Dokumenti i zv.ministrit te Brendshem Pse nuk e mbrojtem statujen e Enverit ne 20 shkurt 1991

Dokumenti i zv.ministrit të Brendshëm: Pse nuk e mbrojtëm statujën e Enverit në 20 shkurt 1991
“Ishte një veprimtari e organizuar më parë dhe policia ishte e paaftë të ndalonte rrëzimin e monumentit, qoftë edhe duke përdorur armët”. Këto janë konkluzionet e Aredin Shytit, Zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, për ngjarjet e 20 shkurtit 1991, që kulmuan me rrëzimin demonstrativ të statujës së Enver Hoxhës në qendër të Tiranës e tërheqjen e saj zvarrë në drejtim të Qytetit Studenti. Konkluzione që në formën e një informacioni të detajuar i janë dërguar 12 ditë më pas, më 2 mars 1991, Komitetit Qendror të Partisë së Punës. Informacioni nis me parapërgatitjet, apo planet e policisë të hartuara një ditë më parë, me të mësuar për ndërprerjen e punës nga sindikatat me qëllim solidarizimin me grevën e studentëve. Në informacion përshkruhen saktësisht ngjarjet në Qytetin Studenti, montimi i një qendre zëri të jashtëligjshme nga punonjësit e uzinës “Traktori”, përmendet me emër disa herë artistja Rajmonda Bulku, e cila përkundër thirrjeve për tolerancë e qetësi të folësve të ndryshëm, ndryshon gjuhë duke e ftuar masën e njerëzve të shkonin të protestonin para Televizionit e Presidencës.

Po kështu në material përshkruhet situata e konfrontimit të policisë me protestuesit në disa pika të qytetit, lëvizja e komanduar e tyre në drejtim të qendrës së qytetit dhe më tej përplasjet në shesh deri në rrëzimin e statujës. Në fund të materialit, ish-zv/ministri i Punëve të Brendshme rreshton edhe tri arsyet përse sipas tij monumenti u rrëzua, duke i bërë analizë edhe pasojës së përdorimit eventual të armëve të zjarrit.

Dokumenti ekskluziv
Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë
Ministria e Punëve të Brendshme
Drejtoria e Policisë Popullore
Sekret/Ekzemp. Nr. 2
Nr. 179 Prot. Tiranë më 2.3.1991

Raport

Për ngjarjet e datës 20 shkurt 1991 ndodhur në qytetin e Tiranës. Komitetit Qendror të PPSH, Tiranë

Në mbrëmjen e datës 19 shkurt Drejtoria e Tiranës mori informacion se në sallën e leksioneve të Pallatit të Kulturës sapo kishte përfunduar mbledhja e sindikatës së pavarur me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Partisë Demokratike, ku ishte vendosur që në datën 20 të lihej puna nga gjithë punëtorët e ndërmarrjeve dhe në shenjë solidariteti me studentët grevistë të shkohej në qytezën e tyre. Lajmin për këtë vendim e dhanë edhe radioja e televizioni.

Për të vlerësuar informacionin dhe përballuar situatat që mund të krijoheshin, u mblodhën drejtuesit e Ministrisë dhe të Drejtorisë së Tiranës.
Konkluzioni ishte se punëtorët mund të linin punën edhe ata të ndërmarrjeve të tilla si të miellit, të bukës, të qumështit e të tjerë, do krijonin shqetësime serioze. Prandaj edhe informacioni u transmetua edhe në organet e tjera me sugjerimin që të merreshin masat e mundshme për të parandaluar pasojat.

Mbledhjen e kuadrove të përmendura e përshkoi po ai shqetësim që kishin shkaktuar grumbullimet e mëparshme në mjediset e qytetit të studentëve. Pra si do të evitohej përqendrimi i turmave nëse merrej një vendim nga organizatorët apo bëhej një thirrje spontane që ato të bënin manifestime te Presidiumi i Kuvendit Popullor, Kryeministria, Komiteti Qendror ose në sheshin “Skënderbej”. U vendos që të merreshin ato masa që ishin marrë edhe herë të tjera, por me përqendrim maksimal të forcave.

Konkretisht u vendos që të mbylleshin me forca të përqendruara, duke paralizuar sulmin e turmave, të gjitha rrugët që lidhin rrugën “Labinoti” me bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe sheshin “Skënderbej”. Kalimi në këto rrugë do të lejohej vetëm për individë ose grupe të vogla njerëzish që lëviznin qetësisht. U vendos gjithashtu, që punëtorët që mund të linin punën për të shkuar te studentët, të lëviznin në mënyrë të detyruar në drejtime të caktuara pa u dhënë mundësi që të përqendroheshin në sheshin “Skënderbej” e pranë objekteve që përmendëm.

Forcat e policisë zunë vendet e tyre në orën 07:00. Rreth një orë më vonë erdhën informacionet se nga qendrat e punës filloi lënia e punës dhe ngjitja e punëtorëve drejt qytezës së studentëve. Kolonat lëviznin paqësisht me përjashtim të punëtorëve të Valiasit që hidhnin parulla politike me përmbajtje fyese e shpifëse. Rreth orës 10:00 sheshi i emërtuar “Demokracia” u mbush si në asnjë nga rastet e tjera, ndërkohë që kolonat e njerëzve që vinin nga ndërmarrjet vazhdonin të ngjiteshin.

Të grumbulluarit rreth godinës ku ishin grevistët e urisë hidhnin parulla të njohura politike, ndërsa më lart punonjës të uzinës “Traktori” montuan një qendër zëri. Ata u paralajmëruan për cenim të ligjit dhe për të mos e përdorur atë. Kërkesa e policisë nuk u zbatua dhe përfaqësues të Partisë Demokratike, të sindikatës së pavarur, të uzinës “Traktori”, uzinës “Dinamo”, Rajmonda Bulku dhe ndonjë person tjetër, u folën masës së grumbulluar. Folësit shprehën solidaritetin me studentët, kritikuan me fjalë të ashpra qeverinë dhe Kryetarin e Presidiumit të Kuvendit Popullor. Me përjashtim të Rajmondës, të tjerët bënë thirrje për “qetësi”, për “t’u ruajtur” nga provokacionet etj..., ndërsa Rajmonda bëri thirrje që gratë të mblidheshin te Presidiumi dhe televizioni për të protestuar. Afërsisht në këtë kohë në një nga ballkonet e konvikteve u shpalos një banderolë ku shkruhej “drejt sheshit Skënderbej”.

Pas fjalëve të Rajmondës masa e njerëzve filloi lëvizjen me thirrje të ashpra drejt rrugës “Labinoti”, duke tentuar të çante bllokun e forcave në të gjitha rrugët që të çojnë në bulevardin kryesor. Në të gjitha rrugët u sulmuan forcat e rendit, por në rrugën tek Liceu Artistik dhe në rrugët më poshtë saj sulmi mbi forcat e rendit ishte më i egër.

Përpjekjet e forcave për ti penguar zgjatën 45 min dhe përgjithësisht në sajë edhe të përforcimeve që u dërguan nga forcat e dislokuara tek sheshi “Skënderbej”, turmat u shpërndanë, grupe të vogla arritën te ushtarët e gardës që i stepën duke hapur zjarr në ajër prapa Kryeministrisë. Pjesa tjetër e turmës u vu përballë forcave të policisë që kishin edhe qenë (Bëhet fjalë për qentë e policisë që u përdorën edhe në shesh më pas. Red.) në hapësirën midis kinema “Partizanit” dhe Pallatit të Kulturës. Kjo pjesë nuk sulmoi, por mbasi qëndroi disa minuta, vazhdoi të dilte mbrapa hotel “Tiranës” dhe që aty u përqendrua para Muzeut Historik Kombëtar dhe duke dalë nga prapa tij u vendos edhe në lulishtet dhe kryqëzimet prapa monumentit të Enver Hoxhës.

Një grup i madh njerëzish u vendos përpara muzeut, në rreshtat e parë fëmijë e gra, disa prej të cilave, të ulura në tokë, hapën gjoksin përballë policëve. Forcat e caktuara për mbrojtjen e sheshit me ndihmën e një zjarrfikëse e boshatisën atë. Për të ruajtur gjendjen dhe duke qenë se forcat që kishin zënë vijën e bllokimit nuk e justifikoi plotësisht qëndrimin, pjesa më e madhe e tyre u thirrën për të mbrojtur rendin në sheshin “Skënderbej”.

Sheshi u bllokua dhe u pastrua nga demonstruesit në të gjithë perimetrin e tij duke përfshirë edhe shtatoren e shokut Enver. Mirëpo kjo nuk zgjati shumë, valë të tjera demonstruesish që erdhën nga banka e rritën presionin mbi forcat e rendit. Rrethimi i policisë nga krahu i shtatores u ça. Turma u shty katër herë, por pas kësaj forcat e policisë ishin krejtësisht të pa zonjat për ta mbrojtur monumentin me forcën e krahëve, megjithëse morën detyrë të rrethonin e mbronin vetëm monumentin. Forcat rezervë ishin përdorur, të tjera nuk kishte.

Një grup nga turma filloi të shtyjë me supe monumentin dhe ai nisi të luhatej djathtas, derisa u anua. Në këtë pozicion u lidh me të një litar dhe me tërheqje u rrëzua.

Kishte kohë që për mbrojtjen e shtatores ishte organizuar një shërbim për të evituar shkatërrimet me dinamit, ose rrëzimin me tërheqje nga automjete të tonazhit të madh. Për të plotësuar detyrën, si më parë, edhe në datën 20 qëndronte i gatshëm veç forcave edhe një oficer xhenier, ndërsa hyrja e automjeteve ishte e bllokuar.

Megjithëse u parashtrua, policia nuk ishte një gjendje të evitonte as zvarritjen e monumentit, edhe pasdite me shumë vështirësi ajo mundi t’i hiqte një turme një pjesë të shtatores.

Pa përjashtuar faktorë të tjerë duke përfshirë në to edhe ata organizativë e drejtues, na duket se tre janë të dukshmit që e vunë në pamundësi policinë për të mbrojtur shtatoren dhe në përgjithësi rendin në datën 20 shkurt:

1.    Raporti i forcave ishte në disfavor të forcave të sigurimit të rendit. Gjithsej Ministria e Punëve të Brendshme kishte 1200 forca që përbëheshin nga reparti 326 e 711, të Drejtorisë së Tiranës dhe të dy shkollave.

2.    Forcat tona ishin dhe janë të pa pajisura, shkopinjtë e gomës dhe mburojat plastike nuk janë të mjaftueshme. Armët e zjarrit që nuk u përdorën mund të evitonin rrëzimin e shtatores, por edhe mund të mos e evitonin.

3.    Një pjesë e konsiderueshme e forcave ishin lodhur para se të vinin në sheshin “Skënderbej”. Por edhe ato që nuk ishin ndeshur më parë, nuk rezistuan më shumë se një orë.

Grumbullimi i grave te Presidiumi i Kuvendit Popullor që u hoqën forcërisht nga policia para se të bëhej thirrja për miting, grumbujt në sheshin “Skënderbej”, dalja e punonjësve të Radiotelevizionit dhe presioni që bënin ata mbi forcat e rendit për t’i lejuar turmat të kalonin drejt Kryeministrisë, banderola e shkruar dhe veprime të tjera, dëshmojnë për veprimtari të organizuar më parë që nuk ishte e njohur nga organet e punëve të brendshme.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme
Aredin Shyti
(firma, vula)

Rajmonda Bulku, e vetmja që përmendet me emër në raport

Artistja Rajmonda Bulku është e vetmja pjesëmarrëse në protestën e 20 shkurtit 1991 që përmendet me emër në raportin e përpiluar nga Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Aredin Shyti. Sipas këtij dokumenti, artistja, përkundër folësve të tjerë në Qytetin Studenti, që bënë thirrje për tolerancë e qetësi, e nisi masën e qytetarëve të mbledhur aty të niseshin në drejtim të Televizionit dhe Presidencës për të protestuar. Po sipas këtij dokumenti, vetëm pas fjalëve të artistes së njohur turma lëvizi në drejtim të qendrës së qytetit duke tentuar të shpërthente kordonët e policisë që i ndalonin të kalonin në rrugicat që të çonin në shëtitoren “Dëshmorët e Kombit”.




Panorama

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama