Dritero Agolli Pse sjam dakord me Qosjen dhe Kadarene

Dritero Agolli: Pse s'jam dakord me Qosjen dhe Kadarene

Tek pragu i shtëpisë së shkrimtarit të njohur Dritëro Agolli, të pret bashkëshortja e tij, Sadija, e cila, me bujarinë tipike të shkodranes, të fton që të futesh brenda. Në dhomën e mbushur me pikturat e dhuruara nga artistët, qëndron i ndezur një televizor plazma, që bën kontrast me orenditë e vjetra të shtëpisë. Përveç punës së përditshme, të hedhjes në letër me anë të makinës së shkrimit, çifti Agolli kalon kohën duke ndjekur aktualitetin politik, kulturor dhe social të vendit përmes televizionit.

Për gjithçka kanë një mendim të tyrin, gati në sinkron të plotë me njëri-tjetrin. Çifti Agolli i kthehet kohës së artë, kur kalonin ditë dhe netë të gëzuara me miq të veçantë që i vizitonin. Rugova, Azem Shkreli, Ali Podrimja, janë disa prej të shumtëve që ishin të ftuar të çiftit. Por edhe akademiku i shquar kosovar Rexhep Qosja. Për të gjithë e ka një vlerësim, por edhe vërejtje, siç është debati që rindizet herë pas here mes Qosjes dhe Kadaresë, lidhur me pushtimin osman, çfarë solli dhe mori ai dhe pse Shqipëria është pjesë e Perëndimit.

Si ishin takimet me akademikun Rexhep Qosja?

Herën e fundit u takuam kur morëm medalje nderi nga Presidenti i Republikës. Qosja duhet të jetë një pikë referimi për studiuesit e rinj. Mendimet e tij të hedhura në letërsi dhe në albanologji, janë të pakrahasueshme dhe të paarritshme. Dhe mendimet që ai jep për aktualitetin janë të qëlluara. Është këshillues i mirë. Edhe kur flet dhe jep këshilla për ngjarje dhe situata politike është racional, dhe për më tepër i thotë me një leksik të pastër gjuhësor dhe letrar. Duhet të dëgjohen mendimet e tij, është një intelektual që nuk e ndesh shpesh. Është një njeri që i ka dhënë shumë Shqipërisë, veçanërisht trevave të Kosovës, me veprën e tij të madhe.

Jo vetëm veprën që analizon traditat tona, rilindësit etj, por edhe me polemikat e tij të forta me serbët, me historianët e tyre, me shkrimtarët e huaj, jo vetëm të Ballkanit. Ka qenë në krye, në fillim të viteve ’80-të, edhe më përpara, të kësaj polemike. Rexhep Qosja, është një njeri me përvojë të madhe dhe një njeri me kulturë të gjerë. Është personalitet, që çdo komb tjetër po ta kishte, do të krenohej me të. Sado që të hidhet baltë mbi këto personalitete të larta të kulturës sonë, nuk kanë çfarë t’i bëjnë. Nuk mbulohet Mali i Sharrit, me një grusht dhe.

Po Kadareja?

Edhe Ismail Kadare është një personalitet i dalluar. Veprat e tij kanë folur për ‘të më shumë se kushdo. Ai është një përfaqësues i denjë i vendit në botë. Ndërsa sa i përket kritikave ndaj tij unë jam i mendimit që asnjë kritikë nuk mund të dëmtojë imazhin e tij. Kadareja nuk mund të dobësohet nga kritikët e ndryshëm. As Qosjen dhe as Kadarenë nuk e dëmtojnë kritikat, nga kushdo që të vijnë ato. Janë personalitete të shquara të kombit. Veprat e tyre kanë mbetur pjesë e kulturës sonë dhe ne duhet t’i vlerësojmë dhe t’i lartësojmë ato.

Z.Agolli çfarë mendimi keni për debatet mes akademikut Qosja dhe shkrimtarit Kadare?

Në këtë debat nuk jam dakord as me Qosjen e as me Kadarenë. Ose jam dakord me të dy, sepse dhe Qosja ka të drejtë kur ngulmon se shqiptarët kanë marrë dhe përfituar shumë nga 500 vite të sundimit otoman, siç kanë pasur dhe shumë pasoja nga prapambetja që na ka lënë pushtimi i tyre. Po ashtu dhe ngulmimi i Kadaresë se ne duhet të shohim drejt Perëndimit është i drejtë, aspiratë e hershme e shqiptarëve, që u nis nga princat shekuj më parë. Por nga ana tjetër nuk mund të kemi kompleks veset dhe zakonet që kemi marrë nga bashkëjetesa e detyrueshme me sunduesit otomanë dhe nga të gjithë popujt e tjerë.

Popujt vazhdimisht kanë marrë nga njeri-tjetri. Lindja nuk është krejt zi. Ka vlera pa fund dhe ne disa prej tyre i kemi marrë. Pastaj ne kemi vlerat tona. Një shqiptar, siç thoshte dhe Konica, edhe po të jetojë në Perëndim për shumë vjet, dallohet që është nga vendi i shqipeve në mënyrën se si ecën duke u tundur nga pak. Sikur ndjek ritmin e daulleve të valleve të burrave. Ne identifikohemi kollaj. Kemi identitetin tonë dhe duhet ta ruajmë me fanatizëm. Nga ana tjetër e kam thënë edhe më herët, që kjo polemikë i dha rezultatet e saj, sepse u diskutua për disa probleme tepër të ndërlikuara, megjithë përdorimin e gjuhës edhe jo të këndshëm, të atyre që ndërhynin në këtë polemikë dhe që ishin tepër të ashpër.

Të ndërhyrjeve të të tjerëve e them, jo të dy personazheve, që e diskutuan këtë gjë. Ne duhet të mësohemi të diskutojmë në mënyrë letrare dhe të mos imitojmë politikanët në debate nëpër kuvende. Sepse, politikanët flasin me gjuhë tepër të ashpër, tepër ofenduese. Kurse shkrimtarët, duhet të flasin më me gjakftohtësi, më me argumente dhe pa u nxehur. E kam thënë dhe me një intervistë më herët që shkrimtari veprën e tij kur e nxjerr në botim, ose kur hedh një shkrim në shtyp për diskutim, ajo që shkruan nuk është më pronë e tij.

Ajo është pronë e të gjithëve. Nuk është pronë, që ta mbrojë medoemos ai. E mbron lexuesi. Kushdo mund të reagojë dhe të përfshihet. Çdokush ka të drejtë të thotë atë mendon për atë. Edhe rilindësit tanë edhe pas kaq vitesh komentohen. Një pjesë e vogël edhe mund t’i kritikojë por janë lexuesit e tjerë që i dalin në mbrojtje. Kështu që, mendoj se duhet të ndryshojë mënyra dhe stili i polemikave tona.

Dritëroi: Ishte vera më e vështirë që kemi kaluar

Dritëro Agolli thotë se bashkë me sadijen janë të detyruar të nisin dhe mbyllin ditën me njëri-tjetrin. “Preokupimi ynë i përditshëm, siç po e shihni, është shëndeti. Jemi të ngujuar. Gjendja shëndetësore na ka bërë të strukemi në shtëpi”-thotë shkrimtari që prej disa dekadash banon në katin e katërt, të një pallati të vjetër, afër qendrës së Tiranës. “Këtë verë, për herë të parë, nuk lëvizëm dot për në Tushemisht dhe mezi e kemi përballuar vapën. Atje është freskët dhe kalohet kollaj vapa. Ishte një nga verat më të nxehta dhe më të vështirat që kemi kaluar.

Sadija gjithë ditën merret me mua. Është e përkushtuar dhe e lidhur me gjendjen time, siç ka qenë gjithë jetën. Por këto kohë gjendja ime e ka e munduar. Më duket sikur e kam lodhur, edhe pse ajo kurrë nuk ankohet. Ndërsa pjesën tjetër të ditës Sadija merret me punët e shtëpisë. Një pjesë të kohës na e zë dhe biseda që bëjmë, duke kujtuar të kaluarën tonë. Kemi episode të bukura. Pastaj janë miqtë që na kujtojnë dhe kjo na bën të ndjehemi të lumtur. Pastaj, në orare të caktuara të ditës, kur Sadija më heq oksigjenin, presim ndonjë të afërm të familjes. Po ashtu gjatë këtyre ditëve jemi marrë me përmbledhjen e librit që kemi në dorë. Të shkruar së fundmi”-thotë Dritëroi.

Sadije Agolli, që i qëndron prej vitesh afër të shoqit, e ndihmon, veç të tjerash, edhe për të vijuar krijimtarinë letrare. “Dritëroi nuk arrin të shkruajë dhe na duhet që të përfshihemi të dy. Në fillim i kemi shkruar në letër dha tani jemi në fazën e shkrimit në letër me makinë shkrimi. Kjo do kohën e vet. Ia rilexoj Dritëroit, para se t’i shkruaj. Është proces i ngadaltë dhe na merr një pjesë të mirë të ditës”-thotë Sadija.

Dritëro Agolli: Miqtë që bënë konak në shtëpinë tonë

Netët e gëzuara me shkrimtarët, poetët dhe politikanët. Vlerësimi për figurat e Kosovës, nga Rugova, Ali Podrimja, Azem Shkreli, deri te Albin Kurti.

Z.Dritëro, thatë se shtëpia juaj ka qenë një derë e hapur për miqtë…?

Gjendja e rënduar shëndetësore më ka detyruar që të mos pres dhe aq shumë miq sa dikur. Por ngrohem kur dëgjoj nga Sadija se mori filani në telefon dhe na dërgoi të fala. Është kënaqësi kur dëgjon se njerëzit kujtohen për ty. Sidomos në këtë moshë. Na marrin të njohur, artistë të ndryshëm, shkrimtarë nga të gjithë trojet e deri te njerëzit e thjeshtë që nuk i njohim. Na vjen keq që nuk i ftojmë në konakun tonë të gjithë për shkak se gjendja ime e rënduar na pret hovin dhe dëshirën. Ne jemi mësuar që shtëpia jonë të jetë plot. Këtu kanë bujtur miq nga të gjithë trojet. Mikpritja e mikut është dhe ka qenë një nga zakonet më fisnike të të gjithë krahinave. Ne e kemi trashëguar. Dhe në familjen e Sadijes, shtëpia ishte gjithmonë plot dhe me miq.

Me çfarë e prisnit mikun?

Sadija na bënte hyzmet (shërbim) dhe pastaj uleshin të gjithë duke kuvenduar. Pinim ndonjë gotë dhe kemi kënduar deri vonë me disa prej miqve që kanë kemi pasur nderin t’i kemi në shtëpi. Disa prej tyre nuk janë më. Me Poradecin, Petro Markon, Fatos Kongolin, kemi ndarë pafund kohë në shtëpitë e njëri-tjetrit. Nuk shkulen nga mendja miqtë e mirë. Edhe shkrimtarët jashtë Shqipërisë zyrtare i kam patur miq në shtëpi. Ali Podrimja, vigani i poezisë shqipe, ka qenë disa herë. Edhe publicistin Ramiz Kelmendi e kam mik të mirë. Gëzohem kur përmendet shpesh edhe emri i Azem Shkrelit në media. E kam pasur mik të ngushtë. Një javë para se të vdiste, ishte te unë në shtëpi. Azem Shkreli, ka qenë edhe përpara dhe ka fjetur në shpinë time afro 10 ditë, bashkë me Ali Podrimjen. Tani që po e mendoj, edhe i ndjeri Ibrahim Rugova ka fjetur në shtëpinë tonë. Të shumtë kanë qenë personalitetet që kemi pasur mundësinë t’i kemi mysafirë.

Cilin nga politikanët e brezit të ri vlerësoni?

Albin Kurtin. Është një djalë i guximshëm dhe i përgatitur. E kam ndjekur dhe më ka lënë mbresa. Më pëlqen vizioni që shfaq dhe mënyra se si flet. Është i thjeshtë dhe unë jam i mendimit se politikanët duhet të jenë të thjeshtë, të gjithë njerëzit e mëdhenj që kanë lënë gjurmë kanë folur thjesht. Janë argumentet ato që triumfojnë. Dhe kam parë që në çdo debat dhe përballje nuk i mungojnë argumentet.

Rugova kishte kulturë të gjerë, por jo informacion për Kosovën

Si ishte Rugova?

Atë e kam njohur qysh herët. Ishte njeri i urtë, dhe shumë i mendueshëm kur fliste. Në çdo takim që kam pasur, kemi diskutuar për çështjen shqiptare, por dhe letërsinë në përgjithësi. Njihte letërsinë botërore, franceze dhe atë ballkanase. Kishte kulturë të gjerë. Dinte të dëgjonte dhe kjo ishte një armë e fortë e tij. Disa herë që e kam takuar kemi diskutuar, përveç letërsisë, edhe për situatën në Kosovë. Më ka treguar shumë gjëra për Kosovën e asaj kohe. Nuk kishte shumë informacion se çfarë po ndodhte në Kosovë dhe pse unë vazhdimisht kam pasur takime me shkrimtarë të Kosovës dhe më njoftonin.

Kisha merak situatën atje, por e dija se djemtë e UÇK-së do ta çlironin. Tani kënaqem kur shikoj në televizion ndonjë emër të ndonjë personaliteti që njoh në Kosovë. Disa prej tyre kanë shkelur në shtëpinë time, dhe sot janë në poste drejtuese. Por ajo që më shqetëson janë ngjarjet e fundit që po ndodhin. Po na tregonte një mik që kemi në Skënderaj, se ata që luftuan, nuk kanë vepruar siç duhet në politikë. Në atë kohë më pëlqente entuziazmi i tyre, por sot në politikë kur dëgjoj se disa prej tyre kanë bërë dhe gabime nuk më vjen mirë. Nuk duhet të kishin shkelur mbi idealet e dikurshme. Rasti i Gjykatës Speciale është një nga gabimet e fundit. Nuk duhej ta mbështesnin këtë Gjykatë, ata që bënë luftë të pastër për lirinë e popullit. Shqiptarët nuk kanë bërë asnjëherë krime ndaj popujve të tjerë.

Agulli i përkthyer në botë

Shkrimtar i madh i një “gjuhe të vogël”, ai është po aq i dashur prej lexuesve bashkëkombas, sa dhe në metropolet e kulturës botërore. Frazeologjia e pasur popullore dhe filozofia jetësore e bëjnë përgjithësisht tërë veprën letrare të Agollit sot për sot ndër më të lexuarën në vend.

Fiton çmimin “Carlo Levi”

Në edicionin e tij të 16-të të Çmimit Kombëtar për Letërsinë “Carlo Levi” fitues u shpall autori shqiptar Dritëro Agolli,krahas autorëve italianë, Guido Conti dhe Enzo Vinicio Alliegro, si dhe francezi Andre Vauchez. Çmimi u shoqërua me motivacionin “Poet, gazetar dhe shkrimtar, ngushtësisht i lidhur me traditën dhe rrënjët e tij nga vendlindja, duke venë gjithnjë në pah me krenari origjinën e tij.

19 vite në kryetar i lidhjes

Dritëro Agolli ka qenë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve për 19 vite. Ai u emërua në vitin 1973 dhe u tërhoq nga ky post më 31 janar 1992. Gjatë kohës së komunizmit Agolli ka mbajtur këto detyra, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, anëtar i Komitetit Qendror të PPSH-së dhe deputet në disa legjislatura.

Librat e bërë filma

Nga romanet e Agollit janë bërë një sërë filmash artistikë. Ndër filmat më të mirë janë “I teti në bronz” (romani “Komisari Memo”). Ky film është shfaqur edhe në Kinë, ku është pritur mjaft mirë nga publiku kinez. Filmat e tjerë: “Njeriu i mirë”, “Apasionata”, “Njeriu me top”. Ai ka shkruar edhe skenarë filmash. Filmi i parë për të cilin ai përgatiti një skenar dhe nuk shndërroi një krijim letrar në skenar ishte “Horizonte të hapura”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama