Doktori i apasionuar pas pergjimeve

Doktori, i apasionuar pas pergjimeve

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, në një intervistë për emisionin ‘Top Story” komentoi mes të tjerave edhe çështjen e përgjimeve nga SHISHi, me urdhër të ish-kryeministrit Berisha. Ai nuk hyri në detaje për përgjimeve, megjithëse deklaroi se Berisha është i apasionuar pas përgjimeve, por u shpreh se cilido që ka bërë shkelje antiligjore, duhet të përgjigjet.

 A ka ndonjë qëndrim, Ilir Meta lidhur me këtë çështje, me çështjen e përgjimeve, pasi përflitet që ju jeni personi, që rezultoni më shumë në këto përgjime, mbi 700?

Është kënaqësi për mua në rast se jam kaq shumë i përgjuar, në çdo formë, direkte apo indirekte, por më duhet të mbaj qëndrim institucional për rastin në fjalë, që do të thotë se na duhet të presim konkluzionet përfundimtare të këtij komisioni, i cili, sipas informacionit që unë kam, ende nuk e ka përfunduar punën e tij për të bërë verifikime të plota dhe përfundimtare. Ata kanë bërë një informacion paraprak, të cilin unë e disponoj, por janë në vazhdim të përpjekjeve për ta çuar deri në fund punën e tyre. Për sa u takon çështjeve, që kanë të bëjnë me shërbimin inteligjent, unë kam pasur gjithmonë një qëndrim të rezervuar. Nuk jam për të debatuar çështjet e një institucioni të tillë delikat publik, por natyrisht Parlamenti, qeveria, Kryeministri, i kanë të gjitha instrumentet për të vërtetuar gjithçka në mënyrë mjaft të saktë dhe mjaft ligjore. Për sa i takon Doktorit, ai është i apasionuar pas përgjimeve...

Nga ky informacion paraprak që ju keni, zoti Meta, ndjesë që këmbëngul, por është në interes të publikut, nga ky material që ju keni, materiali paraprak që ju keni në dorë, ende i papërfunduar, rezultojnë të përgjuar këto kategori njerëzish, qoftë edhe në mënyrë indirekte?

Mos prisni nga unë të bëj gabimin e Doktorit dhe të nxitoj për të bërë deklarata, madje edhe për të treguar pasazhe nga bisedat, sepse nuk i kam pasur pasion dhe nuk më tërheqin përgjimet, dhe sa herë dëgjoj për histori përgjimesh, më kujtohen historitë e ish-shefit të shërbimit me jashtë, Çausheskut, Paçepa, që tregonte sesi Çaushesku dhe e shoqja përgjonin edhe fëmijë, përveç ministrave dhe qeveritarëve dhe nuk i zinte gjumi po të mos dëgjonin.

Përflitet se është përgjuar... ...

e kishin si ilaç për të fjetur gjumë.

Në fakt përflitet se është përgjuar edhe zoti Basha.

Përflitet, të paktën. Nuk e di dhe nuk mund të hyj konkretisht. Prandaj thashë që nuk dua të nxitohem dhe nuk kam asnjë arsye për të nxituar. Në rast se është bërë një përgjim, aq më tepër i paligjshëm, në çdo rast mbetet një shenjë, mbetet një gjurmë, që edhe në qoftë se nuk evidentohet sot, evidentohet nesër dhe përgjegjësia natyrisht që është e madhe, është ligjore, e cilitdo që ka bërë një veprim të paligjshëm apo një veprim tendencioz. Kështu që të mos nxitojmë, unë asnjëherë nuk kam qenë partizan i debatimit të çështjeve të Shërbimit Informativ në opinionin publik, në asnjë kohë. Unë besoj se edhe Kryeministri në linjën e tij do ta lexojë këtë raport dhe do të ndjekë konkluzionet e tij deri në fund.

Në rast se kjo rezulton e vërtetë dhe në rast se rezulton realisht që këto përgjime janë bërë ose në kufi të ligjit, ose në shkelje të ligjit, do të mbajë maxhoranca një qëndrim ndaj drejtuesve dhe posaçërisht drejtuesit kryesor të Shërbimit Informativ Shtetëror?

Nuk duhet të nisemi me “nëse” dhe “sikur”. Ne do të presim qetësisht këto rezultate dhe, natyrisht, në qoftë se është shkelur ligji, ata do të përgjigjen për atë shkelje që i ka bërë ligjit.

Zoti Meta, në fakt, në raport me institucionet e pavarura ka pasur kritika dhe në raport-progresin e publikuar nga Komisioni Europian. Cila është e vërteta, sipas jush, pra, realisht, ka një përpjekje të maxhorancës për të marrë nën kontroll institucione të tilla, siç ishte ai i ILDKP-së, AMA-s, dhe nesër apo pasnesër Bankën e Shqipërisë apo dhe Shërbimin Informativ?

Në rast se vëmë re, vlerësimi për ILDKP- në duket qartë në progres-raport, që kemi në vlerësim për punën e bërë nga ILDKP-ja, sidomos pas ndryshimit dhe për rezultatet e këtij institucioni. Në rast se flasim për çështjen e AMAs, kritika ka të bëjë me ngërçin e krijuar për shkak të mungesës së vullnetit nga ana e opozitës për të marrë pjesë në zhbllokimin e kësaj krize, zhbllokim, i cili tashmë ka filluar në sajë të procedurave të ndjekura nga Komisioni i Medias, ku opozita është njoftuar hap pas hapi për gjithë këtë proces të përzgjedhjes së kandidatëve dhe maxhoranca natyrisht ka përzgjedhur ata kandidatë që i takojnë maxhorancës, duke i lënë mundësinë opozitës në të ardhmen, kur ajo të kthehet në Parlament, të bëjë përzgjedhjen e saj. Kështu që të gjitha këto institucione kanë funksionuar, po funksionojnë, do të vihen në funksionim. Natyrisht, herë pas here raport-progresi konstaton faktin që opozita nuk ka marrë pjesë, sikurse është dhe rasti i reformës administrative territoriale, por nuk kritikohet reforma prej të njëjtit konstatim që opozita nuk merr pjesë, pasi këtë e dinë të gjithë. Të gjithë e dimë që opozitës iu krijuan mundësitë maksimale për të marrë pjesë në këtë reformë duke i dhënë përgjegjësi të barabarta, ashtu si edhe maxhorancës, që nga bashkëkryesimi, që nga numri i njëjtë i anëtarëve e me radhë. Por opozita nuk donte ta merrte atë përgjegjësi, dhe kjo është shumë e thjeshtë, për arsye se në çdo rast do të duhej një reduktim i ndjeshëm i numrit të bashkive dhe komunave. Kjo ishte dhe një këshillë që vinte nga ekspertiza ndërkombëtare evropiane dhe amerikane, duke u nisur edhe sipas parametrave të vendeve të Bashkimit Europian dhe natyrisht, në çdo rast opozita mendoi që “Pse ta marrim ne këtë përgjegjësi? Në çdo rast, çdo lloj pakënaqësie që do të krijohet nga kjo reformë, t’ia faturojmë maxhorancës”. Ishte një zgjedhje e tyre, por maxhoranca ka treguar fleksibilitet maksimal. Jo vetëm kaq, por ka propozuar pesë variante dhe në fund fare madje u bënë edhe disa ndërhyrje për shkak se forca e dytë e opozitës, PDIUja, pati kërkesat e saj, bëri propozimet e saj dhe një pjesë e tyre u reflektuan.

Zoti Meta, qëndrojmë te zoti Nishani, i cili në këtë emision, në intervistat e para që ka dhënë në fillim të mandatit të tij, ka thënë që nuk do të kërkonte një mandat të dytë, ndërkohë në një intervistë televizive të javës së kaluar ai ka deklaruar se do të rikandidojë dhe, natyrisht, çështja e rikandidimit apo e zgjedhjes së Presidentit të ri rikthen gjithmonë atë ekuacionin e vështirë, pasi brenda një muaji apo një muaji e gjysmë duhet të mbahen edhe zgjedhjet e përgjithshme, edhe zgjedhjet e Presidentit të Republikës. Ndërkohë që, në fakt, e ka në dorë sërish Presidenti i Republikës që t’i shpallë zgjedhjet e përgjithshme para zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Gjithsesi, kjo mazhorancë do ta votonte Bujar Nishanin sërish për President, apo do të kërkonte ndonjë kandidaturë tjetër?

Është fare normale që një President, që është në funksion, pra në detyrë, të synojë edhe një mandat të dytë, kështu që na mbetet vetëm t’i urojmë suksese. Opozita, vazhdimisht në kërkim të konfliktit

Folët për opozitën dhe për bojkotin e saj. Realisht ndjen përgjegjësi mazhoranca që opozita gjendet jashtë Kuvendit dhe a do të bëjë realisht gjithçka që ajo të kthehet aty?

Tani, që të jemi të sinqertë, opozita ka qenë vazhdimisht në kërkim të konfliktit, që do të thotë se opozita, në radhë të parë, nuk ka pranuar realisht humbjen. Në fakt, humbja, pak a shumë, për herë të parë u pranua në njëfarë mënyre tani në kuvendin e fundit të Partisë Demokratike, pra pas 15 muajsh, nga kryetari i Partisë Demokratike, i cili për herë të parë pranoi që humbëm për arsye se u larguam nga njerëzit, disa ministra, disa drejtorë nuk u sollën mirë. Më përpara, në vazhdimësi, kemi dëgjuar që votat u vodhën, u manipuluan etj. Duke mos pranuar humbjen, ai ka reflektuar një nervozizëm të vazhdueshëm dhe natyrisht që në vazhdimësi gjatë gjithë kësaj periudhe në parlament kemi pasur një retorikë mjaft agresive. Sigurisht që kjo nuk justifikon aktet që kanë ndodhur, aktet e dhunës në Kuvend së fundi apo edhe në ndonjë rast tjetër të mëparshëm, por e vërteta është se opozita ka qenë në kërkim të konfliktit. Kjo natyrisht nuk është diçka e mirë për vetë opozitën për t’u afirmuar si një alternativë për të ardhmen.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama