Dream ON Aplikacioni per te pare endrra te bukura

'Dream: ON' Aplikacioni per te pare endrra te bukura

Një aplikacion i ri për smartfonët (smartphone) mund të krijojë ëndrrën perfekte, duke ju ndihmuar që të zgjoheni me humor të mirë dhe të çlodhur. Magjia? Sipas shkencëtarëve, kjo është çështje pasazhesh zanore

Të shohësh ëndrra të bukura është dëshirë e gjithsecilit! Po edhe për t’u zgjuar me humor të mirë, vërtet të çlodhur dhe me një ndjesi të përgjithshme pozitive. Këtë dëshirojnë të gjithë, por në fund të fundit, të gjithë ne mendojmë se mund të mbetet ende një ëndërr. Gjithsesi, tani e tutje, nuk duhet të dëshpërohemi sepse nga shkencëtarët vjen një e re: një aplikacion për smartfonë (smartphone), i cili na bën të shohim ëndrra të bukura dhe që na zgjon të çlodhur dhe të lumtur! Aplikacioni quhet “Dream: ON” dhe mesa thonë shkencëtarët, ai ka funksion që të monitorojë dhe të kontrollojë një person kur fle, ndërkohë që prodhon një pasazh zanor personal, i cili udhëheq ëndrrat. Çdo pasazh tingulli është projektuar për të provokuar një skenar të pëlqyeshëm. Për shembull e tillë mund të jetë një shëtitje në një pyll shumë të bukur dhe me dritë apo një relaksim pranë detit. E gjithë kjo mund të ndikojë në ëndrrat e njerëzve.

 

Aplikacioni është zhvilluar nga një grup shkencëtarësh i udhëhequr nga prof. Riçard Uismen (Richard Wiseman) nga universiteti i “Hertfordshire”. Ata kanë bashkëpunuar me zhvilluesit e aplikacionit (App) “Yuza”. Lindja e këtij aplikacioni erdhi pas dy viteve studim, ku u krijuan mundësitë e ndryshme të përdorimit dhe u bënë eksperimente e teste për të vlerësuar efektet tek ëndrrat. Pjesëmarrësit në eksperiment, pasi fjetën dhe ëndërruan, e përcollën përshkrimin e ëndrrës së tyre përmes aplikacionit. Gjatë periudhës së follow-up (ndjekjes), aplikimi është shkarkuar mbi 500 mijë herë dhe kështu hulumtuesit kanë mundur të mbledhin me miliona raportime ëndrrash.

 

Pasi kanë mbledhur dhe studiuar të dhënat, Uismen dhe kolegët e tij kanë zbuluar se pasazhet zanore kishin ndikuar efektivisht tek ëndrrat e personave. “Nëse dikush zgjodhi peizazhet natyrore, atëherë ai pati mundësi më të mëdha për të parë ëndrra me fusha të gjelbra dhe me lule. Nga ana tjetër, nëse ndonjëri përzgjodhi pasazhe zanore të lidhura me plazhin, atëherë për të ishte më shumë e mundur që të ëndërronte diellin dhe depërtimin e rrezeve mbi lëkurën e tij”, shpjegon Uismen. Ndërkohë nëse do të marrim veçmas pasazhet zanore, nëse ndokush ka pasur rastin, do të ketë vënë re se lloji dhe intensiteti i ëndrrave që kanë parë, ndryshojnë në varësi të ditëve dhe muajit. Për shembull, edhe në bazë të ndikimeve planetare. Ndokujt mund t’i duket e çuditshme, por ja që e vërteta është kështu, pasi këtë e thonë edhe shkencëtarët. “Në vitin 2013, neuroshkencëtarët e Universitetit Bazilea kanë zbuluar se personat përjetojnë modele ëndrrash më shqetësuese gjatë gjithë kohës që Hëna është e plotë.

 

Edhe ne kemi arritur të shohim një model të ngjashëm, me ëndrra të çuditshme të lidhura me periudhën e Hënës së plotë”, shpjegon prof. Uismen. Pasazhet zanore të prodhuara nga aplikacioni, në disa raste kanë vepruar në mënyrë efikase, duke krijuar te personat ëndrra më të pëlqyeshme. Prof. Uismen ka thënë se ka mbetur i kënaqur nga rezultatet, sepse ata që e kanë provuar këtë aplikacion kanë përjetuar edhe një ndjesi më të mirë pasi janë zgjuar. “Shikimi i ëndrrave të bukura dhe pozitive i ndihmon njerëzit që të zgjohen me humor të mirë, ndërsa produktiviteti i tyre rritet. Tani kemi zbuluar një mënyrë interesante që njerëzit të shohin ëndrra të bukura. Ndërkohë kjo gjë mund të krijojë bazat për një tip të ri terapie për të ndihmuar ata që vuajnë nga disa probleme psikologjike siç është depresioni”, vazhdon më tej Uismen. Ja pra se si një smartfon mund të përdoret në mënyrë inteligjente. Megjithatë mbajtja e telefonit shumë pranë kokës, ose gjithsesi pranë vetes, nuk është aspak e shëndetshme. Pra është rasti të thuhet se ia vlen për të kuptuar nëse është më mirë shikimi i ëndrrave “normale”, duke rrezikuar shëndetin ose anasjelltas. Një zgjidhje do të ishte që kur të flini, të çaktivizonit kartën Sim të telefonit. Kështu, duke mos pasur emetime të valëve, ju mund të shihni ëndrrat më të bukura.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama