Dosja sekrete e KLSH-se per Banken e Shqiperise

Dosja sekrete e KLSH-se per Banken e Shqiperise

Një raport voluminoz i KLSH-së troket në derën e mbyllur të Bankës së Shqipërisë. Institucioni më i rëndësishëm financiar i vendit i është nënshtruar një auditimi të rreptë që ka konstatuar me dhjetra shkelje të rënda. Duke nisur që me pagat e punonëjsve dhe të kreut të saj që tejkalojnë edhe pagën e kreut të shtetit dhe të kryeministrit. Një oaz pasurie për këdo që punon aty dhe që privilegjohet që nga ushqimi, pagesat për dieta dhe seminare e deri tek palestrat që nxisin miqësinë me homologët e rajonit. Deri më tani ka një paqe të heshtur mes shumicës së re dhe institucionit të pavarur që deri dje, ishte shënjestër e sulmeve të saj kur ishte në opozitë. KLSH kërkon rishikim të ligjit që para një viti, a është kjo pika e kthesës?

Ka qenë një target i preferuar i socialistëve dje në opozitë dhe shenjat janë që mëria e tyre ndaj guvernatorit të bankës së Shqipërisë të mos jetë shuar ende. E të paktën një pjese të tyre. Erion Braçe, një nga kritikët më të ashpër dje të guvernatorit, tani është kryetar i komisionit të ekonomisë në Kuvendin e Shqipërisë, ku një javë më parë, Ardian Fullani dha shpjegimet e tij. Një raportim në dukje rutinë dhe që jep pak mundësi për prognozën e nesërme të marrëdhënieve të shumicës së re me institucionin më të rëndësishëm dhe delikat financiar të vendit. Por pikërisht një burim i komisionit i vuri në dispozicion revistës Java një material të rezervuar që fliste pikërisht për një auditim të ushtruar në Bankën e Shqipërisë. Audituesi KLSH-ja. Sipas burimit, një nga punimet më serioze për veprimtarinë e bankës për të paktën dhjetë vjetët e fundit. “Nuk e kuptoj arsyen se pse ky raport nuk është bërë asnjëherë publik. Ai është një bazë e rëndësishme për t’u diskutuar pa asnjë lloj paragjykimi veprimtaria e bankës. Edhe në raport nënvizohet domosdoshmëria që në mënyrë të menjëhershme të ketë rishikim të ligjit për Bankën e Shqipërisë, por deri më tani nuk di të ekzistojë ndonjë inisiativë e tillë. As nuk di pse mungon dhe nëse ka ndonjë projekt të tillë. Duhet të ketë një diskutim të hapur për këtë temë, përfshi dhe grupin e interesit, vetë bankën. Nuk duhet të ketë asnjë paragjykim dhe asnjë ndrojtje nga paragjykime të mundshme, gjithmonë duke respektuar në maksimum pavarësinë e bankës”, thotë burimi nga komisioni i ekonomisë.
 
Raporti KLSH


Raporti ka disa muaj që është përfunduar dhe firmosur nga kryetari i KLSH-së Bujar Leskaj, por që atëherë vetëm pak kopje të tij kanë mundur të qarkullojnë në fare pak duar të zgjedhura. Eshtë një patate e nxehtë e cila gjithsesi nuk mund të kalohet në heshtje, ndonëse deri më tani e ka mbuluar vetëm heshtja.


Dosja e kontrollit me disa dhjetra faqe ka disa kapituj. Ajo është përpiluar në një periudhë dy mujore, nga marsi i vitit të shkuar deri në maj të të njëjtit vit dhe është firmosur vetëm një javë mbas përfundimit të zgjedhjeve të qershorit dhe pikërisht në datën 28 qershor 2013. Gjashtë ekspertë të KLSH-së kanë qenë të praniëshëm në aktin e kontrollit, të kryesuar nga Nikoleta Piranji, si përgjegjëse e grupit. Titulli i dosjes është: “Vlerësimi i aktivitetit ekonomiko-financiar, zbatimi i buxhetit të bankës së Shqipërisë dhe rregullshmëria e zhvillimit të ankandeve të bonove të thesarit të obligacioneve”.


Në raport parakalon gjithë aktiviteti i bankës, që nga ankandet për blerje bonosh thesari, tek tenderat për prodhim kartmonedhash apo gomash automjetesh e deri tek paratë e paguara për ruajtjen fizike të ambienteve dhe pagesat për qeratë e këtyre ambienteve. Bëhet fjalë dhe për pagat dhe shpërblimet që merr guvernatori, zëvendësi i tij dhe personeli i bankës. Pothuaj kudo, lupa e inspektorëve të KLSH-së kanë gjetur problematika të ndryshme, për të cilat referojnë dhe sugjerimet dhe rekomandimet e tyre. Në shumicën e tyre shënohet termi: menjëherë.
 
Nis nga paga


Janë absolutisht më të lartat në sistemin e institucioneve shtetërore në vend. Pakkush e di që puna në bankën e Shqipërisë është një oaz mirëqënie në nivelin e shpërblimit që e tejkalon edhe pagën e presidentit apo kryeministrit të vendit. Që prej pesë vjetësh, me vendim të Këshillit Mbikqyrës të Bankës, të ndryshuar vetëm një vit më pas, në 2010 dhe të rindryshuar sërish në 2013-ën, janë përcaktuar nivelet e pagave. Auditimi konstaton se në një praktikë të tillë nuk ka shkelje ligjore, por nga ana tjetër vëren: “…mosrespektim të sensibilitetit të shtetasve në lidhje me përdorimin e fondeve në dispozicion, kjo referuar niveleve shumë të larta të pagesave për nivelet drejtuese, si paga dhe shpërblime të ndryshme, por edhe trajnimeve për udhëtime dhe dieta, krahasuar me nivelin e pagës të punonjësve të institucioneve kushtetuese”.


Për këtë, rekomandimi i KLSH-së është i prerë. Ai kërkon ndërmarrjen e menjëhershme të inisiativave ligjore për rishikimin e ligjit për Bankën e Shqipërisë duke minimizuar riskun potencial të abuzimit me pavarësinë dhe shmangien e konfliktit të interesit që është i dukshëm në praktikat e përcaktimit të pagës. E po kështu, niveli i pagës së guvernatorit thuhet se duhet të ndjekë trendin e pagave të tregut bankar dhe të jetë në raport të pranueshëm e të krahasueshëm me pagën e Presidentit të Republikës. E njëjta logjikë edhe për pagat e antarëve të këshillit mbikqyrës së bankës, të cilat duhet të jenë më të ulta se ajo e guvernatorit, por jo më poshtë se pagat e ministrave.
 
Shpenzimet e personelit


Janë gati një e treta e gjithë shpenzimeve vjetore të bankës. Plot 30 për qind të tyre. Nuk jepet shumë konkrete, por në raport citohet se për vitin 2012 janë parashikuar 272 milionë lekë më shumë se një vit më parë, ndëra krahasuar me një vit më parë, 2010-ën, ishin parashikuar 349 milionë lekë më shumë, me një trend rritës që shkon në përqindje, 36 për qind më shumë. Ky zë përfshin para që paguhen për pagat dhe shpërblimin e personelit.


Trajnimet, seminaret dhe kërkimi, janë tre termat për të cilët banka nuk kursehet. Referuar raportit të KLSH-së, shpënzimet për këto tre zëra zenë 4.2 për qind të shpenzimeve administrative për vitin 2012 ose 26.144 mijë lekë.


Shpenzimet për udhëtime dhe dieta zenë një fetë edhe më të madhe nga torta, ato shkojnë në masën 14.2 për qind të totalit të shpenzimeve adminisrrative. Vetëm për vitin 2012 ato kanë kushtuar 86.903 mije lekë.


Dhe në këtë pikë, ekspertët e KLSH-së ndërhyjnë sërish në mënyrë të prerë. Ata rekomandojnë ndryshim të menjëhershëm të situatës duke nënvizuar se dieta ditore e Guvernatorit është sa dyfishi i asaj që merr kryeministri ose 60 euro më shumë sesa dieta që shpërblen Presidentin e Republikës. Edhe një drejtor departamenti paguhet me të njëjtën shumë dhe barazohet me vetë presidentin. Kjo në kushtet kur në Shqipëri është e përcaktuar me ligj se paga më e lartë është ajo e kreut të shtetit.
 
Të ushqehen mirë, të stërviten mirë


Një vendim i korikut të vitit 2005 “Mbi kompesimin e shpenzimeve të ushqimit”, mundëson ca para të tjera që paguhet për punonjësit e Bankës së Shqipërisë. Banka kompeson koston e ushqimit që konsumohet në ambientet e brendshme të bankës në masën 70 për qind të kuotës ditore të drekës. Një subjekt privat bën shpërndarjen e tij,. monitorizohet shpenzimi i ushqimit në bazë të kuponëve të shpërndarë. Braçe dikur akuzonte: “Edhe ky është një biznes familjar, i një të afërmi të vetë guvernatorit”.


Por kur ha mirë edhe duhet të stërvitesh për të mbajtur trupin në formë. Një nga shpenzimet më të çuditshme, edhe sipas raportit të KLSH-së, është miratimi në buxhet i një fondi për aktivitete kulturore dhe sportive. Janë plot 3.7 milionë lekë për këtë qëllim vetëm për vitin 2012. Arsyetimi ka qenë për të ndjekur një traditë të bankave qëndrore me qëllim forcimin e miqësisë dhe bashkëpunimit me institucionet homologe dhe punonjësve të tyre. Për këtë arsye ishin planifikuar 2.5 milionë lekë për pjesmarrjen në turneun e shtatë sportiv të bankave qëndrore të rajonit si dhe 1.2 milionë lekë të tjerë për prenotim fushash minifutbolli dhe sallash basketbolli dhe volejbolli.


Nga verifikimet e KLSH-së rezultonte se janë mbuluar shpenzimet e udhëtimit për 25 persona që kanë marrë pjesë në aktivitetin sportiv, shpenzime të tjera për dhurata për organizatorët e të tjerë.
Këto janë vetëm një pjesë dosjes së bankës së Shqipërisë. Deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar për të dhe ende nuk dihet se çfarë do të ndodhë nesër, me institucionin më të rëndësishëm financiar të vendit. Ajo që shihet deri më tani, është vetëm një paqe e brishtë që nuk dihet se sa dhe nëse do të zgjasë, por dhe një maturi e skajshme e shumicës së sotme. Qoftë dhe për të ndërhyrë në rishikimin e ligjit për bankën, që do të “…minimizonte rriskun e konfliktit të interesit në përcaktimin e shpërblimit për punonjësit e bankës”.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama