Durres ne germadhen e Viles ‘mbreterore’

Durres, ne germadhen e Viles ‘mbreterore’
Nëse do të shmangesh nga rruga kryesore historike e Durrësit dhe do të varesh sipër, pas pak qindra metrash do të gjendesh në një nga mrekullitë e qytetit, ku janë të vendosur Fari dhe Vila e njohur, identifikuar me emrin e Zogut. Edhe pse në dokumente vërtetohet se s’është pronë e Mbretit të shqiptarëve, sot, ajo i është kthyer pasardhësit të tij. Gjithsesi, për publikun, kujtimi i saj i trishtë lidhet me vitin 1997, kur ajo u kthye në një vend të vërtetë batërdie prej huliganëve. Të ardhurit e shumtë i bëjnë sot shoqëri asaj dhe Farit, për t’ia humbur krejt magjinë dhe legjendat e shumta urbane...

Nëse dikush nuk do të kishte ngritur një pallat të lartë modern aty në kodrën më të lartë të Durrësit dhe disa dhjetëra të sapoardhur mos t’i ngjiteshin me jerevitë e tyre (shndërruar pastaj në ngrehina të shëmtuara), qepur si kërmij paqësor këtij përbindëshi gjigand dheu 98 metra mbi nivelin e detit, atëherë ky vend do të ruante atë magjinë e tij. Poshtë vetes, ai ka sërish të gjithë Adriatikun dhe batërdinë urbane të durrsakëve të viteve të fundit, që qytetin më të madh arkeologjik të Shqipërisë e kanë kthyer thjesht në një zhguall betoni. Arkeologu Leon Hezey, kur u ngjit këtu pa “ende rrënojat e akropolit dhe mureve mesjetare të qytetit”, të cilat pjesërisht shquhen mbi sipërfaqe, 200 metra më poshtë dhe gjenden deri te e ashtuquajtura Torra Veneciane. Sot harroje.

Të ardhurit e pafund, prej veriut më së shumti, kanë pushtuar pikërisht këtë vend për të kundruar lindjen e diellit mbi qytetërimin e lashtë helen, të cilin e këqyrin poshtë këmbëve. Megjithatë këta ‘pushtues’ të ngjallin mëshirë, teksa ngjiten me dihatje, më së shumti gratë me veshjet e zonave të ndryshme duke mbartur trastat. Burrat heshtin me trishtimin e tyre. Shumë prej tyre janë të papunë. Rruga drejt qytetërimit të ri është udha drejt trishtimit të përditshëm, që i kujton se nuk janë të mirëseardhur. Si jetojnë??? Këtë as sociologët se dinë. Qytetarët durrsakë janë krejt indiferentë për kodër-vilën dhe, ca më shumë, për fatin e tyre, ndërsa dy pronarë të klubeve poshtë në rrugën ndanë bashkisë, as nuk kanë qenë ndonjëherë. “Çfarë do bënim aty”, na thotë njëri syresh krejt indiferent. 25 minuta më pas, kur ngjitemi afër vilës, një fëmijë atypari ngatërrohet mes nesh para një kioske. Dikush ka lënë emrin me karbon në një tjetër kioskë jeshile pranë.

Kemi kaluar vilën. Kioska e parë është sipër një pirgu, pak më tej murit të vilës, që ka hijen e objekteve horror në butaforitë e filmave. E ëma e fëmijës shërben në këtë kioske dhe e kontrollon nga kati i dytë i një apartamenti, që duket si mjedis plazhi, kur vjen dikush. Pakkush kalon. Çoroditjen tonë e menaxhon shpejt një burrë. Ka një fytyrë të vrenjtur si të gjithë të papunët. Nuk kemi bateri për aparatet, ndërsa burri nga Bulqiza e merr shtruar. Na fton në shtëpinë e tij. E merr baterinë dhe e vendos në karikim në hyrjen jashtë të derës. Nga kati i dytë, bisedën tonë e ndjek shitësja, kurse e shoqja as afrohet. Kanë veshje të thjeshta, por të pastra. Ai, vetë, është i papunë dhe jeton si të mundet?! Si? “Jetoj. Dal, sajoj ndonji gja. Kam punu do kohë në minierë”. Ka dy fëmijë. Si dy pika uji me skamnorët e tjerë, por shtëpia e tij, në katin poshtë shitëses, s’duket si e një të papuni. Është e pastër. E qetë. I kërkojmë një mundësi që të ngjitemi në vilën e Zogut. “Vila ka ndërruar roje, dhe tash nuk mund të hyj askush. Dikur ish një bashkëfshati i emi”. Një shtëllungë telash me gjemba, që vijon deri tutje në rrëpirë lindore të kodrinës e bën portën e vilës të papushtueshme. Askush s’duket përreth, por një sy vigjilent patjetër që duhet të jetë diku. Fëmija na thotë diçka.

Ashtu bëjmë. Roja duket kur e thërras, por është kategorik për jo. Që nga ’97-ta, Vila e humbi magjinë e saj dhe legjendën urbane të 101 dhomave. Soj e sorrollop, gjindje e paparë e zhveshi në atë mënyrë vilën, saqë kush e ka parë do ketë ndjerë realisht trishtimin e kombësisë. Por të shkuara të harruara, shqiptarët e harrojnë shpesh të bërën: me një varja… Vila është një mrekulli nëse do t’i afrohesh, strukur nën hijen e pishave, disi të degraduara e disi nazike prej rrëshqitjeve të shpeshta të tokës përreth. Dikur vendi njihej me emrin ‘Rinia’, kurse për durrsakët që s’lejoheshin ky vend mbeti gjithnjë Mali i Durrësit. Vilën e bujti pas mbretit, Hrushovi, Çu En Lai, Princi Sihanuk e pak të tjerë VIP-a, ndërsa ata që kundruan për herë të fundit interiorin e saj, ishin një grup parlamentarësh polakë, më ’97! Arkitekt Kristo Sotiri, i laureuar në Itali, dhe punësuar pranë Mbretëreshës Elisabeta Karmen Silva të Rumanisë, e projektoi në vendin ku mund të kundrohej Durrësi dhe t’i jepte të gjithë relaksin e nevojshëm njeriut që do pushonte aty. Vite më vonë, po ai, do projektonte po kaq bukur heronjtë e Durrësit, bash ata, që kishin qenë kundër Mbretit.

U konceptua me krahët e një shqiponje dhe mbaroi gati më 1936, kohë kur Zogu ishte në kërkim të ethshëm të bashkëshortes së tij me gjak blu. Mjediset e brendshme, tashmë të shkallmuara, por që ende e ruajnë atë zbukurimin e hijshëm, qoftë edhe me parketin e ngrënë; hapësirat e mëdha, të tjerat më të vogla, shumë intime; salla e madhe e pritjeve; kati i sipërm, që ish përshtatur për një pushim të vërtetë mbretëror dhe ballkonet me pamje nga deti; e tregojnë hapur se arkitekti e arriti detyrën. Të gjitha këto janë thjesht kujtim, kur shquan rozetat e vogla të shqyera, dyer e dritare krejt të munguara, pllakat e marra, pirgjet e vogla me mbeturinat, që kanë mbetur nga zhvatjet e ashpra. Më aventurierët kanë shkëputur dhe tavanin, dhe rimesimet, deri te dekoracionet më skajore, duke u marrë fashetat, kurse pajisjet hidraulike dhe ato të elektricitetit janë zhdukur deri thellë te foletë e tyre.

Duke u ngjitur nga sallat e mëdha në katin e parë dhe pastaj drejt e më sipër mjediseve më të vogla, të duket se vërtetë humbet aty. Dikush ka arritur të marrë edhe blloqet e mëdha të mermerit që kanë rampat, për të mos thënë xokolaturat e shkepura kudo, parketet e dëmtuara dhe shkarravinat e pafundmë ndër mure. Për vilën punuan ustallarë finë të huaj, madje një i tillë, italian, mbeti në Durrës dhe u largua me italianët e fundit që u riatdhesuan. Shumë vite më vonë, certifikatën e tij dhe të të birit të tij, do ua merrte i nipi, një ushtarak italian i regjimentit “San Marko”, që për ironi të fatit, ishte inkuadruar në trupat që shërbenin në Durrës.

Durrsakët kanë mbetur indiferentë për të, ndërsa vetëm fëmijët përpiqeshin dhe afroheshin deri tutje te reparti ushtarak. Vila u ndërtua me fonde shtetërore, kundrejt asaj legjende urbane që u përhap se u bë me paratë e tregtarëve durrsakë për mbretin e tyre. Legjenda, në fakt, mori udhë nga gazetat e të viteve 1926 dhe 1927, pra kur vila nuk ishte ndërtuar ende. Ekzistoi një nismë e një grupi tregtarësh për një gjë të tillë dhe për këtë u ngrit edhe një komision, i cili mblodhi një fond modest, që në fakt e bllokoi procesin e ndërtimit të Vilës. Peripecitë e saj duket se vazhduan, që kur shtëpia ishte në një truall që njihej me emrat e pronës së Esat Pashë Toptanit dhe familjes Xhumurteku. Këto i kanë mbetur të shkuarës. Largohemi...
 
Fari ...Marrim baterinë, ndërsa djali ka pushim në shkollë. Burri s’na ndihmon dot me vilën. Fari nga përtej është objekti i dytë, për të cilin ia vlen të ngjitesh. Të ardhurit i janë ngjitur ngultazi edhe atij. Ndryshe nga vila, ai është nënshtruar. Që nga tutje zbardhon me gati një ngjashmëri konstruksioni që i shkon Kullës së Inglizit në Shkodër. Megjithëse, rruga e tij tashmë vështirësohet nga shtëpitë që i janë ngjitur deri në majë dhe ushtarakët, të cilët kontrollojnë aty, duhet të kalojnë mes shtëpive. Një melodi Rock’and Roll, alla vite ’80 tund të gjithë majëzën e kodrës, poshtë farit, kurse një vajzë bionde brenda një shtëpie pa ndonjë element karakteristik ndërtimi, sorollatet krejt indiferente. Afrohemi në shtëpi, pasi shtymë edhe një gardh tjetër, kurse nga përtej një qen nuk pushon së lehuri.

I kërkojmë leje për një gjë që s’ka nevojë dhe ngjitemi. Jemi bash mbi bregun e Currilave. Në ditë të caktuar, njerëzit e marinës vinë aty, ndërsa tre dryna tepër të mëdhenj ruajnë Farin, që e kemi ndjekur vetëm në kujtime. Anash ka dhe vendstrehim të madh. Brenda hekurave që ruajnë derën ka të shkruar Ufficio Tecnico-Fari, La Spezia. Barishtet e harlisura dhe ferrat janë kudo, ndërsa është e vështirë që në këtë kuadrat të vogël natyror, që mban rrethuar Farin të mund të ecësh tamam. Në majë të farit, ndërtuar me një mur tetëkëndësh me frëngji vertikale të baraslarguara, qëndrojnë dy panele diellore, funksioni kryesor i të cilëve mbetet për të drejtuar anijet nga tutje.

Fëmijët e Durrësit dikur arratiseshin me ëndrrat e tyre pikërisht atje. Të tjerët dinin thjesht ekzistencën. Në qytet ka ende shumë syresh, që po t’i pyesësh, do të përgjigjen njësoj, se nuk janë ngjitur kurrë-ndonjë-herë aty. Po tek e fundit çfarë u duhet. Një çift i ardhur nga Fushë Kruja, në mos gaboj me dy fëmijë, qëndrojnë poshtë Farit. Kanë një shtëpi të thjeshtë që duket si vazhdim i shtëpisë së vajzës poshtë, që po dëgjon rock. Nuk na bezdisin. Janë këta brezi i ri i të pastrehëve, që s’kanë dashur t’ia dinë për asgjë. Ka pak histori këtu dhe, rrotullimit tonë, sikur të jemi në ndonjë Mekë, i ka ardhur fundi.

Pyesim rreth e rrotull, por asgjë. S’dimë. S’ka rreze. Ka dritë natën. Këtu e shikon dhe më qartë batërdinë. Të kodrës. Të Durrësit. Tonën. Vetëm se të pastrehët s’kanë dashur t’ia dinë shumë. Të gjithë, kundër të gjithëve. Fari është një nga pikat e fundit të paeksploruara për shumë njerëz, ndërsa një mik durrsak më kujton se e ka zbuluar në fëmijëri, kur mblidhnin për të shitur lulet e gjineshtrave, të cilat shiteshin deri vonë. Ka kaluar mesdita. Dielli ka filluar rrugëtimin pas. Një grua, mbledhur shaminë, sipas kostumit tipik dibran, ngjitet me dy çanta të mëdha. Një burrë, tejet, ka nxjerrë këmbët te një pemë dhe po merret me thonjtë. Nuk heq syzet e diellit dhe na hedh një vështrim inatçor... Burri, që na karikoi baterinë ngutet për poshtë. Është pranverë e vitit 2012.
         

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama