Dua ti tregoj botes dhimbjen e popullit tim

'Dua t'i tregoj botes dhimbjen e popullit tim'

Soliste me kohë të plotë në “DeutscheOperBerlin”, në Gjermani, vajza nga Mitrovica, sot soprano lirike, më tepër sesa rrugën e suksesit në vazhdim, rrëfen përmes kësaj interviste këmbënguljen e njeriut që ka për t’i shpërfaqur diçka të rëndësishme botës mbarë, edhe pse ka kaluar përmes luftës së Kosovës. Pjesë e një familjeje 9-anëtarëshe, sot ajo është zëri që parapret role të mëdha, por në kohën e duhur. Nxitje për këtë intervistë bëhet fitorja e saj e trefishtë në konkursin “Riccardo Zandonai XXII” në Riva del Garda, Itali, fitore kjo me të cilën sopranos i janë hapur të tjera dyer, përtej Evropës.

Ç’do të thotë të jesh pjesë e një familjeje të madhe?

Të jesh pjesë e një familjeje të madhe, me shumë motra e një vëlla, do të thotë lumturi e pakufi... Do të thotë të jesh i rrethuar me shumë dashuri, të ndash çdo gjë me më të dashurit, të marrësh përkrahje, të jesh gjithmonë e mbrojtur! Ata gjithmonë kanë besuar shumë tek unë dhe, duke qenë se jam fëmija i parë në familjen time, unë jam shembull për motrat dhe vëllanë tim! Ata kanë qenë gjithmonë duartrokitësit më të flaktë në paraqitjet e mia në Kosovë! Prindërit e mi janë ata që kanë sakrifikuar shumë që ne të shkollohemi, që të ecim përpara!

Si ka kaluar fëmijëria në Mitrovicë? Si ka ndikuar në formimin tuaj?

Fëmijëria ime në Mitrovicë! Ka qenë pak a shumë fëmijëri, jo mirëfilli e tillë! Duke qenë se kam jetuar luftën në Kosovë në moshën 7-vjeçare, nuk mund të them se kam pasur fëmijëri të lumtur, plot lojëra me kukulla. Kur jemi kthyer nga lufta s’kemi pasur asgjë para vetes. Çdo gjë ka qenë e shkatërruar. Unë kam qenë krah i djathtë i babait tim, i kam ndihmuar në çdo gjë! Më pas, kur fillova shkollimin, kam mësuar shumë gjatë gjithë kohës, kam ndihmuar prindërit, gjithashtu. Mund të them se nuk kam qenë fëmijë i atillë që ka luajtur shumë me shoqe, por ndonjëherë, ndoshta, edhe po, në shkollën fillore. Pavarësisht gjithçkaje, luftës në përgjithësi, kam pasur fëmijëri të "këndshme". Por, vlen të them se qysh në fëmijëri kam qenë shumë e kujdesshme, shumë ambicioze për të arritur diçka të rëndësishme në jetë!

A mund të veçoni ndonjë ngjarje të rëndësishme që ka lidhje me luftën në Kosovë, fqinjësinë e vështirë me serbët?

Hmmm!... Epo, ngjarje e dhimbshme e që na i ka copëtuar zemrat ka qenë momenti kur serbët janë futur në shtëpinë tonë, kanë djegur gjithçka dhe ne na kanë kërcënuar me vdekje e na kanë larguar nga vendi ku kemi lindur!

E dhimbshme, por kjo është e rëndësishme të thuhet...

E di... Por jam e lumtur që, ngadalë, do të bëhem dikush e do t’i tregoj botës vuajtjet që ka pasur populli i Kosovës gjatë luftës e, sidomos, ne, fëmijët! Për mua është me rëndësi të rritem profesionalisht dhe t’i tregoj mbarë botës gjithçka të bukur që unë kam brenda vetes: talentin, punën, pasionin të cilin dua ta ndaj me gjithë botën! E ndiej për t’iu rrëfyer botës, sepse mendoj që shumë pak dinë për ato se çfarë kanë ndodhur në vendin tim! E ndiej t’i tregoj botës që një fëmijë nuk harron kurrë ato që përjeton në luftë!

Çfarë përjeton një fëmijë që, fatkeqësisht, është dëshmitar i një lufte?

Përjeton ëndrra mjaft të këqija shumë shpesh dhe ka frikën që, nëse një gjë e tillë do të ndodhë dhe një herë, nuk do t’i shpëtojë dot! Rritet para kohe dhe nuk ka fëmijëri të qetë, me lule e kukulla a lojëra!

E më pas, si u rehabilituat dhe nga erdhi shkëndija për t'u përfshirë në fushën operistike?

Rehabilitimi nga ngjarjet e luftës është vështirë të arrihet ndonjëherë, ajo është diç që ka mbetur si pikë në zemrën time! Kur kam filluar studimet e kantos në shkollën e muzikës “Tefta Tashko” në Mitrovicë, kam filluar të mësoj ngjarjet që përmbajnë operat, kam filluar të këndoj arie që kanë përmbajtur dhimbje, por edhe lumturi, ato i kam përqasur në zemrën time me ato që mbaj brenda vetës, si gëzimin, si dhembjen dhe ashtu e gjeta ndoshta edhe mënyrën e të shprehurit për çdo gjë që përmbaj. Dalja në skenë për mua është rehabilitimi më i mirë...

Arsyeja e intervistës së sotme lidhet me konkursin në Itali që ju keni fituar. Çfarë rëndësie përbën kjo për ju dhe çfarë dyersh ju hap në karrierën tuaj të re, por premtuese tashmë?

Çdo konkurs i fituar jashtë vendit ka rëndësi të madhe, sepse të jep mundësi të paraqitësh punën tënde para njerëzve kyç që merren me këtë drejtim! Unë vitin e kaluar kam fituar çmimin e parë në konkursin operistik në Sarzana të Italisë, çmimin e parë absolut të titulluar "Spiros Argiris". Që nga ai konkurs unë kam dy menaxherë që merren me mua e punën time tani! Kurse konkursi që fitova tani, më ka hapur rrugë edhe jashtë Evropës e kjo do të thotë shumë për një këngëtare lirike!

Veshja juaj, kuqezi, gjatë paraqitjes, ka qenë e qëllimtë apo e rastësishme?

Jo, nuk ka qenë e qëllimtë. E kam veshur ashtu, sepse mendoj se është kombinim shumë i bukur. Në profesionin tonë nuk është se merren me çështjen e flamurit ose çështjet politike shumë! Unë brenda zemrës e kam ndier se çfarë kombinimi kam bërë, por nuk e besoj që të tjerët aty ta kenë marrë me atë mënyrë!

A janë të shumta koncertet ku keni marrë pjesë dhe a mund të veçoni ndonjërin?

Paraqitjet e mia që prej kur kam filluar nuk i mbaj mend në numër. Kam pasur shumë paraqitje me Filarmoninë e Kosovës si soliste, kurse, që kur jam bërë pjesë e “DeutscheOperBerlin” kam pasur gjithsej 57 shfaqje, do ta veçoj këtu paraqitjen time në Filarmoninë e Berlinit si shqiptarja e parë që ngjitet në atë skenë më 1 tetor 2014. Jam paraqitur në Kroaci, Austri, Itali, Shqipëri, Maqedoni e shumë vende të tjera.

Cilat janë çmimet që keni fituar përgjatë karrierës suaj operistike?

Çmime ndërkombëtare që kam marrë janë gjithsej 6. Dalloj dy konkurset: atë në Sarzana dhe në Riva Del Garda. Kurse në Kosovë veçoj çmimin e parë në festivalin “Kënga më e bukur për flamur” në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, këngë e kompozuar nga Mendi Mengjiqi, por që, edhe pse iu dha çmimi i parë, nuk iu dha rëndësi aq sa duhej!

Ç’nënkuptoni me rëndësinë e munguar?

Siç duket, organizatorët e këtij evenimenti nuk u ndanë të kënaqur me vlerësimin që bën të tria juritë: ajo nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria dhe unë si fituese nuk u përmenda askund në media, por edhe kënga, sapo u vu në “youtube”, u largua edhe prej andej. Kënga fituese do të duhej të interpretohej në koncertin e madh të 100-vjetorit në Tiranë, por unë dhe profesori im, Mendi Mengjiqi, u lamë mënjanë dhe askush nuk na përfshiu ne në këtë koncert!

Rolet më të rëndësishme që keni luajtur dhe ato që i keni pikësynim për t’u arritur domosdoshmërisht?

Deri tani unë jam përfshirë në “DeutscheOperBerlin”. Përpiqem të mos eci me hapa të mëdhenj në karrierën time, sepse duhet të kem kujdes zërin dhe çdo rol që kam realizuar ka rëndësinë e vet të veçantë. Kam realizuar, Frasquita te “Carmen”, Gianneta te “L’Elisir D’amore”, Papagena te “Zauberflöte”, Hirt te  “Tannhäuser”, Bianca te “La Rondine” etj. Por ato që synoj e që i kam në kontratën time vitin e ardhshëm janë Pamina nga opera “Zauberflöte”, Innes nga opera “L’Africanerin”, “Lucia di Lammermoor”, si dhe priten marrëveshjet për në Brazil dhe në Korenë e Jugut që do ta bëj publike shumë shpejt!

Jeni shprehur: "Dikur, kur të kem sukses, do t`ua siguroj prindërve një vizë dhe do t`i ul në rreshtin e parë të sallës së operës"? A ka ardhur ajo kohë?

Më duhet edhe pak kohë. Për arsye ekonomike dhe familjare, si fillim, besoj të kem pranë tim atë gjatë performancave të Paminës. Më pas, edhe pjesën tjetër të familjes.

Ju jeni familja tipike shqiptare, e lidhur ngushtë brenda saj. Personalisht, bëni përjashtim? A ndaheni në këtë pikë me traditën?

Unë kam shumë respekt për traditat që ne kemi... Por, të them të drejtën unë ndoshta ndahem pak për vetë faktin që jetoj larg, kam një jetë tjetër, profesioni im është ndryshe... Domethënë, unë jam e ndarë tashmë nga tradita, sado që mundohem ta mbaj ndonjëherë, por varet edhe se çfarë perceptohet si traditë.

Po me Shqipërinë, çfarë ju lidh?

Me Shqipërinë më lidhin kujtimet përgjatë luftës, atëherë kur gjetëm shpëtim atje. Jetuam disa ditë në Kukës, Fushë-Krujë e Durrës! Më lidh shumë edhe miqësia e madhe që kam me Ermonela Jahon, e cila vjen prej Shqipërisë dhe që së bashku me Vera Calabria-n janë dy njerëzit kyç që i dhanë drejtim tjetër jetës sime e të cilave u jam falënderuese gjithë jetën. Verën, e cila organizoi audicionet në operat më të njohura në Gjermani dhe Ermonelën që, pa përtesë, punoi shumë me mua, në mënyrë që të paraqitem sa më profesionale në këto audicione.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama