Do vazhdojme te hipin ne avion te ngrihemi ne qiell dhe te ulemi te sigurte ne toke

Do vazhdojme te hipin ne avion, te ngrihemi ne qiell dhe te ulemi te sigurte ne toke

Rrallë e kanë ndjekur kaq shumë njerëz rrjedhën e lajmeve, si në rrëzimin e avionit të Germanwings në Francën e Jugut. Ky lajm na prek të gjithëve kaq shumë, sepse me atë avion mund të kishte udhëtuar secili nga ne...

Fluturimi me avion ndërkohë është bërë diçka e vetëkuptueshme për shumë evropianë. Para shumë vitesh, fluturimi me avion shoqërohej me pamjen e një luksi. Por sot nuk duhet të bësh pjesë në ata që fitojnë shumë para, për të udhëtuar me avion për në pushimet verore. Dhe nuk duhet të jesh menaxher i fuqishëm, për të shkuar me avion në takime brenda dhe jashtë vendit. Fluturimi me avion është bërë prej kohësh pjesë e jetës sonë normale, e përditshmërisë sonë.

Evropa është rajoni më i sigurtë për fluturime në botë

Pikërisht për këtë shkak të trondit kaq shumë lajmi për rrëzimin e avionit të Germanwings-it në mes të Evropës. Një katastrofë ajrore këtu në mes të Evropës? Avioni i një shoqërie gjermane fluturimi? Nga kjo mund ta kishte pësuar secili nga ne. Sot e pësuan 150 vetë që ndodheshin rrugës nga Barcelona për në Dyseldorf. Midis tyre për shembull edhe një grup prej 16 gjimnazistësh me mësuesit e tyre, që po ktheheshin nga një këmbim me nxënësit në Kataloni. Edhe ime bijë ka udhëtuar me avion për shkëmbim me nxënës nga vende të tjera! Prandaj edhe lajmet nga jugu i Francës prekin kaq shumë njerëz dhe prandaj mban zi gjithë Gjermania dhe Spanja për viktimat me familjet e tyre.

Veç hidhërimit, në plan të parë është çështja e shkakut të fatkeqësisë. Por çfarëdo që të dalë herët apo vonë – thuajse askush nuk do t’i ndryshojë planet e tij dhe mënyrën e tij të jetesës. Po – ndjenja e turbullt që kanë shumë vetë gjithsesi në fluturime do të jetë në ditët e ardhshme më e fortë se herët e tjera. Po ne do të hipim edhe më tej në avion, do të ngrihemi me të në qiell dhe do të ulemi si rregull të sigurtë në tokë.

Sepse, sado cinike që të tingëllojë për dikë që humbi sot një njeri të dashur: fluturimi ishte dhe mbetet mënyra më e sigurtë për të udhëtuar në distanca të largëta nga pika A në pikën B. Fatkeqësitë me avion tërheqin kaq shumë vëmendjen, sepse para së gjithash në rast fatkeqësie e humbasin jetën një numër shumë i madh njerëzish, pra hapi drejt katastrofës është hap shumë i shkurtër. Viktimat e qarkullimit rrugor nuk marrin një vëmendje të tillë, sepse aksidentet me ta ndodhin në shumë vende të ndryshme.

Në qarkullimin rrugor, numri i viktimave vitin e kaluar, në krahasim me vitin 1970 u reduktua në vetëm 15 përqind – megjithëse dendësia e automjeteve që atëherë është shtuar shumë herë. Në qarkullimin ajror, ky reduktim domethenës deri tani është arritur vetëm një herë me përafërsi – në vitin 2013. Pra synimi duhet të jetë që fluturimi në parim të bëhet edhe më i sigurtë. Kjo nuk është vetëm një detyrë për ekspertët e antiterrorit, por para së gjithash për inxhinierët dhe teknikët e avionëve, për prodhuesit e avionëve dhe për linjat ajrore. Pavarësisht nga shkaqet që kishte katastrofa: kjo është porosia e viktimave të fluturimit 4U9525.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama