Dhjete shpikjet qe linden gjate Luftes se Pare Boterore

Dhjete shpikjet qe linden gjate Luftes se Pare Boterore

Zinxhiri i pantallonave, pecetat higjienike, orët e dorës, ndryshimi i orës gjatë verës, salçiçet vegjetariane apo komunikimi radiofonik, qenë të gjitha shpikje të Luftës së Madhe, jo gjithmonë teknologjikisht të përparuara, por të domosdoshme në kohë lufte apo paqeje 

 

1. Pecetat higjienike

 

Një material i quajtur cellukoton sakaq ishte shpikur para se të shpërthente lufta, nga kompania amerikane “Kimberly-Clark”. Kreu i kërkimeve të kompanisë, Ernst Mahler dhe zëvendëspresidenti i saj, Xhejms Kimberli (James, C Kimberly), patën shëtitur nëpër fabrikat e pulpit dhe letrës në Gjermani, Austri dhe Skandinavi më 1914 dhe patën dalluar materiale me cilësi thithëse pesë herë më të mëdha se sa pambuku, ndërkohë që prodhoheshin masivisht dhe ishin shumë më pak të kushtueshme.

 

Ata e hodhën produktin me markë në SHBA. Por, kur hyri SHBA në luftë më 1917, ata filluan prodhimin në një pajisje të posaçme. Infermieret e Kryqit të Kuq në fushëbetejë kuptuan përfitimet e kësaj shpikjeje për higjienën e vet personale dhe ky ishte përdorimi jozyrtar që i solli pasuri kompanisë. “Fundi i luftës më 1918 solli pezullim të përkohshëm të prodhimit për shkak se klientët kryesorë – ushtria dhe Kryqi i Kuq – nuk kishin më nevojë për produktin”, – thotë kompania sot. Kështu kompania ribleu pjesën e mbetur pa konsumuar nga ushtria dhe krijoi një treg të ri.

 

Pas studimeve, eksperimenteve dhe testimit të tregut, kompania prodhoi pecetën higjienike të përbërë nga pambuku dhe shtresa e materialit të drurit. Produkti i ri i quajtur “Kotex” (shkurt për Shtresë Pambuku), u shit për publikun në tetor 1920.

 

2… dhe letra për pastrimin e fytyrës

 

Shitja e pecetave higjienike nuk ishte e lehtë, kryesisht për shkak se gratë urrenin ta blinin produktin nga shitësit meshkuj nëpër dyqane. Kompania nxiti dyqanet t’i lejojnë klientët t’i blinin ato thjesht duke lënë paratë në arkë. Shitjet u rritën por jo mjaftueshëm dhe rrjedhimisht kompania filloi të shohë për përdorime të tjera të materialit. Në fillim të viteve 1920, materiali u hekuros për të krijuar një shtresë të butë. Me shumë eksperimentim, lindi letra për pastrimin e fytyrës më 1924 me emrin “Kleenex”.

 

3. Llamba me rreze ultraviolet

 

Në dimrin e vitit 1918, vlerësohet se gjysma e të gjithë fëmijëve në Berlin po vuanin nga rakitizmi – një gjendje ku kockat bëhen të buta dhe të deformuara. Në atë kohë, shkaku ishte i panjohur, por mendohej se lidhej me varfërinë. Një mjek në qytet, Kurt Huldkinski (Huldschinsky) vendosi të eksperimentojë duke i vendosur fëmijët pacientë nën llamba merkuri-kuarci, të cilat emetonin dritë ultravjollcë. Ndërsa trajtimi vijoi, mjeku vërejti se kockat u forcuan. Në maj 1991, kur dielli i verës mbërriti, ai i uli fëmijët të bënin banjo dielli në tarracë. Rezultati i këtij eksperimenti u prit me shumë entuziazëm. Fëmijë nga e gjithë Gjermania u vunë para dritës. Në Dresden, autoritetet çmontuan dritat e rrugës për t’i përdorur në trajtimin e fëmijëve rakitikë.

 

Kërkuesit më vonë zbuluan se Vitamina D është e nevojshme për të krijuar kockat me kalcium dhe se ky proces shkaktohet nga drita ultravjollcë. Kequshqyerja e krijuar nga lufta krijoi diturinë për të kuruar këtë sëmundje.

 

4. Ndryshimi i orës gjatë verës

 

Ideja e ndryshimit të kohës një orë përpara në verë dhe kthimit të saj një orë pas në dimër nuk ishte e re kur filloi lufta. Benjamin Frenklin (Franklin) ia pati sugjeruar botës më 1784. Qirinjtë çoheshin dëm në mbrëmjet e verës për shkak se dielli perëndonte para se njerëzit të shkonin në shtrat dhe dielli lindte më herët se sa ata të çoheshin për punë. Propozime të ngjashme ishin bërë në Zelandën e Re më 1895 dhe në Britani më 1909, por nuk ishin dëgjuar. Lufta e siguroi ndryshimin. Përballë mungesave akute të qymyrit, autoritetet në Gjermani vendosën më 30 prill 1916 ndryshimin e orës duke i dhënë një orë shtesë dritës së diellit. Vendet e tjera e kopjuan shpejt këtë praktikë. Tri javë më vonë ora u ndryshua në Britani. Më 1918, Kongresi i SHBA-së e bëri zyrtare ndryshimin e orës për të kursyer energji. Pas mbarimit të luftës, kjo ide u braktis, por u rikthye sërish më vonë.

 

5. Qeset e çajit

 

Qesja e çajit nuk u zgjidh për të zgjidhur problemet e kohës së luftës. Gjerësisht pranohet se një tregtar amerikan çaji, i cili më 1908 shpërndante çaj në qese të vogla te klientët, hodhi aksidentalisht apo qëllimisht çajin me gjithë qese në ujë dhe pjesa tjetër është histori. Por një kompani gjermane Teekanne e kopjoi idenë gjatë luftës dhe e zhvilloi atë duke furnizuar ushtrinë me qese të tilla pambuku. Ata i quajtën “bomba çaji”.

 

6. Ora e dorës

 

Nuk është e vërtetë se ora e dorës u shpik posaçërisht për Luftën e Parë Botërore – por është e vërtetë se përdorimi i tyre u rrit dramatikisht. Pas lufte, ato u bënë mënyra më e zakonshme e mbajtjes së orës. Deri në atë kohë, praktika ishte që ora mbahej në xhep me një zinxhir. Por ora u bë më e rëndësishme gjatë luftës – për sinkronizimin e baterive të artilerisë p.sh., – dhe rrjedhimisht prodhuesit krijuan ora që lejonin mbajtjen e duarve të lira në kulm të betejës. Aviatorët p.sh., kishin nevojë për duar të lira dhe për të ditur orën njëkohësisht, kështu u përhap ora e dorës.

 

Rasti që e krijoi këtë treg ishte zhvillimi i teknikës së bombardimit mbi kokat e artilerisë. Matja e kohës gabim në këtë raste do të ishte fatale. Orët e dorës ishte përgjigjja.

 

Edhe marka luksoze ikonë e sotme, “Cartier Takn Watch”, e ka origjinën më 1917, kur prodhuesi francez i orëve me të njëjtin emër pa një tank të prodhuar nga “Renault” dhe e modeloi orën sipas formës së tyre.

 

7. Salçiçet vegjetariane

 

Ju mund të mendoni se salçiçet e sojës u shpikën nga ndonjë hipi ndoshta në vitet 1960 në Kaliforni. E keni gabim. Salçiçet e sojës u shpikën nga Kondrat Adenauer, kancelari i parë i Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore dhe nga mërzia e mungesat e një bote të pakëndshme.

 

Gjatë Luftës së Parë, Adenauer ishte kryebashkiak i Këlnit dhe ndërsa bllokada britanike mbi Gjermaninë filloi të ndihej, uria filloi të përhapej në qytet. Adenauer kishte një mendje shpikësi dhe kërkoi mënyra për materiale zëvendësuese për gjëra që mungonin si mishi.

 

Ai filloi me përdorimin e një përzierjeje të miellit të orizit, elbit dhe miellit të misrit rumun për të prodhuar bukë në vend të miellit. Gjithçka dukej se po funksiononte deri sa Rumania hyri në luftë dhe furnizimi me miell misri u ndërpre.

 

Nga kjo bukë eksperimentale, ai kaloi te kërkimi për një salçiçe të re dhe doli te soja si përbërës pa mish. Ajo u quajt Friedenswurst apo “Salçiçja e paqes”. Adenauer aplikoi për patentë në Gjermani por iu refuzua. Dukshëm ajo ishte kundër rregullave gjermane për përmbajtjen e duhur të salçiçeve, nëse nuk kishte mish, nuk mund të quhej salçiçe.

 

Çuditshëm, ai pati më shumë shans në Britani, armiku i Gjermanisë në atë kohë. Mbreti Xhorxh i Pestë (George V) i dha patentën e salçiçes së sojës më 26 qershor 1918. Adenauer u mor edhe me shpikje të tjera por asnjëra nuk u bë mall i prodhuar. Salçiçet ishin kontributi i tij që zgjati më shumë.

 

Vegjetarianët gjithkund duhet të ngrenë dollinë për kancelarin e Gjermanisë që i bëri pjatat e tyre disi më të ngrënshme.

 

8. Zinxhirët

 

Që nga mesi i shekullit të 19, njerëz të ndryshëm patën kërkuar si të gjenin një kombinim çengelash, vrimash dhe kopsash për të krijuar ndonjë mënyrë të lehtë për të mbajtur të ftohtin jashtë.

 

Por ishte Gideon Sundback, një emigrant suedez në Amerikë i cili e arriti. Ai u bë dizenjues te një kompani që prodhoi Mbyllësit pa Çengelë. Ushtria amerikane e përdori zinxhirin për uniformat dhe çizmet e veta, veçanërisht në Marinë. Pas lufte u përdor edhe nga civilët.

 

9. Çeliku i pandryshkshëm

 

Ne duhet të falënderojmë Herri Brerlin (Harry Brearley) nga Shefildi për çelikun që nuk gërryhet apo ndryshket. Arkivat e qytetit thotë: “Më 1913, Brerli nga Shefildi zhvilloi atë që konsiderohet si çeliku i parë që nuk ndryshket – një produkt që revolucionarizoi botën e metalurgjisë dhe u bë komponent madhor i botës moderne”.

 

Britanikët po përpiqeshin të gjenin një metal më të mirë për armët. Problemi ishte që tytat e armëve deformoheshin nga të shtënat e vazhdueshme, nga fërkimi dhe nxehtësia e plumbave. Brerlej, një metalurg në një kompani të Shefild, iu vu punës për të krijuar një aliazh më të fortë.

 

Ai ekzaminoi shtimin e kromit te çeliku dhe legjenda thotë se ai i hodhi poshtë disa nga rezultatet e eksperimentit të tij si dështime. Ato u dërguan në kuptimin e drejtpërdrejtë te koshi i mbeturinave të metaleve, skrapit – por Brerlej vuri re më vonë se këta shembuj të hedhur poshtë në oborr nuk ishin ndryshkur.

 

Ai pati zbuluar sekretin e çelikut të pandryshkshëm. Në Luftën e Parë Botërore ai u përdor në disa motorë të avionëve, por e gjeti veten më së shumti te thikat, lugët e pirunët dhe te një numër i pafundmë pajisjesh mjekësore.

 

10. Komunikimi i pilotëve

 

Para Luftës së Parë Botërore, pilotët nuk kishin mënyrë për të folur me njëri-tjetrin apo me njerëzit në terren. Në fillim të luftës, ushtritë mbështeteshin te kabllot për të komunikuar, por shpesh këto linja shkatërroheshin nga artileria apo tanket. Gjermanët gjithashtu gjetën një mënyrë për të përgjuar komunikimet kabllore britanike. Mjete të tjera komunikimi si korrierë, flamuj, pëllumba, drita etj., u përdorën por u gjetën të papërshtatshme. Aviatorët bazoheshin te gjestet dhe të bërtiturat. Diçka duhej bërë. Komunikimi me radio ishte përgjigjja.

 

Teknologjia radiofonike ishte e disponueshme, por duhej të zhvillohej dhe kjo gjë ndodhi gjatë Luftës së Parë Botërore në Britaninë e Madhe.

 

Nga fundi i vitit 1916, ishin hedhur hapa të rëndësishëm. “Përpjekjet e mëparshme për të vendosur telefonat radiofonikë në një avion ishin penguar nga zhurmat e mëdha të krijuara nga motorët e avionit”, – thotë Keit Throuer (Keith Thrower), historiane e specializuar në këtë fushë të histori. “Ky problem u zgjidh nga krijimi i një helmete me mikrofon të integruar dhe kufje për të bllokuar shumicën e zhurmës së motorëve të avionit”..

 

Në këtë mënyrë u hap rruga që aviacioni civil të zhvillohej pas luftës.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama