Dy frengj fillojne historine e fotos ne Shqiperi

Dy frëngj  fillojnë  historinë e fotos në Shqipëri

Kultura materiale e një populli është mënyra më autentike, sesi pasardhësit mund të gjykojnë qytetërimin e një vendi. Ndërsa, shtuar me imazhin, ato veç nostalgjisë të tregojnë etapat dhe çka më shumë ka shkuar e pavërejtur. Kjo e gjitha në një kohë që propaganda ka qenë gjithmonë kundër imazhit ndryshe të vendit...

Për të parën herë, Loïc Chauvin, e dëgjoi më 1984, Shqipërinë. Pesë vjet më vonë, ai do të udhëtonte njëkohësisht me Nënë Terezën, në vendin që ai e kishte imagjinuar krejt të egër dhe me ato pak gjëra, që pëshpëriteshin atëherë në propagandën e Luftës së Ftohtë. Imazhi i vetëm për tokën e malësorëve dhe njoftimet gjysmake në vendin e tij ishin ‘plotësuar’ me “Thikat” e Neshat Tozës. Pak ditë më vonë, shoqëruar me atasheun kulturor të vendit të tij, do të udhëtonte në Shkodër, ku do të njihte atë që i kishte interesuar dhe dëgjuar.

Një vit më vonë, në Francë, nuk kishte më asnjë dyshim dhe sakaq filloi një projekt për Marubin, Dinastinë e fuqishme të fotos shqiptare, që kishte filluar çuditërisht me një garibaldin të arratisur. Falë kësaj pune, më 1995 botoi albumin e parë kushtuar atyre “Albanie, visage des Balkans”. Suksesin nuk e dyshonte, por tashmë e grishte se çfarë fshihte më vendi me aq histori, ku kurbetlinjtë dhe ushtritë e huaja kishin kaluar si në një karusel gjigant. Vërtet, eksperienca kishte qëlluar e përkryer dhe në Qendrën “Pompidu”, ku që atë vit UNESCO ishte bërë e ndërgjegjshme për vlerat e mëdha që përmbanin këto foto. Për fat, i kërkohet që të vlerësonte mundësinë për të parë dhe propozuar mënyrën e ruajtjes së fotove në Fototekën e Marubit.

Projekti
Kështu vijuan vite dhe falë mbështetjes edhe të përfaqësueses shqiptare në UNESCO-s dhe MKRS, u pa e mundshme që të fillojë projekti me disa faza. Grupi tashmë i formësuar më i plotë, sepse me atë është edhe miku i tij, profesori i fotos Cristian Raby dhe producentja ekzekutive shqiptare Loreta Mokini. Sipas projektit, tash do të punohej me kërkimin e arkivave të ndryshme fotografikë, që gjendeshin në Shqipëri dhe që kishin dokumentuar etapat e ndryshme në historinë e shqiptarëve. Pak më vonë, do të shihej mundësia e krijimit të ekspozitave të vogla, por edhe ruajtja dhe dixhitalizimi i arkivave. Faza e dytë do të ishte krijimi i një libri me historinë e fotografisë shqiptare dhe fill pas saj edhe organizimi i një ekspozite të madhe sipas imazheve të librit.

Si ka filluar
Që nga vjeshta e vitit 2006, dy francezët tash janë në kërkim për mbarëkryerjen e këtij projekti, duke takuar zyrtarët shqiptarë, duke shkuar nëpër arkiva dhe duke takuar e konkluduar me pinjollët e familjeve të fotografëve.

Loïc Chauvin dhe Cristian Raby, së bashku me producenten e njohur shqiptare, Loreta Mokini, kanë prekur arkivat shqiptare, ku vend të posaçëm kanë pasur Arkivi Kombëtar, Muzeu Kombëtar, Fototeka e Shkodrës dhe koleksionet private. Edhe pse Ministria e Kulturës ka mundësuar këtë udhëtim të jashtëzakonshëm në celuloidin shqiptar, sërish ka pengesa. Gjithsesi, në Fototekën e Shkodrës, grupi i projektit ka pasur mundësi që të njohë rreth 100.000 negativa të marra nga fotografët e tjerë të qytetit, veç familjes Marubi: të tillë si Shan Pici, Dedë Jakova dhe arkitekti e piktori Kolë Idromeno, që kanë lënë të gjithë foto të mrekullueshme, të ruajtura një pjesë edhe në Arkivin e fotos në Tiranë. Nga ky i fundit, është mundësuar dhe prekja e fotografëve të tjerë që kanë punuar në Shqipëri, të tillë si Bali, Burda, Raci, Ristani, Mak etj.

Ndërsa, pa asnjë dyshim, një pjesë e mirë e koleksionit ka qenë e rezervuar në shtëpitë e artistëve të tillë të njohur si ajo në familjen e Gjergji Sotirit, të birit të Kristaq Sotirit, që kishte eksperiencën e madhe të SHBA-së. 15.000 negativa, kryesisht në negativa xhami, ruhen sot e kësaj dite jo në kushte të papërshtatshme në arkivat e familjes dhe veç tyre janë edhe 3000 foto të nënshkruara. Për fat, sërish në pllakat e xhamit janë zbuluar edhe dhjetëra negativa prej Vangjush Mios, punë që nuk është shfaqur kurrë, që pas vdekjes së tij. Në Berat, referuar dy francezëve, pasardhësit e Xhimitikut kanë lejuar qasje të arkivave, që janë në posedimin e tyre. Deri më tash ekipi i projektit ka mundësuar 500 kopje dixhitale të fotografive të ndryshme...

Tematika dhe seleksionimi
Me një tematikë, që është e ndryshme, ajo ka përfshirë ceremonitë religjioze, ushtarët shqiptarë dhe luftëtarë të ndryshëm të njohur të kohës, portrete të shumë njerëzve të njohur dhe po aq të panjohur, jetën e përditshme të shqiptarëve, arumunët, skena të ndryshme që japin ndryshimin politik nga Perandoria Otomane drejt Shqipërisë Moderne, skena urbane... etj. Ka qenë cilësia e lartë e punëve që i ka bindur dy francezët, që tash kërkojnë ngritjen e një ekspozite me rreth 60 fotografi (me dimensione 30x40) falë cilësisë historike dhe estetike të tyre...

Plani sot i fotografëve është që ato të mos jenë thjesht ilustrime apo dëshmi, por një vlerë ndryshe, që ka të bëjë me trashëgiminë unike fotografike. Ato do të klasifikohen sipas temave dhe nuk do të mbeten vetëm sipas autorëve apo natyrës së fotografisë. Më tepër akoma, autorët kanë propozuar dhe një skemë shumë interesante të dixhitalizimit, me kushte shumë ekonomike. Ata do të dixhitalizojnë me rezolucione të mesme, me qëllimin e krijimit të një database, nga ku pastaj do të jetë mundësia më e madhe për përdorimin e tyre. Varësisht nga nevojat e publikimit, pastaj ato konform të gjithë rregullave do të skanohen. E veçanta e kësaj pune është se negativat që pretendohen nga francezët do të pastrohen dhe do të vendosen në zarfë të posaçëm, ku do të krijohet mundësia edhe të ruhen me një pH normal...

Kujtesa historike
Dhe, ai vlen. Për dy artistët frëngë, fotografia shqiptare është realisht unike. Kur e thotë këtë Loïc Chauvin, artisti që përgatiti faqen e parë të “Liberation”, dyshimet janë të tepërta. Fati i keq i saj është se deri më tash, fotoja jonë ka qenë e panjohur, falë kushteve politike. Më hidhur të vjen që kjo trashëgimi shqiptare, as nuk ka prekje fare në historinë e fotos botërore. Asnjë referencë nuk vjen për këtë në almanakët e ndryshëm, pavarësisht se në vend ka pasur talente të jashtëzakonshëm. Përveç dinastisë Marubi, që ka pasur qasje dhe mund të futet në gjigantët universalë të fotos, të tjerë me po kaq përkushtim dhe talent i kanë shërbyer po gjegjësisht, afirmimit të identitetit dhe kujtesës. E shprehur nga goja e frëngëve: “Identiteti kombëtar shqiptar dhe zhvillimi i fotografisë shqiptare ka ardhur në një kohë dhe ato kanë inspiruar njëra-tjetrën”.

Rekuiem-Për fotografët shqiptarë
Këtë punë titanike dhe të pavlerësuar e kanë bërë dy lloje të fotografëve shqiptarë. “Njëra, që ka qenë komerciale dhe që me foton përpiqej të mbijetonte, por edhe një pjesë tjetër, që kishte lidhje me profesionin”, thotë për MAPO, Cristian Raby. Brenda të parës gjeje dhe të dytën dhe anasjelltas, sepse fotografëve u duhej të jetonin me këtë punë. Ka pasur diferenca kulture mes Marubëve, p.sh. dhe kulturës së fotos të Mios dhe Sotirit, një gjigant tjetër i fotos..., por që cilësisht kanë qenë të dyja punë cilësore.
Kështu, p.sh., “janë dy stile shumë të ndryshme, rrëfen me një shqipe të mirë Chauvin. “Sotiri ka sjellë nga Amerika një teknikë pamje dhe vendosje që janë shumë të shkurtra, ndërsa personazhe shumë të paqme. Ndërsa njëri ka qëndruar larg personazheve, duke i ngurtësuar në mes me një kompozicion të thjeshtë, Sotiri koncepton një foto-imazh, pra mund të them që janë teknika krejtësisht të ndryshme, kemi një Sotir që sjell një fotografi moderne”.

Sakaq, nxjerr një foto të brezit të dytë të Marubëve, por “Kel Marubi ka shkuar në të përditshmen, si kjo e këtij klubi, që i ngjan një clubi-jazz. Ka diçka cilësore që tregohet në këto foto, veç kostumeve diçka përtej fotos. ...diçka ekzotike. Të gjithë fotografët që kemi gjetur, qofshin ata anonimë, qofshin të tjerët që sapo përmenda, kanë dëshirën për të fotografuar gjithçka që vjen nga një objekt i bukur, pa një subjekt të qartë”. Pak e çuditshme, thonë pastaj, sepse i çudit sensi për të penetruar brenda komercit dhe për foto artistike: “Ka foto që tregojnë ritet e vdekjes, myslimane apo ortodokse, të cilat janë të kërkuara nga vetë familja.

Rituali i kërkesës për një foto të tillë në një moment varrimi e gjej vetëm në këto arshiva që kemi zbuluar në Shqipëri”. Qajnë dhe pozojnë me një fjalë, një diversitet, që francezët e gjejnë vetëm këtu. Në ditët tona, Loïc Chauvin është i bindur se do t’ia dalë mbanë, sepse e kanë merituar që kjo punë të vlerësohet. Nëse do të kalohet dhe pak burokraci, atëherë një nga disiplinat më cilësore të artit shqiptar do të ketë qasje botërore. “Ky është hapi i parë, të tjerë do e kenë më të lehtë, por edhe të nevojshme që të shkojnë më tej. Ne nuk pretendojnë se po bëjmë një punë që është shteruese”, thotë modest Chauvin, që duket se është mjedisuar disi në mjediset shqiptare.

Ben Andoni  - Revista Mapo


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama