtëpinë e vet mund të flasë me dialekt, por në komunikim duhet të flasë me gjuhën standarde. Gjuha është si një qenie e gjallë, e cila evoluon, dhe pikërisht këtë të fundit ky komision do të rishikojë".
Në udhëtimin drejt Prishtinës, Akademia e Shkencave e Shqipërisë shkon edhe me një projekt tjetër për sa i përket fjalorit enciklopedik, ku ka hartuar pjesën më të madhe të punës për këtë projekt. "Ne si akademi kemi ripunuar fjalorin enciklopedik, i cili në variantin e parë është botuar në vitin 1985, tani do ta shpiem për ribotim". Por bashkëpunimi, i cili do të nisë të jetë më intensiv pas nënshkrimit të protokollit mes dy akademive, do të vijojë edhe me pikat e tjera, që sipas Sulstarovës, do të kenë të njëjtin seriozitet ashtu si problemi i shqipes standarde.
Marre nga : Gazeta Shqip











