Doreshkrimi i relacionit te Zmajevoit nga viti 1703 si burim dokumentar dhe regjistrim serioz i popullsise shqiptare ne shek. xviii

Dorëshkrimi i relacionit të Zmajevoit nga viti 1703 si burim dokumentar dhe regjistrim serioz i popullsisë shqiptare në shek. xviii
Burimet dokumentare zbërthejnë sfondin e një drame të dhimbshme, e cila vazhdonte të luhej edhe në territoret shqiptare, që ishte pikëtakimi i interesave të fuqive të kohës, Perandorisë Osmane në njërën anë, dhe në anën tjetër të fuqive perëndimore si Austro-Hungaria, Selia e Shenjtë, Venediku të mbështetura edhe nga Rusia. Janë të njohura ngjarjet e viteve nëntëdhjetë të shekullit XVII, disfatat dhe sëmundjet vdekjeprurëse të kohës, të cilat ndikuan në mënyrë të ndjeshme në strukturën etnike të disa viseve shqiptare, nga ku ndodhën shpërngulje masive për në territore më të sigurta, nga e ka burimin edhe keqinterpretimi dhe shtrembërimi i servirur nga historiografia sllave, që ngriti dhe ngre mite të rreme dhe të paqëndrueshme, që vazhdojnë të jenë të zëshme edhe sot e kësaj dite, përkundër fakteve bindëse që vërtetojnë një realitet krejt tjetër nga ajo e servirur prej tyre për atë kohë. Megjithatë, zhvillimet politike të fundshekullit XVII ishin të favorshme për popujt e Gadishullit Ballkanik për çlirimin e tyre nga sundimi osman. Disfata që pësuan turqit para Vjenës nga forcat aleate të Lidhjes së Shenjtë, që udhëhiqej nga Vatikani, dhe përbëhej nga Venediku, Rusia, Malta, Toskana dhe ushtria polake, bëri që ndikimi dhe pushteti i tyre të dobësohet në territoret ku ata sundonin, veçanërisht në Hungari, Bosnjë, Serbi, Ukrainë, por edhe në Dalmaci e More.

Archivio di Propaganda Fide në Romë, në Archivio Segreto Vaticano në Vatikan dhe në Biblioteca Apostolica Vaticana, po në Vatikan, ruajnë burime shumë të rëndësishme për këtë periudhë, respektivisht shek. XVII dhe XVII, burime këto kryesisht të pabotuara, ose të botuara si fragmente, pra jo komplete. Burimet në fjalë janë përpiluar nga personalitete të larta kishtare, siç ishin vizitatorët apostolikë, persona këta me përvojë dhe që zakonisht ishin të shoqëruar nga një ekip i posaçëm ndihmësish të specializuar, kryesisht të sjellë nga Roma, për të hetuar dhe vlerësuar situatën në vendet që vizitonin. Atyre u vihej në dispozicion e gjithë baza materiale, d.m.th të gjitha burimet e shkruara të kryeipeshkvive, ipeshkvive, famullive, kuvendeve dhe kishave të territoreve që ata vizitonin, si dhe burimet njerëzore: klerikët e të gjitha rangjeve, të zgjedhur nga ata vetë. Përveç këtyre burimeve të cilave iu referoheshin, ata vëzhgonin edhe gjendjen reale dhe bënin përshkrimin e saj, në momentin që bëhej vizita. Në këtë mënyrë, ata bënin krahasime dhe analiza me burimet e shkruara që dispononin dhe në të njëjtën kohë, propozonin zgjidhje të reja, ide dhe opinione konkrete për secilën nga njësitë hierarkike vendore të territorit që ata vizitonin. Të gjitha këto burime njihen me një emër në arkiva dhe biblioteka: relacione (Relationes). Relacione të tilla për dioqezat shqiptare në shek. XVII dhe XVIII, ka në numër të konsiderueshëm. Disa nga këto janë të njohura për studiuesit dhe historianët si p.sh.: Relacioni i Marin Bicit. Po kështu relacionet e Pjetër Mazrekut, nga vitet 1623, 1624 dhe 1625, të Pjetër Budit, Gjergj Bardhit nga vitet 1629, 1631, 1634, 1637 dhe 1638, Frank Bardhit më 1637, F. Leonardit më 1638, Mark Skurajt më 1641, 1644-1645 dhe 1652-1656, i Shtjefën Gasparit më 1671, Pjetër Bogdanit etj. Të gjitha këto relacione janë botuar nga studiues të huaj, të cilët nuk njohin ose e njohin pak gjuhën shqipe dhe toponimet shqipe, shpesh herë, duke sjellë ngatërresa dhe pasaktësi të theksuara.

Në këtë shkrim do të flasim për relacionin e Vinçenc Zmajeviqit nga viti 1703. Është koha kur në Selinë e Shenjtë pontifikonte si Papë Klementi XI (1700-1721), Françesk Albani, me origjinë shqiptare, i cili në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe me veprime konkrete ndikoi në mbrojtjen e të krishterëve të tjerë të Gadishullit Ballkanik në përgjithësi dhe të shqiptarëve në trojet etnike në veçanti. Në fillimin e pontifikatit të këtij pape, (1700) në trojet shqiptare kishte një kryeipeshkëv dhe vetëm tre ipeshkëv, Pjetër Zymini, Kryeipeshkëv i Durrësit, Nikollë Vlladanji, ipeshkëv i Lezhës, Gjergj Theodori, ipeshkëv i Sapës dhe Pjetër Karagiqi, ipeshkëv i Pultit, të cilëve më vonë ju shtohen edhe dy ipeshkëv: Anton Babi, ipeshkëv i Shkodrës, Marin Gjini ipeshkëv i Pultit, sepse në Shkup transferohet Pjetër Karagjiqi dhe Kryeipeshkvi Vinçenc Zamjeviqi në Tivar, kështu që plotësohen selitë vakante kryeipeshkvnore dhe ipeshkvnore më të rëndësishme shqiptare.

Numri i përgjithshëm i famullive ishte 87, të cilat mbulonin 279 fshatra, ku shërbente një kler prej 98 meshtarësh shekullarë, 32 misionarësh françeskanë të reformuar, si dhe 7 rregulltarë françeskanë observantë shqiptarë, ku numri i përgjithshëm i frymëve të krishtera ishte 65.159.

Duke njohur të gjithë situatën nga afër, Papa Klementi XI, fillimisht e emëron Vinçenc Zmajeviqin Kryeipeshkëv të Tivarit (në vitin 1701), por edhe administrator të Ipeshkvisë së Budvës si dhe primas të Serbisë dhe vizitator apostolik për Shqipëri, Maqedoni, Bullgari dhe Serbi. Me bulë të veçantë, më datë 8 qershor 1702, Papa Klementi XI e emëron Vinçenc Zmajeviqin vizitator apostolik në të gjitha dioqezat shqiptare dhe misionet françeskane (Vicentius Zmajevich, archiepiscopi Antibarensis 8 Iulii 1702 deputavit visitatore apostolico eçlesiarum et missionum provincie Epiri seu Albaniae iuxta...) duke i dhënë kështu mundësinë që të vizitonte të gjitha territoret shqiptare dhe të raportonte për to në relacionet që do të hartonte gjatë qëndrimit të tij në këto territore. Relacionet e Zmajeviqit janë sot burime të jashtëzakonshme për historinë e trojeve shqiptare të asaj periudhe.

Në Biblioteca Apostolica Vaticana, në Vatikan, në sektorin e dorëshkrimeve, ruhet njëri nga relacionet autografë të Vinçenc Zmajeviqit në dorëshkrim me titull: "Notizzie Universali dello Stato di Albania, e dell‘operato da Monsignore Vincenzo Zmajevich Arcivescovo di Antivari Visitatore Apostolico dell‘Albania. Esaminate nelle Congregationi Generali di Propaganda Fide de 3 e 18 dicembre 1703., 7, 21, e 28 Genaio e 12 febraio 1704. Si come vede dal Foglio delle Risolutioni posto in fine Segnato Letera A," me signaturë: Mss.Barber. Lat. 4577, sign. e vjetër: Mss. Lat. 126. (Faksimilen e frontespicit po e botojmë). Ky dorëshkrim, mjaft i vëllimshëm, i kësaj biblioteke, nuk është botuar deri më sot me sa kemi informacione ne. Në fakt, një kopje tjetër e këtij dorëshkrimi, e cila ka ndryshime të theksuara jo vetëm në formë, duke filluar që nga titulli, por edhe në përmbajtje, si toponimet, mikrotoponimet, renditja e lëndës burimore, shënimet statistikore, etj., ruhet në Archivio de Propaganda Fide në Vatikan, dhe mban titullin "Relatione dello stato d‘Albania e Servia visitate da Vincenzo Zmaievich Arcivescovo d‘Antivari. Nell Anno MDÇII in III (1702-1703), (faksimilen e frontespicit po e botojmë), me sign. APF. SCR, Albania, v.5, f.535r 661v, dhe është botuar nga albanologu gjerman Peter Bartl në vitin 1979, i cili gjithsesi duhet krahasuar me origjinalin për disa gjëra që janë të diskutueshme dhe të pasaktësuara. Puna e bërë nga albanologu P. Bartl, gjithsesi është për t‘u lavdëruar dhe përkon me pohimin tonë, se relacionet janë botuar qoftë edhe të pjesshme, si regesta ose në ndonjë rast janë bërë përpjekje të editohen të plota, vetëm nga të huaj, nëse kemi parasysh, se historiani shqiptar Injac Zamputi, përktheu relacionet, por pa pasur asnjëherë gjatë jetës së tij, origjinalin e ndonjërit syresh, por shërbehej vetëm me ato që botonin të tjerët, në shumë raste, me plot mangësi e gabime të shumta.

Dorëshkrimi që ruhet në BAV, sipas mendimit tonë, është autograf i vetë Vinçenc Zmajeviqit, dhe sipas të gjitha gjasave duhet të jetë origjinali i parë, nga ku është përpiluar kopja e dytë me disa plotësime dhe ndryshime që ruhet në AFP, dhe që është dorëshkrimi i At Gallanit, sekretarit personal të imzot Zmajeviqit.

Krahasimet e të dyja dorëshkrimeve i bëjmë me siguri të madhe, sepse ato i kemi konsultuar në vend, por në të njëjtën kohë i kemi riprodhuar në kopje të skanuar dhe të stampuar nga BAV dhe AFP, të cilat na mundësojnë nxjerrjen e përfundimeve logjike dhe të sakta, duke eliminuar gabimet e mundshme ose të ngjashme me ato të ndonjërit që është marrë me studimin e njërës apo tjetrës kopje të dorëshkrimit.


Dorëshkrimi i relacionit që ruhet në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit

Dorëshkrimi i BAV-it është i lidhur në vëllim më vete, ka kopertina pergameni të fortë. Duke filluar me f.1 deri në f.227, është dorëshkrimi i relacionit, ndërsa nga f.228 deri në f.231 vazhdon shtesa "Folium A" që përmban "Rescripta in Congregatione Generali 3a Decembris 1703; In Congregatione 18 Decembris 1703; 7 Januarii 1704; 21 Januari 1704; 28 Januari 1704; 12 Februarii 1704 dhe është një regjistër në gjuhën latine i dokumenteve në lidhje me vizitën apostolike të vitit 1702, por edhe dokumente që kanë të bëjnë me Kuvendin e Arbërit të vitit 1703, me botimin e akteve të Kuvendit dhe me masat e tjera që kanë të bëjnë me meshtarët, misionarët dhe famullitë e ipeshkvitë e vizituara, etj. Faqet 98, 107, 108, 136 dhe 170, në pjesën ku është dorëshkrimi i vizitës, janë boshe, por të paginuara, ndërsa në mes të faqeve 118-119 është futur një fletë, e cila përmban disa shënime që kanë të bëjnë me kapitujt e relacionit. I tërë vëllimi është i shkruar nga një dorë e vetme, që është dora e Kryeipeshkvit V. Zmajeviq. Këtë e pohojmë me siguri, sepse kemi bërë krahasime të shumta me letërkëmbimin e bollshëm që ruhet në ASV, BAV dhe AFP të Zmajeviqit me të tjerët. Sipas shënimeve të marra në BAV, dorëshkrimi është restauruar në vitin 1890, në kohën e Papës Leone XIII (1878-1903), kur kardinal dhe prefekt i BAV-it ishte Joseph Hergenröther (1879-1890). Dorëshkrimi është në gjendje të rëndë, sepse ka dëmtime të shumta, për shkak të cilësisë së dobët të letrës, dhe gërryerjes së ngjyrës gjatë shekujve. Në disa vende nuk lexohet ose lexohet me shumë vështirësi. Në BAV ka arritur së bashku me dorëshkrimet e tjera të kardinal Barberinit, që ruhen në këtë bibliotekë dhe i tërë fondi mban emrin e tij. Frontespici i dorëshkrimit mban titullin që shënuam më lart, ndërsa faqja në vazhdim është bosh dhe e papaginuar. Në f.1-18, imzot Zmajeviqi bën një përshkrim të përgjithshëm, historik dhe gjeografik të Shqipërisë dhe dioqezave të saj, duke shkruar për historinë e shqiptarëve, origjinën e tyre, historikun përmbledhës të dioqezave dhe shtrirjen hapësinore të tyre (kufijtë e secilës), gjendjen ekonomike, informacione mbi pagimin e taksave dhe punën angari që bëjnë të krishterët të detyruar nga turqit. Pastaj shkruan për veset dhe virtytet e shqiptarëve, mungesën e klerit, injorancën e madhe të klerit që shërben në tërë territorin e Shqipërisë, si dhe propozon masat konkrete që duhen ndërmarrë, e ajo më kryesorja është thirrja e një Kuvendi gjithëshqiptar sa më parë që të jetë e mundur. Në vazhdim, në hyrje të çdo kapitulli, imzot Zmajeviqi përshkruan me saktësi gjithçka që ka të bëjë me jetën sakrale dhe fetare të popullit dhe klerit, për toponiminë e dioqezave, famullitë, gjendjen e objekteve të kultit, kishave, duke saktësuar se cila është në gjendje të mirë, cila është gjysmë e rrënuar dhe cila e rrënuar krejt dhe kanë mbetur vetëm si rrënoja apo gërmadha; bën përshkrimin e mbishkrimeve, pastaj sjell shënime për reliktet, orenditë, ikonat kishtare, të ardhurat e famullive, administrimin e sakramenteve, pastaj kujdes të veçantë i kushton praktikës dhe shmangieve që janë në kundërshtim me jetën e krishterë dhe ajo më kryesorja, sjell numrin e saktë të popullsisë së gjithë territorit shqiptar. Në fund të çdo kapitulli shënon masat konkrete për të shmangur keqpërdorimet, pastaj propozon mundësitë për rindërtime, restaurime dhe ngritje të reja të kishave të dioqezave përkatëse, shënon me saktësi se cilat janë pajisjet që u nevojiten kishave, rrobat, orenditë e shenjta dhe gjëra të tjera.

Meqenëse titulli i dorëshkrimit të BAV-it ndryshon nga ai i AFP, në vazhdim sjellin në mënyrë përmbledhëse secilin veç e veç, të përkthyer në gjuhën shqipe, duke shënuar edhe numrin e faqeve të dorëshkrimit, për të bërë të mundur orientimin e studiuesve dhe historianëve shqiptarë dhe të tjerë që dëshirojnë të merren me studimin e këtij dorëshkrimi. Kështu kemi: Gjendja e kryeipeshkvisë së Tivarit nga lashtësia deri më sot, Gjendja e dioqezës së Shkodrës; Gjendja e ipeshkvisë së Pultit; Gjendja e ipeshkvisë së Sapës; Gjendja e ipeshkvisë së Lezhës; Gjendja e kishës së kryeipeshkvisë së Durrësit; Gjendja e kishës së Budvës; Gjenda e kishave të Serbisë nën administrimin e Kryeipeshkvit të Shkupit; Gjendja e krishterimit në Bullgari; Propozime konkrete për tejkalimin e situatës në Shqipëri dhe Serbi; Të dhëna të sakta statistikore për fshatrat, famullitë, shtëpitë dhe besimtarët e krishterë, skizmatikët e turqit që banojnë në secilën prej dioqezave të Shqipërisë;

Dorëshkrimi i APF është i lidhur me dokumente të tjera në një vëllim mjaft voluminoz, që përmban dokumente për vitet 1696-1707, si vëll. V, për Shqipërinë, me titull Scriture Referite nei Congressi, Albania. Po ashtu, në këtë dorëshkrim, gjejmë një vizatim shumë të bukur të kapakut të arkës ku ruhen reliket e shenjta, që gjendej në kishën e Oroshit të Mirditës, me pamje të ndryshme shenjtorësh dhe mbishkrime të përziera në gjuhët greke dhe sllave-qirilicë, që nuk ndodhet në dorëshkrimin e BAV-it dhe sipas mendimit tonë dhe të arkivistëve të AFP, është punim i bërë pasi është dorëzuar relacioni, por që i përket viteve të relacionit. Një ndryshim tjetër kemi në fletën 589r ku gjejmë të dhënat dhe sqarimet përkatëse për vizatimin dhe mbishkrimet e kapakut të arkës ku ruhen reliket e shenjta, të relikeve të argjendit të kishës së Oroshit, ku shënjohet se në qendër është vendosur Shën Lleshi, sipër ka një engjëll që duhet të jetë Shën Gabrieli ose Shën Mihaili, majtas janë Jezu Krishti, Shën Mëria dhe një martir, ndërsa djathtas Shën Prokopi, Shën Dhimitri dhe Shën Nestori, poshtë mbishkrimi në greqisht dhe sllavisht-qirilicë. As ky shënim nuk ndodhet në dorëshkrimin e BAV-it. (Ne sjellim si ilustrim këtë vizatim të bukur).

Duke studiuar me kujdes të dyja kopjet e Relacionit të Vinçenc Zmajeviqit, natyrisht duke pasur parasysh edhe dallimet e cekuara më lart, mendojmë se ky Relacion, në mënyrë shumë të qartë, me objektivitet dhe saktësi paraqet regjistrimin e popullsisë shqiptare në fillimshekullin XVIII, por njëherësh, pasqyron edhe gjendjen ekonomike, politike, kulturore dhe shpirtërore-fetare të popullit shqiptar, që ndodhej nën sundimin turk, duke nxjerrë në pah, mendojmë ne, me objektivitet edhe dobësitë, injorancën, deformimet dhe shpërdorimet e ndryshme të klerikëve shqiptarë që shërbenin në dioqezat shqiptare, që njëherësh është edhe tregues për një nga momentet më të rëndësishme të jetës së Kishës Shqiptare, në kohën kur po bëheshin përpjekje të pareshtura për të zbatuar dekretet e reformës kishtare. Në anën tjetër, ky dorëshkrim në dy kopje të ndryshme, në dy vende të ndryshme, ka vlerë të jashtëzakonshme historike, sepse në masë të konsiderueshme mundëson njohjen e rrethanave të përgjithshme qofshin ato gjeopolitike, historike, ekonomike, kulturore apo fetare, të mbajtjes së Kuvendit të Arbërit dhe është dëshmi burimore arkivore pararendëse e këtij Kuvendi, nga viti 1703. Ndërsa At V. Malaj për dorëshkrim shkruan: "Përmes rreshtave të Vizitës ne kuptojmë për gjendjen e padurueshme të klerit dhe të besimtarëve. Nga kuadri i dhënë nxjerr krye një bashkësi e krishterë jo pa njolla morale, megjithëse në thelb besnike e traditave stërgjyshore e fetare, në mjaft raste të ngjyrosura medevocion të veçantë për këtë apo për atë shenjt protektor, që jo gjithmonë ishin të motivuara nga ana teologjike mbi një bazë të shëndoshë katekistike kryesisht nga kujdesi i pamjaftueshëm pastoral që kishte mbetur në dorë të pak meshtarëve dhe misionarëve".



Kush është imzot Vinçenc Zmajeviqi?

Vinçenc Zmajeviqi rrjedh nga një familje me traditë, e cila për herë të parë në dokumentet arkivore përmendet në vitin 1543 (arkivi i Kotorrit). Në fillim të shek. XVII, një degë e familjes nga Kotorri shpërngulet në Perast. Nga kjo familje dalin emra të njohur si Andre Zmajeviqi, prelat i lartë kishtar dhe Kryeipeshkv i Tivarit; Kristofori, i ati i Vinçencit, që ishte kapetan në marinën detare dhe tregtar i njohur i kohës, pastaj i vëllai më i madh i Vinçencit, Mateo, ishte admiral në flotën detare ruse, etj. Vinçenc Zmajeviqi lindi më 23 dhjetor të vitit 1670, në Perast (Mali i Zi) nga prindërit Kristofori dhe Helena. U pagëzua nga i ungji, imzot Andre Zmajeviqi, i cili edhe ndikoi shumë në formimin dhe përcaktimin e së ardhmes së Vinçencit të ri. Në moshën 15-vjeçare u dërgua në Romë pranë Kolegjit të Propagandës Fide, ku studioi teologji dhe filozofi. Gjatë qëndrimit dhe studimeve në Romë, takoi shumë personalitete të jetës kishtare dhe publike, por dy ishin më me ndikim te studenti i ri: kardinali Françesk Albani (më vonë Papa Klementi XI) dhe profesori i kolegjit ku ai studioi, Gjon Pashtriqi. Në Romë fitoi gradën doktor në shkencat teologjiko-filozofike dhe për disa vjet u bë pedagog pranë këtij kolegji. Në vitin 1695 kthehet në atdhe, ku me propozim të Senatit të Venedikut, praktikë e kohës, Vinçenci emërohet abat në abacinë e Shën Gjergjit pranë Perastit, që ishte abaci titullare e abacisë së mirënjohur të Shën Sergjit e Bakut, në Shirgj të Bunës, nga e cila administrohej edhe famullia e Shën Nikollës në breg të Bunës (1695-1701). Me vdekjen e Kryeipeshkvit të Tivarit, Marin Gjorgës, Papa Klementi XI, Zmajeviqin e ri, në moshë vetëm tridhjetë e një vjeçare, më 18 prill të vitit 1701, e emëron Kryeipeshkëv të Tivarit. Pas një shërbimi prej dymbëdhjetë vitesh si Kryeipeshkëv i Tivarit, imzot Vinçenci emërohet nga Papa Klementi XI, si kryeipeshëkv në Selinë Metropolitane të Zarës, më 23 maj të vitit 1713. Arsyet e një transferimi të tillë ishin krejt personale, nga frika e një hakmarrje të mundshme nga njerëzit e kontit Bujoviq, i cili u vra nga vëllai i imzot V. Zmajeviqit. Në kryeipeshkvinë e Zarës qëndroi deri në vdekje, më 11 shtator 1745. Edhe pse fizikisht larg shqiptarëve, ai gjatë gjithë kohës u kujdes dhe ndoqi nga afër çfarëdo që ndodhte atje. P.sh. në vitet 1721 dhe 1726, u kujdes që një pjesë e popullsisë shqiptare të shpërngulej nga trojet e tyre rreth Liqenit të Shkodrës, nga Brisku, Shestani, Lajra dhe Arbëneshi dhe të vendosej në paralagjen e Zarës Arbanasi dhe ne Zemunik e Plloçe. Imzot Zmajeviqi në moshën 15- vjeçare shkroi veprën "Razgovor duhovni", ndërsa më vonë shkroi edhe një vëllim me poezi me titull "Musarum chorus in laudem Antonii Zenii" (1694), dhe po këtë vit botoi në Romë edhe "Corona poetica," pastaj ishte autor i traktateve: "Ogledalo istine-Speçhio della verita" (1721) të një letre për vëllain Mateo, një "Dëshirë" për Koncilin Provincial të Francës, mbi bulën e Papës Klementi XI Unigenitus (1713), pastaj "Quenselle" traktat kundër herezive, etj. Me rëndësi të veçantë është botimi i dokumenteve të "Kuvendit të Arbnit", më 1706, në gjuhën latine dhe shqipe, pastaj edhe "Relacioni...", si dhe një vëllim i lidhur me letërkëmbim prej 52 copë letra nga viti 1700-1729 që ruhen në Zagreb, por relacione të tjera, dorëshkrime e korrespondencë e shumtë që ruhet në ASV, BAV, AFP, Zarë, etj., dhe që ende është i pabotuar.

Nga Gazeta Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama