E dashuruar me nje ...te shumekerkuar

E dashuruar me një ...të shumëkërkuar
Por kush është në të vërtetë grekja 33-vjeçare, mikja e Rizait dhe pse sakrifikoi lirinë e saj për hir të atij që konsiderohet nga organet greke të rendit si keqbërësi më i madh shqiptar në Greqi?Ata që e njohin e përshkruajnë si një grua shtëpiake, e ndarë qysh prej vitit 2000, që banon në lagjen "Peristeri" të Athinës. "Është një vajzë e mirë, por pa mend. U dashurua, ndoqi nga pas shqiptarin dhe u ngatërrua", deklarojnë të njohurit e saj për mediat greke. Familja e saj, e varfër ekonomikisht, e ka origjinën nga ishulli Santorini. Ajo vetë ka kaluar ditë të vështira pas ndarjes, kur është detyruar të bëjë çfarëdo lloj pune për të rritur dy vajzat e saj, tashmë 11 dhe 18 vjeçe.

"Nuk do ta fal kurrë mamanë. Prej 9 vitesh jetojmë pa baba dhe tashmë shoh se do të jetojmë edhe pa nënë", pati deklaruar disa muaj më parë vajza e madhe e Sulas. Sula Mitropia është njohur me Alket Rizain në një bar-kafe. Dolën me njëri-tjetrin për rreth tre muaj dhe më pas vendosën të jetojnë së bashku. Në bazë të dëshmive, pas arratisjes së dytë të Rizait, ajo është shprehur se nuk dinte asgjë për jetën "tjetër" të Alketit. Çifti është ndarë kur ai është arrestuar dhe ajo më pas ka dëgjuar se ai akuzohej për një vrasje. Të dy janë takuar vetëm dy herë në burgun e Nafplios, ku ajo ka shkuar ta takojë. Pas arratisjes së parë, në qershorin e 2006-s, janë takuar në lagjen "Hajdari", kur Rizai ka ardhur i maskuar, ndërsa ajo i është lutur të dorëzohej.

 Por ai nuk e ka dëgjuar dhe pak muaj më vonë është arrestuar. Gjatë zhvillimit të gjyqit ka qenë pikërisht ajo që i ka dhënë (nuk dihet se si) një orë-celular, me të cilën kanë komunikuar për arratisjen e dytë spektakolare me helikopter në shkurt të këtij viti. Arratisje që, sipas policisë greke, ka për zbatuese 33-vjeçaren e guximshme, që mori me qira helikopterin dhe pasi detyroi me forcën e armës pilotin, fluturoi mbi burgun grek për të marrë Alket Rizain dhe Vasili Paleokostas. Ka qenë ajo që ka marrë përsipër lëvizjet e Alketit nga një shtëpi në tjetrën, ka qenë ajo që me emra të rremë zinte shtëpitë me qira dhe krijonte kushte të përkohshme për të jetuar shpeshherë kaq pranë rrezikut.

Në gjithë këtë aventurë superiore për një vajzë si ajo, duket se ka bërë edhe gabimin fatal, të komunikojë me një celular me nënën e saj, për të pyetur për shëndetin e vajzave dhe kjo telefonatë është përgjuar, është kapur dhe është lokalizuar nga policia greke.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama