Diktatura e blinduar ne nje Volvo

Diktatura e blinduar në një Volvo

Sapo nisesh nga Durrësi për të udhëtuar drejt Tiranës përmes autostradës që i lidh këto qytete të Shqipërisë, po të kesh kujdes që të shikosh me vëmëndje në krahun tënd të djathtë, do të dallosh qartë një parking në dukje të thjeshtë por në thelb sa ironik aq edhe të pabesueshëm. Në atë parking ndodhen tre Volvo jashtë serie të viteve ’60-të, dy Varshava të prodhuara pas Luftës së Dytë Botërore në Ish Bashkimin Sovjetik dhe një motorr që është përdorur në Shqipëri gjatë viteve të Luftës së Dytë.

Vetëm kaq mjafton që ta bëjë këtë parking mjaftueshëm interesant, sidomos për koleksionistët e veturave jashtë serie të shekullit të kaluar. Por po të mendosh që një prej volvove të parkuara me kujdes në pjesën jug-perëndimore të parkingut i përkiste Myslym Pezës, një tjetër Adil Carçanit, atëherë padiskutim që vëmendja tashmë ka arritur kulmin. Pastaj, po të besosh pronarin e parkingut, sipas të cilit njëra prej Varshavave, ajo e bardha, është përdorur disa herë nga diktatori Enver Hoxha pas Luftës e që një tjetër Volvo e blinduar e Nexhmije Hoxhës ndodhet në shtëpinë e tij, atëherë gjithçka të duket gati e pabesueshme. Por në fakt, është e vërtetë…

Koleksionist veturash jashtë serie në Shqipëri?!
Eshtë një parking i zakonshëm që në pamjen e parë të duket edhe si një vend për grumbullimin e makinave të vjetra, gati si një varrezë makinash. Pronari i saj, Klodian Kapiti, përpiqet ta mbajë “thesarin” e tij të ndryshkur sa më larg kamerave dhe vëmendjes së publikut. Një koleksionist i pandreqshëm i makinave, jo vetëm atyre të vjetra dhe atyre jashtë serie, por edhe atyre me një “histori politike”, ai duket i vendosur për t’i ruajtur ato sa më shumë, ndërkohë që bluan në mendje edhe idenë e hapjes së një muzeu unikal të veturave të vjetra të ish figurave politike dhe historike. Nuk tregon asnjë detaj të kësaj ideje. Por as e refuzon, as e mohon ate ide. Tregon se në parkingun në oborrin e shtëpisë së tij, ka futur edhe një Volvo të katërt jashtë serie, të ngjashme me Volvot e Myslym Pezës dhe Adil Carcanit por “më të rëndësishme politikisht”: Volvon e Nexhmije Hoxhës, gruas së ish-diktatorit, e cila pas daljes nga burgu në vitet ’90-të jeton sot në një banesë të improvizuar në një godinë që dikur ka qenë pulari në Laprakë!

Si i shtiu në dorë
Pronari i parkingut, Klodian Kapiti e gjeti Volvon jashtë serie të prodhuar në vitet ’60-të e të përdorur nga Myslym Peza, pak kohë më parë në oborrin e një vile pranë Senatoriumit të Tiranës. Nipërit e Myslym Pezës kishin mundur ta privatizonin makinën me targë TR 1107 B, ndërkohë që refuzonin me çdo mënyrë që ta shisnin. Por vetëm deri në fund, pasi pronari aktual i saj mundi t’i bindë pinjollët e Bab Lymës… I lindur në vitin 1897 në fshatin Pezë të Tiranës, Myslym Peza do të shndërrohej në një prej “ikonave” të partizanëve. Pas luftës, si shpërblim, Enveri Hoxha e bëri Myslymin zv / kryeministër të Shqipërisë me gradën gjeneral-leitnant, megjithëse ai ishte analfabet. Por shumë shpejt ai u lirua nga funksionet ekzekutive dhe u zgjodh zv / kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, funksion në të cilin qëndroi deri sa vdiq në 1984, duke gëzuar të gjitha privilegjet njëlloj si të gjithë antarët e Byrosë Politike. Duke gëzuar edhe Volvon në fjalë… Ndërsa Volvo e përdorur nga Adil Carçani (TR 0733 B) ishte privatizuar në fillim të viteve ’90-të nga shoferi i fundit i asaj makine.

Edhe Volvo e Nexhmije Hoxhës
Kapiti e ka në pronësi parkingun bashkë me vëllezërit e tij, por duket se është pikërisht ai, më shumë se të tjerët, i cili kujdeset për “thesaret” që vërtet sot janë të ndryshkura e të vjetëruara, por që kanë një vlerë historike shumë më të madhe se llamarina! Ai thotë se në oborrin e shtëpisë së vet ka edhe Volvon që ka përdorur Nexhmije Hoxha. E mban mbyllur që ta ruajë nga shiu dhe nga dëmtimet e mundshme. Ndërkohë që e ndez njëherë në 20 ditë për ta mbajtur ende “gjallë”. Megjithatë, sipas tij, ajo makinë është në një gjendje shumë më të mirë se Volvot e Carçanit e Pezës që i ka parkuar ngjitur me njëra-tjetrën. Për të gjitha ka dokumente pronësie të rregullta që vërtetojnë edhe pronësinë e vjetër të tyre.

Kristi Pindeli : Revista Mapo


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama