Dy gjigantet bashke pas 12 vjetesh

Dy gjigantët, bashkë pas 12 vjetësh

Duhet të themi se janë të parezistueshëm. T‘i shohësh së bashku pas 12 vjetësh është një lloj sikur Copola dhe Scorcsese të xhironin një film me "katër duar", ndërsa Mik Xhegër dhe Pol Mëkartjen të incizonin një disk me "dy zëra". Një ngjarje vërtet e shënuar për historinë e ekranit të madh

Zbresin nga makina që i sjell në sheshin e xhirimeve, me një buzëqeshje të stampuar në fytyrë dhe me përshtypjen sikur për ta bota nuk ka më sekrete. Është një park në rrethinat e Brixhportit, i mbushur plot me ketra dhe mjellma dhe një liqen të mrekullueshëm. Robert Deniro dhe Al Paçino sapo kanë xhiruar pjesën e tyre në një fushë bejsbolli, një ndeshje miqësore mes dy skuadrave policësh. Të dy aktorët e mëdhenj të kinemasë amerikane janë kthyer pas shumë vitesh së bashku për të xhiruar filmin triller "Righteous kill" (që pritet të dalë në vjeshtën e 2008-ës) të udhëhequr nga Jon Avnet, përshtatur në rrethinat e Nju- Jork dhe Konektikut. Filmi flet për historinë e dy policëve në ndjekje të një vrasësi serial shumë të rrezikshëm.

Pak më vonë nga makinat zbresin regjisori, aktorë dhe plot fansa, mes të cilëve edhe rreperi Kurtis Xhekson, i njohur me pseudonimin "50 Cent", që duket se e ka lënë jashtë sheshit të xhirimit arrogancën e tij rrep, që është njëkohësisht koleg me ta. Xhekson thotë se është këtu për të mësuar, madje kur nuk ka as pjesë për të xhiruar, shkon të shohë gjigantët e kinemasë tek punojnë. Në fakt ka të drejtë. "Për ne është diçka argëtuese. Xhon na inkurajon të bëjmë atë që dimë, ndryshe nga regjisorët e tjerë dhe kjo për ne është shumë e rëndësishme. Gjatë xhirimeve nuk kemi probleme, madje duke ndjekur udhëzimet e tij bëjmë shumë pak prova dhe gjithçka shkon mirë", pohojnë aktorët, duke buzëqeshur. Në pas Al Paçino shton: "Jemi miq prej shumë kohësh dhe kjo na ndihmon. Ndonjëherë na duhet kohë të përshtatemi me aktorët e tjerë, sepse mes nesh është shumë e thjeshtë. Njihemi prej shumë kohësh me njëri-tjetrin". Për hir të së vërtetës nuk është hera e parë që punojnë së bashku. Filmi "Kumbari" i bëri të pavdekshëm, edhe pse në skenë nuk shfaqeshin bashkë, pastaj 12 vjet më vonë ishte "Sfida" ku interpretonin dy role të kundërta: De Niro ishte hajduti ndërsa Al Paçino hetuesi. Me të drejtë, lind pyetja, mos ndoshta është më shumë intriguese të interpretosh një rol negativ, sepse me sa kemi parë në ato role ka dhënë maksimumin? "Natyra e filmit është ajo e një trilleri me ngjyrime të forta psikologjike, gjë e cila i bën ngjarjet edhe më të komplikuara ku ka të mirë dhe të këqij", shpjegon De Niro.

Me të është dakord edhe Al Paçino: "Është e vërtetë, përballemi me gjëra që nuk i kemi njohur më parë, ka shumë surpriza, fundja as ne nuk jemi të kulluar". Buzëqeshja e tij të lë të kuptosh se do ta magjepsë publikun. Në gjithë këtë, rreperi dëgjon me shumë ëndje, duke hedhur aty këtu ndonjë batutë: "Gjeni kush është njeriu më i keq në film" dhe plot të tjera si këto. "50 cent" nuk është i vetmi adhurues i dy aktorëve të mëdhenj aty. Gjithashtu edhe regjisori Jon Avnet u thur elozhe: "Janë aq të zotë sa në sheshin e xhirimeve të japin përshtypjen reale të një lidhjeje të fortë, e kundërta e asaj që tregohet në film (në film aktorët nuk njihen fare me njëri-tjetrin). Zbulimi është të shohësh se si dy aktorët arrijnë të jenë dy policë njujorkezë. Madje edhe kur jam pas kamerës shpesh mendoj: dua të shoh filmin sa më shpejt sepse dua t‘i shoh ata të dy dhe mbi të gjitha, atë çka ata përcjellin te publiku. Në të vërtetë De Niro dhe Al Paçino janë miq të vjetër që janë njohur në vitet ‘60-të në sallat e leksioneve të "Actros Studio" dhe flasin për njëri-tjetrin me respekt dhe dashuri si dy shokë që kanë ecur në rrugë të ndryshme, por paralele. I pari që flet është De Niro: "Gjatë gjithë kësaj kohe kemi biseduar shumë shpesh. Donim të bënim diçka së bashku madje shumë herë kemi qenë shumë afër, por gjërat për arsye të ndryshme nuk na kanë ecur. Por sigurisht që është një avantazh i madh që njihemi kaq mirë dhe të shohësh se si të gjitha eksperiencat që kemi pasur kanë ndikuar në forcimin e raportit tonë. Ideja erdhi fare rastësisht kur Bob dhe Avnet po diskutonin për këtë projekt.

Të dy menduan se ishte rasti i duhur për t‘i bërë ftesë edhe Al Paçinos. "Më pëlqente Jon si regjisor, më pëlqente Bobo, por kisha disa dyshime të vogla vetëm për skenarin. Megjithatë kur e lexova ngela i habitur, më habiti vërtet: po mendoja se mos më kishin dhënë ndonjë skenar të rremë vetëm për të më pranuar tregon duke qeshur". Dy aktorë të mëdhenj që para së gjithash janë regjisorët e vetvetes: "Unë kam punuar për "Rikardo III". Mendoj se Bob për arsye të veçanta është një regjisor i madh. Të njëjtën gjë mund të them edhe për Xhon. Ai mund të quhet një aktor i madh sepse e sheh botën si regjisor. Nuk mendoj se një aktor duhet ta quaj veten edhe regjisor ndaj për këtë arsye kur më thonë se jam regjisor i përgjigjem prerazi: JO. Vërtet kam drejtuar filma por nuk jam regjisor, më pëlqen të kem kontrollin e gjithçkaje, por për një regjisor është e natyrshme, ky është ndryshimi. Mund të them se që kur kam udhëhequr vet një film kam ndryshuar tërësisht raportet me regjisorët, kjo është e vërtetë". Në fund, në mënyrë spontane e pyesim "50 Cent" se sa ka mësuar nga puna e tij me dy shenjtorët e kinemasë. "Gjëja e parë dhe më e rëndësishme është se u çlodha duke i parë", thotë artisti. Por edhe ai, si gjithë të tjerët, duhet t‘i rezistojë tundimit për të pyetur De Niron dhe Al Paçinon të interpretojë ndonjë batutë të famshme. Dhe nëse kjo do të ndodhte, të jeni të sigurtë se do të duartrokisnin edhe mjellmat dhe ketrat. Titulli i filmit, "Righteous kill" është marrë nga libri me të njëjtin titull i autorit, Jim Daher.

Marre nga : Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama