Durres Film nis me Mjalte

Durres Film nis me 'Mjalte'
Të shtunën në mbrëmje është çelur edicioni i katërt i Festivalit të Filmit në Durrës, “International Film Summerfest Durrës” në qytetin e Durrësit. Një natë ku emrat e mëdhenj shqiptarë takoheshin me ata botërorë, ku kinematografia përzihej me fashion, ku Amfiteatri Romak kishte vëmendjen e publikut artdashës, medias dhe personaliteteve të larta të vendit, një natë ku edhe kundërshtarët politikë pajtoheshin në një mendje: “T’i bashkohemi artit”!

Përpos emrave të mëdhenj që kanë mbërritur dhe pritet të vijnë në ditët në vijim në Durrës, prezantuesi i festivalit, aktori i madh Timo Flloko, la pushimet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për t’u ngjitur në këtë skenë e për të pritur aty figurat kinematografike. Nata e çeljes së festivalit përveçse prezantuese, ishte një natë ku u hap edhe sipari i dhënies së çmimeve. Pikërisht më 27 gusht, datë kur Aktori i Popullit, Vangjush Furxhi, bënte 10 vjet të ndares nga jeta, bashkëshortes së tij iu dorëzua Çmimi i Karrierës, nga regjisori Mihal Luarasi. Çmim që u parapri edhe me një insert të disa prej interpretimeve të mrekullueshme të Vangjushit. Moment që u shoqërua me copëza kujtime të Luarasit apo Fllokos, që me modestinë më të madhe tregoi para të gjithëve se “ishte një kohë që rolet që nuk merrte Vangjushi në film m’i jepnin mua”…

Të ftuarit

Drejtoresha artistike e festivalit, Anila Varfi, përveç përshëndetjes së rastit vlerësoi si një arritje të madhe prezencën në këtë festival të regjisorit legjendar Francis Ford Coppola, aktores yll të kinemasë italiane, Claudia Cardinale, regjisorit të shquar çek Jiri Menzel si kryetar i Jurisë Ballkanike, regjisorin dhe filozofin polak Kryzystof Zanussi,Lech Majeëski, producentin britanik Nick Powell si kryetar i Jurisë Ndërkombëtare, producenti dhe regjisori Jan Harlan, aktori Rade Serbedzija. Regjisori Kryzystof Zanussi u ftua në skenë, ku ai komentoi se “një vit më parë erdha në Shqipëri për të marrë një çmim dhe mendova se nuk do të vija më në Shqipëri, por ja që erdha sërish dhe këtë herë për të dhënë një çmim”… Festivali është përshëndetur edhe nga personalitete të vendit, si ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, kryetari i Bashkisë së qytetit Durrës, Vangjush Dako, apo edhe nga ambasadori i Turqisë në Shqipëri, Hasan S. Asan. Në këtë edicion të katërt pikërisht një vëmendje i është dhënë nga festivali filmit turk, që vjen në një seksion të veçantë të quajtur “Takime të ngushta”. Pikërisht filmi turk “Mjaltë” ka çelur edhe siparin e filmave dje në mbrëmje pas ceremonisë që zgjati 40 minuta.

Filmi “Mjaltë”

Filmi “Mjaltë”, fitues i Ariut të Artë në Berlinalen 2010 dhe i çmimit të Jurisë, është padyshim një nga filmat më të mirë në historinë e kinematografisë turke. Regjisori Semih Kaplanoglu është një nga autorët më të shquar të kinematografisë moderne turke. Me filmin “Mjaltë” ai ka arritur nga ana estetike dhe filozofike majën, duke mos i lë asgjë mangët mjeshtërve më të mëdhenj të kinematografisë. “Mjaltë” plotëson trilogjinë e Semih Kaplanoglu të titulluar “Yusuf”, e cila hulumton në retrospektivë jetën e një njeriu nga mosha madhore (Vezë) deri në adoleshencë (Qumësht) dhe deri në fëmijëri. Kaplanoglu na tregon jetën e egër në një pyll lart në male, përmes syve të një djali të vogël të mrekulluar nga puna e të atit si bletar. Mënyra si ngjit pemë shumë të larta, errësira dhe zhurmat e pyllit krijojnë një univers hipnotizues për të voglin Yusuf, ndërkohë që mëson të lexojë në vitin e parë të shkollës. Pas një kthese të fortë në jetën e tij, poezia la gjurmë të thella te Yusufi. Të tilla gjurmë do të lërë edhe te publiku ky film me madhështinë e tij poetike.

Emra botërorë në Jurinë e IFSD

Për të përzgjedhur fituesit e edicionit të katërt të Festivalit të Filmit në Durrës, është përzgjedhur një juri ndërkombëtare me emra të mëdhenj të fushës së kinematografisë e jo vetëm. Nick Powell,president i Jurisë, është producent dhe regjisor i Shkollës Kombëtare të Filmit dhe Televizionit. Ai ka mbërritur dje në mesditë në qytetin e Durrësit dhe është një privilegj i madh që është në këtë Festival. Krahas Powell në Juri është kineasti i mirënjohur shqiptar Kujtim Çashku, drejtor i Akademisë së Filmit dhe Multimedias “Marubi”, si dhe kompozitori me famë botërore Henning Lohner.

Juria e Ballkanit

President i Jurisë së Ballkanit do të jetë regjisori i filmit, teatrit, aktori dhe skenaristi Jiri Menzel. Përveçse një nga regjisorët më të shquar çekë të filmit dhe teatrit, është edhe aktor filmi dhe teatri. Jiri Menzel është nderuar me çmime karriere në mjaft festivale ndërkombëtare filmi në mbarë botën. Në vitin 2008 ai u nderua me Gladiatorin e Artë në këtë Festival. Në këtë juri do të jetë anëtar Katia De Vidas, regjisore, redaktore dhe kameramane në projekte të ndryshme, dokumentarë të shumtë muzikorë; si dhe shkrimtari, skenaristi dhe përkthyesi i mirënjohur shqiptar Nasi Lera.

Juria FIPRESCI

Për herë të parë në këtë festival është vendosur edhe Juria e FIPRESCI-t, me kryetare Sheila Johnston, themeluese dhe gazetare e “The Independent”, ku u mor me rubrikën e filmave për 10 vjet. Ajo ka shkruar për artet në gazetat “Daily Telegraph,“Evening Standard”, “The Times”, “Sight and Sound”, “New York Daily News, në revistën “Interview” dhe në shumë botime të tjera britanike dhe amerikane. Pjesë e kësaj jurie do të jenë edhe gazetarja shqiptare

Elsa Demo, e cila ka marrë pjesë në disa juri kombëtare dhe ndërkombëtare në festivale të filmit. Ndër të tjera është bashkautore me Ardian Klosin e dy antologjive letrare e dokumentare për jetën nën diktaturë në Shqipëri: “Shqipëria Kujton 1944-1991” dhe për prozën bashkëkohore “Shqipëria Tregon 1991-2010”. Gjithashtu dhe Mihai Fulger, gazetar dhe kritik kinematografie që jeton në Bukuresht të Rumanisë. Që në vitin 2002, ai ka botuar qindra shkrime për çështje të ndryshme të kinematografisë (kritika filmi, shënime festivalesh, profile regjisorësh, ese, intervista me producentë, recensione të librave kinematografikë) në botime të ndryshme kulturore dhe të përgjithshme .

Filmi i shkurtër

Një seksion i veçantë në këtë festival i është dedikuar edhe Filmit të Shkurtër të studentëve shqiptarë, të cilët do të vlerësohen nga një juri e përbërë nga Kristaq Mitro, regjisor i filmit artistik (Artist i Merituar) dhe anëtar Zamir Kokonozi.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama