Diplomati piktor

Diplomati piktor

 Njohës i mirë i artit, Kanellos, rrëfen për një të përditshme kosovare se nuk e ka lënë pikturën gjatë kohës së shërbimit diplomatik. Pikturat e tij mund të përjetohen si një kërkim i vazhdueshëm i harmonisë dhe lumturisë, megjithëse ai trajton motive të ndryshme, kryesisht të inspiruara nga natyra, por edhe peizazhe të qyteteve dhe fshatrave, e më rrallë edhe figura dhe portrete njerëzish. Kanellos pohon se arti i ka ndihmuar që ta njohë shoqërinë kosovare, sepse, sipas tij, arti nuk është izolues dhe nuk të izolon nga shoqëria, siç mendohet.

Arti, sipas tij, duhet të funksionojë si një çelës me shoqërinë dhe njerëzit. Madje, siç pohon ai, nëse liderët e një vendi nuk e posedojnë këtë çelës me shoqërinë, siç do të duhej ta kishin, ata nuk janë më liderë, por janë vetëm marioneta. Kur e thotë këtë, Kanellos nuk mendon vetëm në Kosovën, apo në vendin prej nga vjen, por për gjithë botën. Studenti i dikurshëm i diplomacisë, Kanellos, pohon se dikur që po i nënshtrohej provimit të diplomacisë ishte pyetur edhe për pikturë.

Që nga ajo kohë ai pikturën nuk e la asnjëherë pas dore. Ndonëse shton se arti që ai bën nuk është talent, por është diçka që buron nga brendësia e tij. Kanellos tregon se është diplomati i parë në familje, se vjen nga një familje e zakonshme, kurse babai i punonte si vozitës autobusi. Ndërkaq, sapo të zihet në gojë rajoni i Ballkanit, gjëja e parë që e përmend është se në Ballkan mungon respekti për fqinjët. Canellos nuk denjon të rrëfejë gjithçka. "Dikur thosha se vetë jeta ime ishte një hobi, pasi për mua çdo gjë është një hobi. Arti më ka ndihmuar në diplomaci", thotë ai. Në ato çfarë ai pikturon një vend të veçantë zë natyra. Vetë ai rrëfen se gjithnjë ka qenë i inspiruar nga ajo çfarë ndodh brenda natyrës duke dashur ta kthejë atë në art. Gjatë dy viteve që ai ndodhet në Kosovë, ka hapur dy ekspozita dhe ka realizuar 50 piktura". Kam këtu një studio të vogël, dhe sa herë ndihem që të pikturoj, ngjitem lart dhe pikturoj", thotë ai, duke treguar se Prishtina duket shumë e bukur përtej studios së tij.


Gazeta Shqip


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama