Dosja e SigurimitMehmet Shehu Çabejeksponent kryesor i reaksionit antishqiptar

Dosja e Sigurimit,Mehmet Shehu: Çabej,eksponent kryesor i reaksionit antishqiptar
Përkundër rrëfimit të Nexhmije Hoxhës për miqësinë e Enverit me Eqrem Çabejin, u sollën prova autentike si e futi diktatori dijetarin e njohur në kurthin e spiunëve dhe të operacioneve agjenturore. U zbardhën fakte të panjohura për mënyrën si u vu Çabeji në gjurmimin e Policisë së Fshehtë me përkujdesjen e veçantë të lidershipit politik për të pastruar radhët e intelektualëve nga kundërshtarët e regjimit dhe pjesa e dyshuar e korpusit të së shkolluarve në Perëndim.

Ndërkaq, publikuam disa nga raportet informative të bashkëpunëtorëve të sigurimit, ish-kolegë e miq të profesorit të nderuar, të cilët e ndiqnin fshehtas dhe vinin në dijeni organet e zbulimit për sjelljet dhe profilin antikomunist të tij. Në morinë e tyre shkëputëm një pjesë të së dhënave të “Dhelprës”, “Edies”, “Prurëses” e “Gjevrekut” në të cilat denoncohej prirja antimarksiste dhe liberale e Çabejit të madh dhe shpërfillja e tij për veprat e Leninit dhe Stalinit...

“Eqrem Çabej, si element inteligjent dhe me kulturë të gjerë, përbën rastin e eksponentit të dorës së parë të reaksionit. Prandaj duhet bërë kujdes i madh në gjurmimin ndaj tij”, Gjeneral-leitnant Mehmet Shehu, ish-kreu i Policisë Sekrete, tërhiqte vëmendjen e strukturave të angazhuara në operacionet e fshehta kundra profesorit të shquar, duke vënë theksin në “karakterin e veçantë e kompleks që paraqiste rasti Çabej”. Përtej kësaj përkujdesje, në shënimet e shumta ish-ministrit të Brendshëm në këtë dosje, bie në sy fokusimi në tre çështjeve për të cilat gradianti më i lartë i Policisë së Fshehtë, parandiente provën e patjetërsueshme për ta kryqëzuar një herë e mirë shkencëtarin e gjuhësisë. Çështja e parë për të cilën këmbënguli nga fillimi deri në fund Mehmet Shehu, kishte të bënte me zbardhjen e motiveve të vërteta të lidhjes së Eqerem Çabejit me Ernest Koliqin.

Herë pas here ai kërkonte shpjegime për rrethanat e emërimit të Çabejit në detyrën e ministrit të Arsimit dhe mënyrën si deportimit të tij në vitet e luftës në Itali. Ndërkaq, gjenerali i zbulimit komunist, përjetonte me shqetësim enigmën e raporteve të mundshme të profesorit të njohur me zbulimin gjerman. Deri sa ndërroi jetë Çabeji i madh, Mehmet Shehu nuk u shkëput për asnjë moment nga ideja e lidhjeve agjenturore të protagonistit të dosjes “Çabej” me agjenturën e shtetit të fuqishëm evropianoperëndimor. Kaq i angazhuar ishte numri Një i Policisë Sekrete në pjesën e hulumtimit sa kishte kërkuar në biografinë e bashkëshortes së Çabejit, Shyhretit, e cila ishte përjashtuar herët nga Partia Komuniste dhe ishte dënuar për veprimtari armiqësore. Gjithsesi, rrethi i enigmave për figurën dhe profilin e profesorit të shquar ishte shumë më i gjerë.

Një korpus i tërë zbuluesish, operativësh, spiunësh e bashkëpunëtorësh vigjilentë operojnë për ditë, javë, muaj e vite me radhë dhe deri në vdekjen e njeriut që gjurmuan pareshtur nuk mundën të provojnë hipotezën mjerave sipas të cilës Çabeji ishte eksponent i dorës së parë të reaksionit antishqiptar.  Çuditërisht, këtë procedurë zyrtare sipas Nexhmije Hoxhës, e cila na u shfaq së fundi me kujtimet për miqësinë e të shoqit me Çabejin, nuk e ka ditur Enveri(!)

Epilogu i Dosjes “Çabeji”

I ka takuar punëtorit operativ Gëzim Bejko të nënshkruajë i fundit në dosjen voluminoze “Çabej”. Me shënimet që ka bërë në datën 11 janar 1981, në një farë mënyre, ka shënuar dhe epilogun e dosjes misterioze të tejmbushur me raporte e informata agjenturore të një periudhe gati 35-vjeçare. Vetëm pak muaj pasi protagonisti i dosjes ndërroi jetë, Bejko duke bërë ritualin formal për ta adresuar në burgun e arkivave sekrete, artikulon një raport përmbledhës rreth përmbajtjes së saj. Për aq sa i kërkon rregulli i detyrës, nis të përshkruaj me qetësi: Eqerem Çabej është i biri i Hysenit dhe i Lishesh, i datëlindjes 1908, lindur në Gjirokastër, në një familje shtresë e pasur, i martuar, i padënuar ndonjëherë, i paorganizuar, me arsim të lartë, ka punuar si punonjës shkencor në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, banues në lagjen nr.2, rruga “Qemal Stafa”, nr.395/12.

Qëndrimi politik i familjes dhe të afërmve të tij gjatë regjimit të Zogut ka qenë pro atij regjimi, mbasi ishin me influencë dhe përkraheshin nga ai regjim. Okupacionin fashist e priti mirë dhe i shërbeu me besnikëri, duke propaganduar në favor të tij. Mbas çlirimit të vendit, ka vazhduar të propagandojë kundër pushtetit popullor dhe është shoqëruar me elementë të ndryshëm armiq. I vëllai i tij Selahudin Çabej ka qenë prefekt në Kosovë dhe është pushkatuar për veprimtari armiqësore. Vëllai i gruas së tij Selam Damani ka qenë eksponent i Ballit Kombëtar, në pragun e çlirimit u arratis në Itali. Gruaja e tij Shyhrete Turkeshi është përjashtuar nga partia dhe ka qenë në burg për veprimtari armiqësore. Vetë Eqeremi pasi kreu studimet e larta në Austri për filozofi kthehet në Shqipëri dhe ka punuar në gjimnazin e Gjirokastrës dhe si mësues në Normalen e Elbasanit, ndërsa në vitin 1940 është dërguar në Itali nga Ernest Koliqi për punë shkencore pranë Akademisë në Romë. Në shtator 1943 megjithëse ndodhej në Itali, emërohet ministër i Arsimit, detyrë të cilën nuk e ka pranuar. Mbas çlirimit ka punuar në Institutin e Shkencave dhe të Letërsisë deri kohët e fundit që ka vdekur. I përmenduri, më datën 4 tetor 1952 është marrë në përpunim aktiv 2A si agjent i mundshëm në shërbim të zbulimit gjerman...

Në gusht të vitit 1961 Eqeremi duke qenë me pushime në plazhin e Durrësit është takuar disa herë me një femër turiste gjermano-perëndimore Karla Vidali dhe në një rast e ka marrë atë për vizitë në vilën e tij, ku ka qëndruar rreth 2 orë. Këto takime me të lartpërmendurit kanë lënë dyshime, duke qenë se vetë turistja kishte dyshime si kuadër e zbulimit... Sipas Xhavit Beqirit, ish-shifrant në ambasadën tonë në Austri, del se: “Në vitin 1970 profesor Eqerem Çabej ishte në Vjenë për të kuruar djalin e tij. Aty ai ka mbajtur kontakte me mjaft të huaj, si dhe me Shvaken, lidhje e ngushtë e Komitetit “Shqipëria e Lirë”, i cili ka shkruar artikuj në gazeta kundër Shqipërisë. Me këtë person Eqeremi ka shkuar dhe është takuar në një vilë jashtë Vjenës e ka qëndruar më tepër se 4 orë me të. Eqeremi ka bërë në Vjenë shpenzime jashtë mundësive dhe veç të tjerave ka blerë 4 orë dore.

Nga viti 1973 e këtej në ngarkim të së sipërpërmendurit nuk ka dalë ndonjë material që të bëjë fjalë se zhvillon veprimtari armiqësore... Duke marrë parasysh sa sipër, si dhe faktin që më datën 23 gusht 1980 Eqrem Çabej ka vdekur, dosja e tij e formularit 2B do të arkivohet.”. Këtu mbyllet misteri i një dosje që lë të hapur një histori misterioze. Po njerëzit e zbulimit të fshehtë nuk janë mjaftuar vetëm me gjurmimin profesor Çabejit. Njëherazi me të ata kanë ndjekur e vëzhguar me teknikat e tyre operativo-agjneturore edhe të shoqen dhe të bijën e tij për vite me radhë.

Spiunët që kryqëzuan Çabejin: Ka lidhje me agjenturat e huaja

“Element antiparti”, “Simpatizant i monarkisë”, “Agjent i zbulimit gjerman”, “Kundërshtar i regjimit komunist”...Dhjetra e qindra përcaktime të tilla i atribuohen Eqrem Çabejit nga armata e spiunëve të fshehtë. Janë kolegë, miq e bashkëpunëtorë të profesorit që e ndjekin këmba këmbës dhe vigjëlojnë me vëmëndje çdo sjellje të tij. Pastaj seleksionojnë atë që mendojnë se është e vlefshme për Partinë dhe rendin për ta denoncuar sa më parë te organet e sigurimit. Mjafton të sjellim një pjesë të tyre për të parë këtë “kontribut” të njerëzve hije...

“Dhelpra”  

Në raportin e “Dhelprës” të datës  24 dhjetor 1953, informohej se Eqrem Çabej dhe Lagush Poradeci besonin në Zot, ndërkohë që gjurmuesi i fshehtë kishte konstatuar faktin e dyshimtë se profesor Çabeji shkruante shumë në gjermanisht.

 Prurësja

“Prurësja”, në raportin e datës 24 nëntor 1953 shkruan se ka qenë për vizitë në shtëpinë e çiftit Çabeji dhe Eqeremi i ka propozuar të lidhte martesë me Sejfulla Malishovën. “Në rast se kërkon të martohesh me ndonjë komunist, mund të më thuash”, i ka thënë profesori. Gjatë asaj bisede ka rënë fjala për Naxhije Dumen dhe të dy bashkëshortët janë shprehur me konsiderata për kulturën e saj. “Prurëses” i ka bërë përshtypje deklarata e Shyhretit të shoqes së Çabejit e cila është shprehur: “Unë i njoh mirë si Nexhmijen (Hoxhën) dhe Fiqereten (Shehun), por Naxhie Dumja ua kalon të dyjave”. Punëtori operativ që e ka lexuar këtë raport, rikthehet tek informatorja me porositë e rastit: “Me Eqeremin vazhdoje miqësinë. Përfito nga ai çka mund të thotë kundër pushtetit. Në lidhje me propozimin e bërë për fejesë me Sejfullain (Malshovën), kjo është punë personale. Ta falënderoje që kujdesej, por të thoshte se kishte disa pengime familjare... Mundohu të mos flasësh keq për Naxhijen në sy të tyre”.

 ”Prurësja”,

 “Prurësja”, informatorja që arrin të futet në shtëpinë e Eqerem Çabejit, në raportin e datës 15 shkurt 1955, bën të ditur se në bisedë e sipër për gruan, profesori ka pohuar që ata gjatë luftës nuk e zbrazën asnjëherë armën, ndërsa për hatrin e tyre ishin vrarë disa djem të mirë. Ndërkaq, “Prurëses” i kanë tërhequr vëmendjen rezervat që shfaqi Eqeremi për çështjen e idealit komunist: “Sot nuk ekziston në vendin tonë as dashuri ideale, as familje të tillë dhe as ideal, megjithëse shumë betohen për ideal”. Në një raport tjetër të kësaj informatoreje që mban datën  23 shkurt 1955, pasqyrohen mendimet e Çabejit dhe të shoqes   Shyhretit për zhvillimet në Bashkimin Sovjetik, për të cilat dy bashkëshortët nuk janë optimistë. Madje “Prurësja” vigjilente nuk mund të rrinte pa shënuar dhe shprehjen e profesorit të shquar:   “Bashkimit Sovjetik nuk i dhimben popujt”.

 Aeroporti

“Aeroporti i Tiranës”, punonjëse e stabilimentit “Mihal Duri” raporton për sjelljet e kunatës së Çabejit, Neke Turkeshit. Nga bisedat që ka pasur me të, ka mësuar tronditjen dhe frikën me të cilën e ka përjetuar familja e profesorit rënien e Malenkovit  dhe ardhjen në pushtet Bulganinit.

“Shigjeta”

“Shigjeta” Në raportin e datës 20 tetor 1957 informonte se profesorët e universitetit të Tiranës Eqrem Çabeji, Qazim Turdiu, Minella Karajani e Rrok Zojzi flasin keq për regjimin në Shqipëri.

LABINOTI

Labinoti: “Labinoti” i caktuar për kontrollin e korrespodencës dhe letërkëmbimeve të Eqerem Çabejit, informonte se profesori shkëmbente letra me Nexhip Allpanin, studiues me origjinë shqiptare në Turqi, Sulejman Kulçen albanolog, por edhe më studiuesit e tjerë Wilfred Fiedler, Vittore Pisanit, Hans Prosel, H. Mihalesku, Vito Borgia, Franc Babinger, Ernest Locker etj. Sakaq njeriu që ka kontrolluar gjithçka nga korrespodenca e Çabejit, bën të ditur se në përgjithësi tematika e tyre fokusohet në çështjet e albanologjisë dhe ato të Kosovës. Ndër të tjera, “Labinotit” i tërheq vëmendjen fakti që profesor Çabeji i kërkon me anë të një letre një personalitetit perëndimor librat e Ulrih Schmall “Mbi gjuhën e vjetër greke të Sicilisë”, dhe të Ë. Merlingen “Bazat e greqishtes së vjetër”...

“Moli”

Bashkëpunëtori tjetër me pseudonimin Moli mban lidhje me  operativin Ropi Postoli dhe raporton rreth bisedës që profesor Eqrem Çabeji ka zhvilluar me doktorin austriak të gjuhësisë gjuhësi Herman Olbert. Ai ka pyetur nëse ishte e vërtetë se kinezët po ndërtonin port nëndetëse. Sipas tij e ardhmja e botës paraqitej e zezë dhe e paqartë.

Olbert kishte deklaruar në takimin me Çabejin se Shqipëria ishte e izoluar dhe se nuk shikonte ç'ndodhte jashtë saj ndërkohë që vlerësonte nivelin e jetesës në Austri, i cili sipas tij ishte shumë i lartë. Sipas Molit takimet e Çabej me Olbertin kishin qënë të shpeshta dhe ata kishin shëtitur e kishin pirë kafe bashkë disa herë. Gjatë këtyre takimeve profesori austriak kishte pohuar se ishte fat që tani për tani Shqipërinë po e linin rehat fuqitë e mëdha. Siaps tij drejtimi i Shqipërisë do ishte i qartë për aq sa ishte gjallë Enver Hoxha. Pas tij gjërat do ndryshonin.



Panorama

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama