Dritat e rreme te Pekinit

Dritat e rreme të Pekinit
Vetëm sheshi "Tien An Men" ka një milion. Tabela gjigante të dekoruara nga slogani "Një botë, një ëndërr", fshehin kudo kantieret e ndërtimit, vinçat dhe banesat e përkohshme të punëtorëve. Madje, as reja gri nuk është larguar plotësisht. Një kombinim i ndotjes dhe modernes mbizotëron përreth pallateve të inauguruara së fundmi. Rrugët gjysmë të zbrazëta dhe makinat e reja të policisë, krijojnë në qytet një atmosferë monotone. Vihet re që edhe shitësit ambulantë janë zhdukur, nuk ka asnjë prej tyre. Nuk gjendet më as rrobaqepësi i lagjes, as plakushi që të frynte gomat e biçikletës. Janë zhdukur të gjithë. Rrobat dhe DVD-të pirate duket sikur nuk kanë qenë tregtuar kurrë në atë qytet. Janë mbyllur edhe restorantet tradicionale, ato ku mund të drekoje me dy euro. Madje, edhe studentët perëndimorë janë zhdukur. Vizat e tyre nuk u rinovuan më. Një miks masash për të parandaluar ndotjen, në favor të një imazhi të mirëqenë, kanë sterilizuar qytetin. Për çdo pyetje, kinezët përgjigjen: "Pas olimpiadave". Jeta ka ndaluar përkohësisht. Tashmë rolin kryesor e ka marrë spektakli që duhet dhënë.

Pamja reale e kryeqytetit dhe fotografia e asaj çfarë dëshiron të lërë si kujtim, janë mjaft të ndryshme. Ashtu si mjaft të ndryshme janë mundësitë për të arritur të mundë Shtetet e Bashkuara në medaljet olimpike dhe ajo për të fituar arin në podiumin e superfuqive botërore. Ndërsa tashmë është bërë skena e të gjithë botës, Pekini do të mbulojë defektet e tij, me shpresën se, si shumë milionë kinezë, edhe pjesa tjetër e botës do të ekzaltohet nga progreset e tij ekonomiko-kulturore, duke injoruar dobësitë politike, sociale, ekonomike dhe morale. Por olimpiadat po e vënë akoma më shumë në pah fytyrën e dyfishtë të vendit. Drejtori i sigurimit të Komitetit Olimpik Kinez, Liu Shaou, ka deklaruar se gjatë lojërave do të rezervohen tri parqe publike për ata qytetarë që duan të protestojnë. Por kurthi qëndron në detaje. Demonstruesit do të mundin të protestojnë vetëm nëse do të marrin një leje nga ana e autoriteteve vendore. Herën e fundit që aktivistët e të drejtave të njeriut kërkuan një leje të tillë, ose iu refuzua, ose përfunduan në burg. Për sa u përket premtimeve që iu bënë komunitetit ndërkombëtar, olimpiadat jo vetëm që nuk sollën më shumë demokraci, por përkundrazi kanë frymëzuar akoma më shumë shtypje. Në këta muajt e fundit kanë qenë me dhjetëra aktivistët që janë burgosur (ndër të cilët Yang Chunlin, i cili kishte vizatuar sloganin "Duam të drejtat njerëzore dhe jo olimpiadat"); mijëra njerëz u shpërngulën nga shtëpitë e tyre në emër të zhvillimit urban (Ye Guozhu u arrestua, sepse kërkoi një leje zyrtare për të protestuar kundër sekuestrimit të shtëpisë së tij në Pekin, duhej të dilte në qershor, por do ta mbajnë pas hekurave deri në fund të olimpiadave); të shumtë kanë qenë edhe gazetarët që janë arrestuar, faqet e internetit të bllokuara (madje edhe brenda strukturave olimpike); përdorimi i kampeve me punë të detyruar dhe ekzekutimet kapitale në vende publike janë shtuar.

Kina është burgu më i madh në botë për sa u përket përdoruesve të internetit: 50 aktualisht vazhdojnë dënimin. Ndër ta Hu Jia, i arrestuar tetë muaj më parë, pasi kritikoi olimpiadat dhe organizimin e saj nga disa faqe interneti jashtë vendit. Gjithashtu, shtypja e revoltave të tibetianëve në mars të këtij viti ka treguar se qeveria nuk toleron asnjë formë autonomie kulturore. Ky komb i madh është kaq i dobët, saqë një autonomi kulturore, ose mendimi mund t‘i kërcënojë kufijtë. Madje dhe politikanët e korruptuar mund të vënë në krizë të gjithë sistemin. Prindërit e mijëra fëmijëve që humbën jetën nga tërmeti i Sichuan, për shkak të mosrespektimit të normave të ndërtimit nga ana e funksionarëve vendas të korruptuar, u përballuan me zgjedhjen ndërmjet burgut, ose një kompensimi modest me para. Të zhvillohej një gjykim i drejtë nuk bënte pjesë ndër zgjedhjet e mundshme. Por Kina është edhe vendi që mban rekordin absolut të ekzekutimeve kapitale. Dhe është një nga të paktat që refuzon të publikojë statistikat. Sipas disa parashikimeve, në vitin 2007 numri i ekzekutimeve kapitale e ka kaluar kuotën e pesëmijë njerëzve. Në marrëdhëniet ndërkombëtare Kina është afruar më së shumti me autokraci si ajo e Iranit (furnitori i tretë i naftës për të), me regjime ushtarake si Birmania dhe Sudani, ose diktatura jetëgjata si Angola (furnitori i parë i naftës), ose Zimbabve. Por kjo politikë suporti që shërben për furnizimin me lëndët e para në përgjithësi, edhe pse në fillim duket si e suksesshme, më vonë mund të rezultojë e humbur, duke marrë në konsideratë instabilitetin e regjimeve politike në fjalë, intolerancën e popullatës rajonale kundrejt përçmimit racial nga ana e kinezëve dhe shfrytëzimin e pamasë të burimeve të tyre. Madje, tashmë në Namibia, Lesotho dhe Zimbabve kanë filluar të shfaqen akte dhune kundër "pushtuesve". Në Etiopi, Nigeri dhe Guinenë Ekuatoriale, rrëmbimet dhe vrasjet e kinezëve po bëhen gjithmonë e më shumë të shpeshta. Një realitet i largët nga slogani "Një botë, një ëndërr". Edhe nga brenda realiteti është mjaft i ndryshëm në krahasim me spektaklin që u zhvillua. Diferenca në mirëqenie ndërmjet qytetarëve të provincave dhe atyre të qyteteve është në rritje të vazhdueshme: vitit e shkuar, sipas Akademisë së Shkencave Sociale, kjo diferencë kishte arritur një raport prej një në gjashtë.

Koeficienti që tregon diferencën e pasurisë, është rritur nga 40.7 në vitin 1993, në 47 në vitin 2004 (100 është maksimumi i diferencës). Kjo lloj pabarazie është rezultati i privilegjit që Pekini i ka dhënë eficensës ekonomike për barazinë, me bindjen se rritja ekonomike do të sjellë mirëqenie për të gjithë, ndërsa, aktualisht, një shtypje e mirorganizuar mund të evitojë krizën. Inflacioni vitin e kaluar është rritur deri në 7 për qind, niveli më i lartë ky i këtyre njëmbëdhjetë viteve të fundit. Kostoja e disa ushqimeve kryesore, si orizi dhe mishi është rritur me 40 për qind. Por, për më të pasurit nuk ka asnjë ndryshim. Ndërsa për ata më të varfrit mund të sjellë si rrjedhojë mosshkollimin e fëmijëve për të mundësuar prokurimin e ushqimit. Vështirësitë ekonomike, urrejtja ndaj të pasurve, korrupsioni i pafund i politikanëve dhe juristëve kanë bërë që numri i protestave nëpër provinca të rritet me shpejtësi (nga 10 mijë në vitin 1994, në 80 mijë vitin e shkuar). Ndër të fundit kujtojmë atë të qershorit në Uang‘an, në provincën e Guizhout, ku një vajzë u mbyt (sipas policisë, për shkaqe natyrale, ndërsa sipas versionit të qytetarëve, për faj të tre burrave që e përdhunuan dhe e vranë, prej të cilëve njëri djali i zëvendëskryebashkiakut). Ndërsa xhaxhai i vajzës shkoi menjëherë në polici për të kërkuar ndihmë, por aty u rrah për vdekje.

Ndërsa në frontin ambiental situata është gjithashtu shqetësuese. Pekini këto ditë po lufton me çdo mënyrë për të mbajtur një nivel ndotjeje, i cili konsiderohet optimal për zhvillimin normal të Lojërave Olimpike, por që aktualisht është pesë herë më i ndotur se dita më e keqe në Nju Jork. Ndërsa pjesa tjetër e vendit vazhdon të ketë një nivel intoksikimi aq shumë të lartë, saqë shkakton gati një milion të vdekur në vit. Kina ka 16 nga 20 qytetet më të ndotura të planetit. Vështirësia për të pastruar vendin është thjeshtësuar pak kohët e fundit nga sforcot e kryeqytetit: gjysma e 3.3 milionë makinave janë ndaluar të qarkullojnë dhe fabrikat që ndotin më shumë ambientin (larg edhe 500 kilometra) janë mbyllur përkohësisht. Por, gjithsesi, qielli ka mbetur gri. Për të dhënë pak shpresë, zëvendësdrejtori i zyrës për mbrojtjen e ambientit ka deklaruar se në korrik ka pasur 25 ditë me ajër të pastër. Delegacionet e huaja qeshin me dhëmbë të shtrënguar. Do të qeshin akoma më pak nëse marrin vesh se Kina përdor për atletët të njëjtin parametër me të cilin matin ndotjen dhe të drejtat e njeriut. Sipas "New York Times", mosha e dy atleteve kineze në prag të medaljes mund të jetë nën 16 vjeç, e domosdoshme për të marrë pjesë në garë. He Kexin dhe Jiang Yuyuan kanë lindur në vitin 1994, deklaron gazeta prestigjioze dhe aktualisht duhet të jenë 14 vjeçe. Por, në pasaportat e tyre datëlindja shënon në vitin 1992. Nëse ky incident do të transformohet në krizë, do të ishte një nga dhjetëra problemet e tjera në pamjen perfekte që Pekini këmbëngul t‘i paraqesë botës.

Nga : Gazeta Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama