Dokumentet per te transferuar studimet ne universitet tjeter

Dokumentet per te transferuar studimet ne universitet tjeter

Vendimi për heqjen apo pezullimin e licencës të disa universiteteve në vend ka sjellë çështjen e riakomodimit të rreth 5820 studentëve, të cilët ishin duke kryer studimet e larta, në universitete të tjera. Për të kryer transferimin, studentëve do t’u duhet të marrin disa dokumente nga universitetet e pezulluara në mënyrë që të akomodohen në një universitet tjetër. Zëvendësministri i Arsimit dhe Sportit, Arbjan Mazniku, ka bërë të ditur se “të gjitha shkollave, të cilave iu është hequr licenca me vendim të Këshillit të Ministrave, janë të detyruara sipas këtij vendimi, si dhe ligjit në fuqi, që t’u japin studentëve të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, që atyre u duhet për të pasur mundësi të lëvizin në një shkollë tjetër”. Në parim procesi i transferimit do të kryhet si një rast të zakonshëm kur një student, i cili është duke kryer studimet e larta në një universitet të caktuar, dëshiron t’i vijojë ato në një universitet tjetër. Aktualisht për të kryer lëvizjen, studentit i    nevojiten 3 dokumente nga universiteti ku ka kryer pjesën e studimeve të larta.

Dokumentacioni

Përpara se të transferohet nga një universitet në një tjetër, studenti duhet të kryejë procedurën e mëposhtme. Së pari studentit i duhet të çregjistrohet nga universiteti ku është duke kryer studimet e larta. Më pas ai duhet të zgjedhë programin e degës ku studion (normalisht në sekretarinë e universitetit). Së fundmi studentit i nevojitet edhe lista e notave. Këto të dhëna janë të nevojshme për t’ia paraqitur universitetit, ku studenti kërkon të regjistrohet për të vazhduar   studimet e larta. Ndërkaq, detyrimi, që studenti ka ndaj universitetit ku është duke studiuar për të marrë këto dokumente, është kryerja e detyrimeve financiare. Në rastin aktual, pranë Ministrisë së Arsimit dhe Sportit është ngritur me vendim qeverie një komision i posaçëm, i cili do të shqyrtojë rastet e studentëve që vijnë nga universitetet, të cilave iu është hequr apo pezulluar licenca, për të përpiluar listën e nevojshme të dokumenteve, që studentëve do t’u duhen të kryejnë transferimin. Por parimisht studentët duhet të përgatiten për të pasur dokumentet e lartpërmendura.

Komisioni

Komisioni i posaçëm, i ngritur pranë Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, do të përpilojë udhëzimet e nevojshme për të mundësuar kalimin e studentëve në institucione të tjera të arsimit të lartë. Gjithashtu, ky komision do të japë edhe listën zyrtare të dokumenteve, që do të duhen të marrin studentët nga universitet nga ku ata vijnë, për t’i paraqitur në universitetet ku ata do të duan të riakomodohen.

Riakomodimi

Së pari studentëve do t’u jepet mundësia, të zgjedhin vetë universitetin që dëshirojnë të vijojnë studimet e larta. Nëse nuk gjehet një zgjidhje, atëherë  Ministria e Arsimit dhe Sportit, me instancat e veta do të bëhet urë lidhëse për të ndihmuar në procesin e riakomodimit. Përparësi do t’i jepet riakomodimit të studentëve që të vazhdojnë studimet në degën që duan në universitete që ndodhen në zonën ku kanë gjendjen civile. “Vendimmarrja do të shkojë me 3 shkallë. Në momentin e parë ne do t’u japim mundësi studentëve të vetakomodohen, pra të shkojnë e të gjejnë vetë një opsion apo një universitet, i cili i pranon në mënyrë autonome. Nëse ata nuk do të arrijnë ta zgjidhin këtë, atyre do t’u duhet të paraqiten pranë Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe ministria, nëpërmjet komisionit të posaçëm, do tu kërkojë atyre që të shkojnë në një degë të ngjashme me atë që kanë studiuar apo një program të ngjashëm në një universitet, i cili ka hapësira dhe kuota për t’i pranuar ata, duke dhënë këtu preferencë territorit gjeografik nga ku vijnë studentët, ku ata kanë gjendjen civile. Kjo do t’u mundësojë atyre lehtësi për të shkuar në shkollë dhe kosto më të ulëta. Në rastin se as kjo zgjidhje nuk arrihet, atëherë, do t’i dërgojmë në ato shkolla, ku është e mundur që ata të shkojnë”, - ka thënë zëvendësministri Mazniku.

Ja datat e provimeve të lirimit dhe të maturës

Ministria e Arsimit dhe Sportit ka publikuar vendimet, të cilat specifikojnë datat dhe zhvillimin e provimeve kombëtare të arsimit bazë dhe maturës shtetërore, për sesionin e dytë për vitin 2014. Provimet kombëtare për arsimin bazë do të zhvillohen në fund të muaji gusht, ndërsa ato të maturës shtetërore do të zhvillohen nga mesi i muajit shtator.

Minoritetet

Nxënësi që u përkasin pakicave minoritare greke dhe maqedonase, do të mund të zhvillojnë provimet kombëtare të arsimit bazës të sesionit të dytë në datën 25 gusht.

Maturantët

Në provimet e maturës shtetërore të vitit 2014, në sesionin e dytë kanë të drejtë të marrin pjesë ata maturantë apo kandidatë që u përgjigjen dispozitave të mëposhtme:  

1. Maturantët/kandidatët që nuk rezultojnë kalues në një ose më shumë provime të maturës shtetërore të vitit 2014, sesioni i parë.

2. Maturantët që janë pakalues në një ose dy lëndë, në vitin shkollor 2013 – 2014 dhe i shlyejnë ato në sesionin e vjeshtës, në datat 2 dhe 5 shtator 2014.

3. Kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme jashtë vendit dhe kanë njehsuar dokumentet shkollore në komisionin e posaçëm të ngritur me urdhrin nr. 108, datë 31.03.2014 të Ministrit të Arsimit dhe Sportit.

4. Kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2014, por kanë shlyer detyrimet e maturës shtetërore.

Provimet e sesionit të dytë i maturës shtetërore 2014

Lënda Data

Gjuha e huaj 10 shtator 2014

Gjuhe shqipe dhe letërsisë 13 shtator 2014

Matematika 16 shtator 2014

Kohënisja 10:00

Kohëzgjatja 2 orë 30 minuta

Lëndë me zgjedhje 22 shtator 2014

Kohënisja 11:30

Kohëzgjatja 4 orë

Si janë ndarë dhe vlerësohen provimet

Lëndët e përgjithshme

25 pyetje vlerësohen me 50 pikë

13 pyetje me zgjedhje alternative Vlerësohen me 13 pikë

12 pyetje me zgjedhje Vlerësohen me 37 pikë

Lëndët me zgjedhje

20 pyetje vlerësohen me 40 pikë

10 pyetje me zgjedhje alternative Vlerësohen me 10 pikë

10 pyetje me zgjidhje Vlerësohen me 30 pikë

Provimet e sesionit të dytë të arsimit të detyrueshëm 2014

Lënda Data

Gjuha shqipe 27 gusht 2014

Matematika 30 gusht 2014

Gjuha amtare 25 gusht 2014

Kohënisja 10:00

Kohëzgjatja 2 orë 30 minuta

Kuotat, 19166 vende në universitete për vitin akademik 2014 – 2015

Kuota e pranimeve të reja për programet e studimeve të ciklit të parë, për programet e studimeve jouniversitare profesionale, si dhe për programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë kap shifrën 19166. Kjo është kuota e vendosur me anë të vendimit të Këshillit të Ministrave për vitin akademik 2014 – 2015. Për kandidatët brenda territorit të vendit janë parashikuar 18501 vende në institucionet e arsimit të lartë, ndërsa për shqiptarët e trevave 600 vende. Gjithashtu, për grupet vulnerabël janë caktuar 65 vende. Ndërkaq në një vendim të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit është përcaktuar gjithashtu edhe data e zhvillimit të konkurseve të pranimit, si edhe tarifa për to, për disa programe studimi të ciklit të parë me kohë të plotë në universitetet publike.

Më të mirët

Në çdo program studimi, në ciklin e  parë të studimeve me kohë të plotë, programet e studimeve jouniversitare profesionale dhe programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë me kohë të plotë, në vitin akademik 2014 - 2015, tre studentët e vitit të parë, me rezultatet më të larta në plotësimin e kritereve të pranimit (pikët e fituara në sistemin meritë - preferencë), në programin e studimit përkatës, përjashtohen nga tarifa vjetore e shkollimit.

Konkurset e pranimit

Për t’u regjistruar në disa programe mësimore të arsimit të lartë, kryesisht në arte dhe edukimin fizik, kandidatëve do t’u duhet që të zhvillojnë konkursin e pranimit në datat e specifikuara në vendimin e Ministrisë së Arsimit. Gjithashtu, atyre do t’u duhet të paguajnë ne disa raste një tarifë prej 5 mijë lekësh për t’u regjistruar në këto konkurse.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama