E drejta dhe jeta feudale ne Shqiperi

Është e vërtetë se veprimi i së drejtës bizantine paraqitej i kufizuar në Shqipëri, qoftë për statusin e veçantë që kjo kishte në kuadrin e Perandorisë Bizantine, qoftë dhe për faktin se këtu, për kushtet e terrenit, kishte peshë deri vonë në shek. XIV prona e vogël e lirë e fshatarit. Kjo e fundit i nënshtrohej më së shumti veprimit të së drejtës tradicionale dokesore, e cila, nga ana e saj, nuk mungoi të ndikojë fuqishëm edhe në marrëdhëniet që ndërthurreshin përreth familjeve dhe oborreve feudale, aq më shumë që këto e kishin prejardhjen e tyre nga zona ku bashkësia fshatare dhe prona e vogël e lirë mbeteshin tipar mbizotërues i marrëdhënieve të pronës dhe i atyre shoqërore.
Një nga veçoritë thelbësore të së drejtës dhe praktikës dokesore shqiptare ishte ajo që kishte të bënte me institucionin e trashëgimisë. Në Shqipëri ishte zakoni që askush nga fëmijët meshkuj nuk përjashtohej nga e drejta e trashëgimisë. Një gjë e tillë pengonte përqendrimin dhe favorizonte copëzimin e vazhdueshëm të pronave. Ky copëzim pasqyrohej edhe në lëmin e autoritetit dhe të pushtetit. Qoftë familja fisnike e zakonshme, qoftë principatat e mëdha apo të vogla drejtoheshin në bazë të parimit të bashkëqeverisjes (konregjencës). Në fakt, institucioni i bashkëqeverisjes njihej dhe zbatohej sa në Bizant, aq edhe te popujt fqinjë të shqiptarëve. Por tek ata ky institucion realizohej nëpërmjet kooptimit në pushtet nga ana e babait sovran, e njërit prej bijve, zakonisht më të madhit, me qëllim trashëgimin e plotë e të pandarë të pushtetit. Përkundrazi, te shqiptarët si drejtimi i ekonomisë familjare, ashtu dhe qeverisja e shtetit (principatave) realizohej nëpërmjet bashkëpjesëmarrjes së të gjithë vëllezërve. Kështu, Principatën e Balshajve në gjysmën e dytë të shek. XIV e qeverisnin njëherësh tre vëllezërit, Strazimiri, Gjergji e Balsha II. Po atë kohë, Despotati shqiptar i Artës (Epirit) qeverisej nga vëllezërit Gjin e Sguro Bua Shpata. Vëllezërit Lekë e Pal qenë në krye të Dukagjinëve të Lezhës, në kohën kur tre vëllezërit, Gjin, Stojë e Teodor, drejtonin po ashtu Principatën e Muzakajve. Asnjë vendim që kishte të bënte me principatën nuk mund të merrej në një mënyrë të njëanshme nga njëri prej vëllezërve. Deri edhe kancelaria dhe vula zyrtare ishte e përbashkët.
Në planin praktik, secili nga vëllezërit sundimtarë merrej me administrimin dhe qeverisjen e një pjese të zotërimit feudal. Vëllait të madh, i cili gjithsesi gëzonte privilegjin e moshës, i takonte të drejtonte zotërimet tradicionale të familjes. Lidhjet e veçanta historike, njerëzore e shpirtërore që familja sundimtare kishte me to, e bënin këtë pjesë tradicionale të principatës elementin bazë e të qëndrueshëm të saj. Kështu në vitet 70 të shek. XIV, më i madhi i vëllezërve Muzaka, Gjini, administronte zotërimet e hershme të familjes në malësitë e Oparit, ndërkohë që të vëllezërit qeverisnin vendet më të buta e më të pasura të Myzeqesë e të fushës së Korçës e të Kosturit. Por fakti që në Opar e në viset përreth Muzakajt kishin fillimet e historisë së tyre, njerëzit më besnikë, vatrat dhe varret e hershme të tyre, e bënte këtë krahinë qendrën shpirtërore të principatës.
Gjithsesi, bashkadministrimi dhe bashkëqeverisja e zotërimit familjar apo e principatave sillte shpërqendrimin e copëzimin e pronës e të pushtetit, për rrjedhojë edhe dobësimin e tyre, aq më tepër që kjo ndarje nuk i shmangte, por përkundrazi i nxiste grindjet e rivalitetet. Nuk është e rastit që zotërimet feudale shqiptare njohën kulmet e zhvillimit kur në krye të tyre, për një arsye apo tjetrën, qëndroi vetëm një person. Kështu ndodhi me Balshajt në kohën e sundimit të Balshës II, me Topijat në kohën e princit Karl Topia, apo me Muzakajt në kohën e sundimit të gjatë të despotit Andrea II (1335-1371).
Krijimi i zotërimeve e i principatave të pavarura shqiptare në shek. XIV kurorëzoi një proces të gjatë zhvillimi, gjatë të cilit klasa feudale shqiptare fitoi gjithnjë e më shumë atribute e pavarësi ekonomike, politike e së fundi dhe ato gjyqësore. Sunduesit bizantinë, serbë etj., e mbajtën me fanatizëm deri në fund pushtetin gjyqësor, si tregues kryesor i sovranitetit. Proceset dhe çështjet gjyqësore zgjidheshin nga gjykatës të dërguar nga qendra dhe që vepronin në bazë të ligjeve të mishëruara në përmbledhjet zyrtare ligjore, siç qenë kodet bizantine ose "kodi i Stefan Dushanit". Megjithatë normat dhe praktikat dokesore në marrëdhëniet e përditshme ishin aq shumë të rrënjosura, saqë ato shpeshherë mbizotëronin mbi ligjet e shtetit.
Në marrëveshjet e nënshkruara me krerët shqiptarë dhe në privilegjet e lëshuara për bashkësitë shqiptare, perandorë të ndryshëm bizantinë, mbretër serbë e anzhuinë apo qeveritarë venecianë angazhoheshin të qeverisnin sipas "normave dhe dokeve të vjetra". Kjo përbënte një element të rëndësishëm të njohjes së autonomisë gjyqësore administrative të bashkësive e të njësive të caktuara lokale. Me rënien e perandorive ballkanike, siç qenë ajo bizantine dhe ajo serbe, edhe privilegji i gjykimit u kaloi feudalëve të veçantë, të cilët tashmë mund të gjykonin e të vendosnin për të gjitha çështjet civile e penale që lindnin në zotërimet e tyre (rationen et iustitiam in civilibus et criminalibus dare). Marrja në dorë e gjykimit të çështjeve gjyqësore në juridiksionin e vet, shënonte hapin e fundit të kthimit të fisnikëve shqiptarë në zotër të pavarur. Megjithatë pushteti gjyqësor i fisnikëve vazhdoi të kufizohej nga veprimi i së drejtës dokesore apo asaj kanonike. Kjo e fundit mbizotëronte sidomos në çështjet që kishin të bënin me martesën, me të drejtën e trashëgimisë etj. Mjaft çështje të tjera zgjidheshin në bazë të "kodit të nderit". Ky i fundit shprehej më së pari në fushën e betejës. "Kronika e Janinës" e shek. XIV na bën të ditur se luftëtarët e Gjin Bua Shpatës i sulmonin armiqtë me thirrjen kalorësiake "ruaju" për t'u dhënë atyre mundësinë që të mbroheshin. Kjo ishte normë e së drejtës dokesore. Sado të ashpër që tregoheshin gjatë luftimit, shqiptarët fitimtarë nuk hakmerreshin mbi të mundurit në mënyra të vrazhdëta, siç ndodhte me shumë popuj të huaj. Robërit e luftës nuk u nënshtroheshin ndëshkimeve e gjymtimeve trupore. Shumë-shumë, në shenjë zhburrërimi atyre u pritej mjekra. Shpesh robërit e luftës, sidomos kur qenë personalitete me emër, mbaheshin peng si mjet presioni ndaj kundërshtarit. Në mjaft raste, siç e donin praktikat e kohës, ata liroheshin kundrejt pagesës. Nuk mungonin edhe rastet kur një martesë në kohën e duhur kthente paqen midis familjeve rivale, siç ndodhi me Balshajt dhe Topiajt në vitet 60 të shek. XIV. Ndërkohë që çmonte trimërinë e fisnikërinë, qoftë edhe të kundërshtarit, morali shqiptar dënonte ashpër paburrërinë dhe tradhtinë. “Tradhtar” ishte sharja më e rëndë që mund t’i drejtohej dikujt. Më 1436 në Fano të Italisë u bë gjyqi i një shqiptari me emër Gjergj, i cili në zemërim e sipër kishte tentuar të vriste një banor vendas duke e thirrur atë “tradhtar”. Në statutet e Shkodrës kishte një dispozitë të veçantë për fyerjen me fjalën “tradhtar”. Kundravajtësit gjobiteshin me një shumë të jashtëzakonshme prej 500 hyperperësh, ndërkohë që prerja e mjekrës, e konsideruar edhe kjo fyerje e rëndë, dënohej me 50 hyperperë. Nga po të njëjtat statute mësohet se sharja “tradhtar” ishte mënyra më e mirë për të grishur dikë në dyluftim. Tradhtarët e frikacakët meritonin ndëshkimet më të rënda. Ky moral nuk bënte përjashtim as për bashkëpunëtorët më të afërt, as për njerëzit e familjes madje as dhe për njerëzit e fesë. Balshajt, Kastriotët, Dukagjinët, Muzakajt e të tjerë fisnikë shqiptarë nuk ngurronin t'i dënonin me burgim, madje dhe me vdekje, njerëzit e tyre, që në një moment të caktuar i kishin "tradhtuar ". Tradhtarëve gjithashtu u sekuestrohej pasuria.
Normat e së drejtës dokesore vepronin fort edhe në fushën e marrëdhënieve martesore, ndonëse këtu pretendonte të mbizotëronte e drejta kishtare (kanonike). Kurorëthyerja paguhej me jetë: një fisnik nga dera e Dukagjinëve nuk ngurroi të vrasë të dashurin e gruas së tij edhe pse ky ishte klerik i lartë. Në rast se një grua e martuar braktiste të shoqin, detyrën për ta gjetur dhe për ta risjellë e kishte sa burri i mashtruar, aq edhe "vëllazëria". Në vitin 1198 një fisnik nga Kolonja, Aleks Kapandriti, pasi kishte vrarë gruan e parë, u martua për së dyti me gruan e një arkondi nga Durrësi me emrin Bardh. Por nuk e gëzoi këtë martesë, sepse vëllai i kurorëthyeses e zuri e pasi i keqtrajtoi që të dy, ia dorëzoi përsëri të motrën burrit të parë.
Gjakmarrja dëshmohet që në atë kohë, vinte në luftë familje dhe bashkësi të tëra. Prej saj nuk shpëtonin as përfaqësuesit e elitës drejtuese. Kështu në vitin 1416 pas një vrasjeje, Balshajt kishin hyrë në gjak me bashkësinë e Hotëve. Në emër të "nderit" përziheshin në akte dhune e gjaku edhe vetë njerëzit e fesë. "Kronikat e zeza" të shekujve XII-XV japin raste jo të pakta, kur klerikë të thjeshtë e deri peshkopë e kryepeshkopë, bëheshin autorë ose viktimë krimesh për fyerje ose për çështje nderi.
Fuqia dhe pushteti i familjeve aristokrate shqiptare matej me madhësinë e cilësinë e zotërimeve të tyre, me sasinë e njerëzve që ata mund të armatosnin, por edhe me lidhjet dhe aleancat e tyre të jashtme. Këto të fundit ishte zakon të sanksionoheshin, përveçse me traktate e marrëveshje të përkohshme, edhe me lidhje familjare të qëndrueshme. Në shek. XIV të gjitha familjet fisnike shqiptare ishin të grupuara në aleanca të caktuara ushtarako-familjare. Kështu, nëpërmjet krushqive Muzakajt qenë lidhur në aleanca të qëndrueshme me Arianitët, Balshajt, Zenebishët, Gropajt e deri Dukagjinët e veriut. Po ashtu, përreth Balshajve në veri, apo Shpatajve në jug, qenë krijuar aleanca politiko-ushtarake, të cilat mbështeteshin edhe në lidhjet familjare. Roli i këtyre aleancave dilte në pah në rast se njëri nga pjesëtarët përfshihej në ndonjë konflikt ushtarak. Në atë rast, pjesëtarët e tjerë i gjendeshin në krah me forca e mjete. Kështu, në luftërat e shumta që pati me despotin serb të Janinës, Thoma Preljuboviçin, despoti i Artës, Gjin Bua Shpata, u ndihmua vazhdimisht nga dhëndri i tij, Gjon Zenebishi i Gjirokastrës. Po ashtu, në betejën e Kosturit më 1371 kundër Mark Krajleviçit, despotit Andrea Muzaka i shkuan në ndihmë Balshajt, Gropajt e të tjerë fisnikë, aleatë e familjarë të tij.
Lidhja familjare midis familjeve të mëdha, përveç anëve politike e ushtarake, përmbante edhe elementin ekonomik, për sa kohë që shoqërohej edhe me dhënien e feudeve në formë paje. Një gjë e tillë u jepte shkas fisnikëve të caktuar që në momente të përshtatshme të ngrinin pretendime mbi zotërimet e familjeve me të cilat kishin krushqi, sidomos kur këto binin në vështirësi dhe nuk ishin në gjendje t'u dilnin zot pronave të tyre. Në këtë rrugë, Gjon Muzaka pretendonte të ishte nga fundi i shek. XV, zot i ligjshëm sa i zotërimeve atërore, aq edhe i atyre të Zenebishëve, të Gropajve, të Balshajve (Vlorë), Arianit-Komnenëve etj. Nga ana e tij, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu mëtonte se ishte trashëgimtar i ligjshëm i zotërimeve të Topiajve e të Balshajve dhe si për të theksuar këtë, i shtoi emblemës së familjes edhe simbolet e këtyre dy familjeve, luanin dhe yllin. Por zakonisht, pretendime të tilla mbi bazë trashëgimie mbi zotërimet e familjeve të tjera, realizoheshin nëpërmjet aneksimit me forcë të tyre.
Jo rrallë herë aleancat familjare shtriheshin edhe me familje fisnike e princore të huaja, gjë që sillte një rritje të veçantë prestigji dhe mbështetje të jashtme. Kështu, Gjon Zenebishi e kishte martuar një vajzë të tij me Petro Altavilën, pinjollin e dinastisë së famshme normane, që mbretëroi në Italinë e Jugut në shek. XI-XII. Po ashtu, Gjin Bue Shpata një vajzë të tij ia kishte dhënë fisnikut nga Firencja, Ezau Buondelmonte Açajuoli, që u bë despot i Janinës. Nga ana e tij konti Andre Topia u martua me një princeshë nga anzhuinët e Napolit. Kjo lidhje familjare me dinastinë frënge të anzhuinëve ndihmonte në forcimin e pozitave të jashtme por dhe të brendshme të Karl Topisë kundrejt rivalëve të tij. Jo pa arsye ai shfrytëzonte çdo rast, siç bën edhe në mbishkrimin ktitorial të manastirit të Shën Gjon Vladimirit të vitit 1381, për të vënë në dukje këto marrëdhënie të veçanta "gjaku" (eks haimatos) me anzhuinët. Në këtë kuadër ai i shtoi stemës së familjes Topia, që kishte në qendër figurën e luanit, edhe motivin e zambakut, simboli i anzhuinëve francezë.
Për konsolidimin e pushtetit të tyre, feudalët shqiptarë nuk nënvleftësonin edhe faktorët fetarë e kulturorë. Të shumtë qenë ata që, sipas koniunkturës politike, ndërruan edhe besimin. Duke lënë mënjanë konvertimin në masë të fisnikëve shqiptarë në fenë islame prej shek. XV, edhe më përpara shumë syresh bënë kapërcime nga besimi ortodoks në atë katolik e anasjelltas, për t'iu përshtatur rrethanave politike. Përmasa të mëdha mori veçanërisht në shek. XIV kalimi në katolicizëm i mjaft dyerve fisnike, siç qenë Balshajt, Matrëngët, Skurrajt, Muzakajt, Zahariajt e shumë të tjerë, që me këtë hap kërkonin para së gjithash të siguronin aleancën e fuqive katolike të Evropës të kryesuara nga Papati kundër rrezikut të ekspansionit serb në tokat shqiptare. Në këtë kuadër edhe mjaft pinjollë të familjeve Skurraj, Topiaj, Kamonaj, Matrënga, Muzakaj etj., mbushnin radhët e klerit dhe të urdhrave fetarë katolikë, siç qenë ai françeskan e dominikan. Kuptohet se mjaft prej tyre edhe pse veshën petkun e klerikut, vazhduan të merrnin pjesë gjallërisht në ngjarjet dhe në intrigat politike, duke mbrojtur interesa të caktuara. Peshkopët e Durrësit, p.sh., luajtën një rol të dorës së parë në fatet e qytetit. Sipas rastit, ata përgatitën kalimin e qytetit sa te Bizanti, aq tek anzhuinët, te venecianët e deri te Topiajt shqiptarë.
Në shek. XIII-XIV oborret e fisnikëve shqiptarë morën pamjen e plotë të qendrave të pushtetit, me funksione sa ushtarake, aq dhe civile. Përveç krerëve ushtarakë, aristokrati i fuqishëm mbante në kështjellën e vet një personel të tërë "civil" të përfaqësuar nga llogaritarë, intendentë, doganierë, gjykatës, ambasadorë, shkrues, kronikanë, arkitektë, piktorë, muzikantë etj. Person mjaft i afërt me fisnikun ishte kleriku i familjes, tek i cili ai dhe familja e tij merrte këshilla e mësime në punët e fesë, si dhe rrëfente "mëkatet" e tij. Por, përveç rolit të këshilltarit intim, kleriku në fjalë luante shpesh edhe rolin e mësuesit dhe të edukatorit për fëmijët e aristokratit, atë të një sekretari e ambasadori të posaçëm për misione delikate, të shkruesit, të kronistit etj. Futja në çështjet më intime të shtetit dhe të familjes së fisnikut i bënte këta klerikë persona me pushtet të jashtëzakonshëm, por edhe të ekspozuar ndaj zemërimit të padronëve të tyre. Karakteri i rezervuar dhe i përvuajtur bënte që klerikët në fjalë ta kryenin besnikërisht detyrën e njeriut të besuar të fisnikut. Por ndodhte edhe që për një fjalë apo një gjest të pamatur, që binte ndesh me natyrën e rezervuar të detyrës së tyre, edhe kleriku "i familjes" ta pësonte keq, siç e pësoi më 1408 murgu Theodotir, sekretar e këshilltar i Teodor Muzakës së Beratit, të cilin, s'dihet se për ç'mëkat, i zoti i tij e mbylli me pranga në burgun e kështjellës së Skraparit.
Aristokratët shqiptarë ndërhynin deri te Papa ose Patriku për t'i emëruar këta klerikë të oborrit peshkopë e kryepeshkopë në krahina, ku fisnikët në fjalë synonin të shtrinin ndikimin dhe kontrollin e tyre. Në dokumentet e shek. XIII-XIV bëhet fjalë vazhdimisht për prelatë të tillë, të cilët ishin vënë në krye të dioqezave nën presionin e pushtetit laik (per potentiam laicalem). Me ndërhyrjen dhe rekomandimin e krerëve shqiptarë, një klerik shqiptar, murgu dominikan Domenik Topia, arriti të bëhet rreth vitit 1340, këshilltar e kapelan i mbretit të Napolit, Robertit I Anzhu.
Fuqizimi ekonomik e politik i fisnikëve nga shek. XIII, bëri që të rritej edhe funksioni i tyre shoqëror. Ata filluan të merrnin përsipër veprimtari të tilla me interes të përgjithshëm, si ndërtime kishash e manastiresh, hapje e meremetime rrugësh, ndërtim veprash me karakter mbrojtës, veçanërisht në dobi të qyteteve e manastireve të mëdha. Oborret e aristokratëve të tillë të mëdhenj, si Balshët, Topiajt, Arianitët etj., filluan të konkurrojnë shkronjëtoret (skriptoria) e manastireve për sa i përket realizimit të kodikëve e dorëshkrimeve të çmuara, me të cilat merreshin mjeshtër të kualifikuar që pajtoheshin nga qytetet e zhvilluara të Shqipërisë ose edhe nga vende të tjera. Për t'u lënë pasardhësve kujtimin e tyre dhe të familjeve të tyre, fisnikët shqiptarë morën zakonin të porosisnin shkrimin e kronikave e gjenealogjive, apo bërjen e portreteve të tyre në pikturë (afreske e miniaturë) nëpër fasadat e kishave ose në faqet e dorëshkrimeve.
Aristokratët linin porosi të varroseshin në kisha ose në manastire të ngritura nga ata vetë apo nga paraardhësit e tyre. Varret, shpeshherë monumentale, shoqëroheshin gjithnjë nga mbishkrime të pikturuara ose të gdhendura, që thuajse gjithnjë i thurrnin lavd përshpirtmërisë së të vdekurit. Këtë zakon e ruajtën edhe shumë nga fisnikët shqiptarë të emigruar në Itali pas pushtimit të vendit nga osmanët. Në këto mbishkrime thuajse asnjëherë nuk harrohet të shënohet atdheu i të vdekurve, si dhe rrethanat që detyruan largimin e tyre nga Shqipëria.
Mjaft nga këto sjellje dhe praktika të fisnikëve shqiptarë u përftuan pas kontaktit me qytetet, sidomos me ato të bregdetit perëndimor. Këtu këta blenë prona, shtëpi, troje dhe lidhën kontrata me tregtarë vendas për import-eksport mallrash. Mjaft prej tyre qëndronin një pjesë të vitit në qytet për të ndjekur vetë veprimtaritë ekonomike. Por shpeshherë qyteti ishte për ta edhe një vend zbavitjeje. Kishte edhe të tillë që vizitonin, për qëllime pune apo argëtimi, edhe qytetet e Italisë e të Dalmacisë. Krushqitë dhe miqësitë, që thurrnin aristokratët e tokës me familje të patriciatit qytetar, i bënin edhe më të ngushta lidhjet me qytetin. Mjaft pinjollë familjesh fisnike u vendosën përfundimisht në qytet dhe me kalimin e kohës me ta ndodhi dukuria e asimilimit shoqëror e kulturor dhe shkrirja e tyre në rrethin e aristokracisë qytetare.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama