Driteroi Ne e shkrime Akademine tani na sulmojne maqedonasit qe jane shtet pa emer

Dritëroi: Ne e shkrimë Akademinë, tani na sulmojnë maqedonasit që janë shtet pa emër
Sipas Agollit ky botim, nuk është gjë tjetër, veçse një shtrembërim i historisë, shqiptare dhe asaj ballkanike. Historia dhe arkeologjia ofrojnë të tjera dëshmi, që hedhin dritë mbi autoktoninë e shqiptarëve në trojet e tyre në Kosovë e Maqedoninë e sotshme. Sipas tij, Maqedonia është një shtet i krijuar shumë vonë nga Fuqitë e Mëdha dhe ende nuk ka zgjidhur problemet e identitetit dhe emrit të vet.Z. Agolli, para pak ditësh, Akademia e Shkencave të Maqedonisë ka botuar një enciklopedi, ku cenohet historia shqiptare, cili është mendimi juaj për këtë çështje?

Padyshim që është një shtrembërim i qëllimshëm i historisë, jo vetëm i asaj shqiptare, por i gjithë historisë së Ballkanit. Kjo enciklopedi është në vazhdën e "traditës" së historianëve dhe shkrimtarëve serbë, të cilët gjithnjë kanë shkruar dhe folur keq për shqiptarët, sigurisht për qëllime ideologjike dhe politike. Botimi i kësaj enciklopedie, me të tilla shtrembërime, është një fyerje për shtetin shqiptar. Duhet thënë se ne kemi pasur gjithnjë marrëdhënie të mira me Maqedoninë, jo vetëm që nuk i kemi fyer ata, por edhe i kemi mbështetur. Ne kemi qenë të parët që e njohëm shtetin e tyre, kur Maqedonia u shkëput nga ish-Jugosllavia. Pikërisht këtë fakt, ata duhet ta kishin marrë parasysh dhe të mos arrinin deri në fyerje.

Si do ta vlerësonit "punën" e historianëve maqedonas?

Ata nuk kanë marrë parasysh asnjë fakt historik. Siç dihet, që në shek. VIII para Krishtit, në Kosovë dhe në Maqedoninë e sotshme kanë qenë Dardanët, një fis ilir, paraardhës të shqiptarëve. Madje, ata në këtë periudhë dhe në vijimësi, fillojnë të ndërtojnë atje qytetet e tyre, të cilat në shek. III para Krishtit, pra përpara dyndjeve sllave, ishin të organizuara në formën e kalave, apo të kështjellave. Madje ata kryeqendrën e tyre kishin pikërisht Shkupin. Ndërsa më vonë, në shek. VI pas Krishtit, Perandori Justiniani I, i cili ishte me origjinë shqiptare, ndërtoi rreth Shkupit edhe disa qytete të tjera dhe rezulton që në shek. XI e më tej në shek. XV, e gjithë Maqedonia Perëndimore ishte e banuar krejtësisht nga shqiptarë, gjë që bie ndesh me "tezat" maqedonase, sipas të cilave shqiptarët "kanë zbritur nga malet dhe kanë pushtuar Maqedoninë". Përkundrazi, ata kanë luftuar kundër dyndjeve sllave, që u vendosën në trojet e tyre.

Përse i shërben Maqedonisë ky "sulm", pikërisht në këto momente?

Mesa duket Maqedonia do të shmangë problemet e veta, si një shtet i krijuar shumë vonë nga Fuqitë e Mëdha. Është një shtet që nuk ka një identitet të vetin dhe kjo është arsyeja pse sulmon identitetin e kombeve të tjera. Momentalisht dihet se Maqedonia ende nuk ka zgjidhur çështjen e emrit të vet. Megjithatë ky problem nuk na shqetëson edhe shumë, pasi kemi përvojën e historianëve serbë, nxënës të së cilëve janë edhe historianët maqedonas, të cilët janë duke ndjekur rrugën e tyre.

Duke qenë se Enciklopedia është një botim i Akademisë maqedonase, cili duhet të jetë reagimi i Akademisë shqiptare të Shkencave?

Akademia jonë duhet të reagojë në mënyrë zyrtare. Kryesia e Akademisë së mbetur duhet të bëjë një protestë zyrtare ndaj këtij shtrembërimi. Po kështu edhe nga ana e Ministrisë së Jashtme, pasi tezat maqedonase janë tërësisht absurde. Si është e mundur që ata i konsiderojnë shqiptarët "endacakë" të zbritur nga malet, por në të njëjtën kohë të aftë të pushtonin viset e tyre. Kaq të dobët paskan qenë maqedonasit sa të tremben nga një kërrabë dhensh? Nga ky rast dalim edhe njëherë në përfundimin se akademitë nuk janë të tepërta, siç u fol disa vjet më parë. Akademia e Shkencave u konsiderua e tepërt, që duhej shpërndarë nëpër universitete... Ndërkohë që vendet përreth nesh si Maqedonia, Serbia e Greqia kanë akademitë e tyre dhe i ruajnë. Ndërkohë neve na vjen hidhur nga sulmet e tyre, por nuk duam të kemi akademi, i nxjerrim akademikët në pension, i ndajmë me mosha, në një kohë që akademiku nuk është si një shkrimtar, apo poet, i cili mund të bëhet edhe 20 vjeç. Një akademik duhet të akumulojë një kulturë shumëvjeçare për t'u formuar. Ndaj Akademia e Shkencave duhet organizuar mirë dhe duhet të përcaktojë saktë strukturën e saj, cila pjesë do t'i kalojë universiteteve dhe cila duhet t'i mbetet akademisë.

LSI: Enciklopedia, e manipuluar e jorealiste

Lëvizja Socialiste për Integrim reagon pas publikimit dy ditë më parë të Enciklopedisë së Maqedonisë nga Akademia e Shkencave të vendit fqinj. Gjatë një konference për shtyp, Edmond Haxhinasto, kryetar i Komitetit Drejtues Kombëtar, tha se dokumenti i paraqitur ka pasaktësi historike. "Në emër të LSI-së shpreh keqardhjen për përmbajtjen e Enciklopedisë së Republikës së Maqedonisë, e cila paraqet pasaktësira historike për prejardhjen e shqiptarëve dhe për figura të rëndësishme të historisë së tyre. Një reagim i tillë do të ishte i panevojshëm nëse kjo Enciklopedi nuk do të ishte botim i Akademisë së Shkencave të Republikës së Maqedonisë, një institucion shtetëror i saj", tha Haxhinasto. Ai theksoi se përcaktimet jo shkencore që janë parashtruar në këtë enciklopedi nuk i shërbejnë të vërtetës, duke shtuar se këto qëndrime janë të manipuluara nga politika. Zyrtari i lartë i Lëvizjes Socialiste për Integrim theksoi se këto qëndrime bien ndesh me bashkëjetesën mes kombeve dhe vijnë kundër aspiratave të tyre për integrimin në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

"Ne vlerësojmë se përcaktimet jo shkencore dhe arkaike të kësaj enciklopedie, nuk i shërbejnë as historisë, as të vërtetës, as kompleksit për të errësuar apo ngritur identitetet e kombeve. Këto qëndrime janë manipulime politike dritëshkurtra, të cilat rrjedhin në kah të kundërt me frymën e harmonisë e bashkëjetesës midis kombeve dhe rrymat e integrimit të kombeve të rajonit mes tyre dhe në strukturat Euro-Atlantike", tha Haxhinasto. "Ne urojmë që kundër këtyre qëndrimeve të shprehet vetë shoqëria maqedonase, për të treguar pjekurinë e saj dhe respektin për shqiptarët si pjesë shtetformuese e Republikës së Maqedonisë", vlerësoi më tej përfaqësuesi i LSI-së. Enciklopedia e Republikës së Maqedonisë u kritikua ashpër që në ditën e parë të publikimit të saj, nga studiues të së dyja vendeve, duke e cilësuar atë si të manipuluar dhe aspak të vërtetë. Reagojnë shqiptarët e Maqedonisë

Shqiptarët e Maqedonisë shprehen të fyer me përmbajtjen skandaloze të Enciklopedisë së parë të Maqedonisë, të promovuar ditë më parë nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, në të cilën akademikët maqedonas paraqesin shqiptarët si të ardhur nga Shqipëria, dhe uzurpues të shtëpive maqedonase. Lëvizja Qytetare "ZGJOHU!" në reagimin e saj vlerëson se veprimet e vazhdueshme të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë krijojnë përshtypjen që detyra e vetme e këtij institucioni është që të funksionojë si laborator për përvetësimin e figurave historike shqiptare, falsifikimin e historisë, në veçanti asaj të popullit shqiptar, si dhe të shpërlajë trurin e popullit të vet. "ZGJOHU!" shpreh dyshimin se projektet e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë përpilohen në Beograd dhe kanë qëllime djallëzore. Fier, protestë kundër enciklopedisë

FIER - Pas publikimit të enciklopedisë maqedonase dhe cilësimet e bëra në të për shqiptarët, ka reaguar edhe shoqata për integritet kombëtar. Përfaqësuesi i saj në qytetin e Fierit, Kristaq Ziu ndër të tjera është shprehur se shqiptarët duhet të ngihen për të luftuar për flamurin e tyre, pasi Shqipëria nuk mund të ketë më shumë se një flamur dhe se ai mban ngjyrat e kombit shqiptar. Në shenjë proteste, në qendër të qytetit të Fierit ishin vendosur 5 arkivolë, me emrat e 5 heronjve të Vigut. Sipas Ziut, pikërisht këta heronj kanë luftuar për të drejtat e kombit shqiptar, të drejta këto të nëpërkëmbura në këtë enciklopedi. Ziu ndër të tjera ka thënë se në këtë mënyrë, vendit tonë nuk i vjen asnjë ndihmë për t'u futur në strukturat evropiane. "Të gjithë shqiptarët duhet të kontribuojnë që nderi i shqiptarëve të mos shkelet me këmbë. Të mëdhenj e të vegjël duhet të mblidhen për të luftuar këtë padrejtësi", ka vijuar ndër të tjera Ziu. Veprimtaria në fjalë është zhvilluar në qendër të qytetit të Fierit dhe ka tërhequr vëmendjen e kalimtarëve. m.r .



Panorama

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama