Dhembi Ja si e fiton Partizani titullin kampion

Dhëmbi: Ja si e fiton Partizani titullin kampion

Ish-mesfushori i Parti zanit, Paulin Dhëmbi, ka qenë shumë pranë shpalljes kampion me të kuqtë në sezonin 2007-2008, ku Dinamo, ndonëse me 9 veta, ua mori titullin në ndeshjen e fundit. Dhëmbi nuk shikon ngjashmëri mes Partizanit të atij viti dhe aktualit, por sipas tij, skuadra aktuale ka në përbërje njeriun gol.dhembi shkembi

Ish-mesfushori pohoi se Partizani nuk ka çfarë të humbasë në betejën me Skënderbeun, i cili, falë gabimeve të shumta, mbajti në lojë edhe "demat". Rezultati i derbit do të thotë shumë për fatin e të kuqve, pasi, sipas Dhëmbit, ky takim ka vlera të dyfishta.

Korçari i të kuqve nuk hezitoi të japë edhe parashikimin e derbit të nesërm, ku Partizani fiton 2-0 me gola të Sukajt dhe Bardhit. Në intervistë për "Panorama Sport", Dhëmbi jep edhe recetën e tij se si Partizani mund të dalë kampion.

Dhëmbi, si ish-lojtar i Partizanit të sezonit 2007-2008, ku titullin e humbët në ndeshjen e fundit me Dinamon, shikoni ngjashmëri të skuadrës aktuale me atë që bënit ju pjesë?

Tani unë e ndjek si spektator Partizanin dhe nuk jam në brendësi të ekipit.

Ngjashmëri?

Ky Partizan ka një sulmues të vërtetë, ndërsa Partizani që ju i referoheni nuk e kishte një të tillë. Ndërsa në sektorët e tjerë, mesfushë dhe mbrojtje, skuadra ime ishte më cilësore. Ka ndryshime, ashtu siç ka edhe të përbashkëta, por ne e vuajtëm shumë mungesën e lojtarit gol.

Në fakt, ngjashmërinë e kërkova në aspektin e objektivave, që fitimi i titullit kampion mund të shuhet pikërisht në ndeshjen e fundit?

Të jemi realistë, Partizani më shumë qëndroi në valle për shkak të gabimeve të rënda që ka bërë Skënderbeu. Këtu i referohem fazës së tretë dhe të katërt, ku Partizani bëri shumë gabime, por mbeti në vallen e titullit nga luhatjet e korçarëve, që ishin më të shumta sesa priteshin. Nëse Skënderbeu nuk do të kishte bërë ato gabime do të ishte 8 pikë para tani. Ndërsa Partizani dhe Dinamo e 2007-2008- ës kanë shkuar deri në fund kokë më kokë.

Duke u bazuar tek ajo eksperiencë e hidhur e para tetë viteve, çfarë duhet të bëjnë "demat" që të mos përsëritet e njëjta histori?

Nuk ka vajtur ende problemi te ndeshja direkte, që t'i referohemi 2007-2008. Partizani fillimisht ka ndeshje me Tiranën dhe ndonëse ka 8 ndeshje që nuk humbet në derbi, për mua ky takim i së mërkurës është shumë vendimtar për të kuqtë. Me Tiranën duhet që të mos falin. Të hyjnë në fushë me qetësi dhe të luajnë pa nervozizëm.

Pra duhet të luajnë edhe kësaj radhe me mënyrën e lojës që kanë shfaqur gjatë sezonit. Meqë kaluam te derbi, si e shikoni përballjen e nesërme?

Është thënë e pranuar nga të gjithë që derbi është i paparashikueshëm. Por ky derbi është i dyfishtë për Partizanin, pasi, përveçse duhet të mundë Tiranën, është edhe në një garë reale për fitimin e kampionatit.

Gjithsesi, Partizanit i ka ecur në derbet e fundit?

Unë do të preferoja që më mirë të mos i kishte ecur dhe të fitonte këtë radhë, pasi ky derbi është kyç. Është një kopjo derbi për Partizanin, pasi mund rivalin tradicional, por vazhdon betejën për fitimin e titullit.

Keni ndonjë parashikim për këtë derbi dhe sipas jush kush e zgjidh takimin e së mërkurës?

Fiton Partizani me rezultatin 2-0 dhe golat i shënojnë Sukaj dhe Bardhi.

A mund ta thyejë Partizani atë hallkë që nuk e realizuat ju në 2008-ën?

Kam besim se mund ta thyejnë, por ndeshja direkte që do të luhet në Korçë do të jetë shumë vendimtare. Do të jetë e vështirë, por Partizani nuk ka çfarë humbet. Ndonjëherë kur je ndjekës është më mirë pasi psikologjikisht je më mirë se kundërshtari, pasi presioni më i madh është mbi Skënderbeun. Partizani vendin e dytë e ka siguruar, nuk ka çfarë të humbasë dhe lufton për titull.

Tani, parashikimi i fundit i Dhëmbit për titullin kampion, kush ka më shumë shanse, Partizani apo Skënderbeu?

Nuk e di të flas me tifozllëk apo me realitet, por më saktë- sisht për fatet e titullit kampion të Partizanit mund të flitet pas përfundimit të derbit. Pra, kjo javë do të thotë shumë për çështjen e titullit.

Përgatiti: ILIR CARA


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama