Detyre ne art detyre ne shtepi

Detyre ne art, detyre ne shtepi
Unë doja të bëja filma artistikë, por bëra vetëm dokumentarë. Vërejtje kurrë nuk më hoqën, sepse e dija çfarë më kërkohej. Për të bërë filma artistik duhej të rrije jashtë familjes për 4 muaj, kurse për një dokumentar vetëm 4 javë larg e isha prapë në shtëpi, për larjet, shpëlarjet, hekurosjet, radhët e qumështit. I njihni radhët në komunizëm? Kisha një vjehërr të sëmurë, 85 vjeçe, burri bënte punë të rënda, fëmijët ishin në rritje. Për dokumentarë, kam bërë nja 100: për Skënderbeun, 1912-ën e Pavarësisë, 1924 e Revolucionit të Qershorit, për Çajupin e Riza Cerovën , për Tefta Tashkon e Odise Paskalin, për Beratin tim e shumë të tjerë. Pastaj dola në pension, jo zemra, jo mosha...

E megjithatë kemi bërë maksimumin e mundshëm.

Historitë nga ish kinostudio mbyllen gjithmonë me një fjali që përligj rrëfimet e personazheve ka bërë thjesht detyrën. Kjo fjali vendimtare gjithmonë ka një "e megjithatë..."

Art si detyrë, jetë si detyrë. Po krijimi? Mendimi? Çlirimi i vetes? Këto anë të humanizmit ishin po aq tabu sa një grua me pantallona në sheshxhirim me pesë burra. Rasti i regjisores Marianthi Xhako (1936). Tre dokumentarë të sajët, realizuar në vitet 1959-1975, u shfaqën dje në AQSHF.

Puna juaj në tre kohë të ndryshme që pamë sot, ka nisur me dokumentarin mbi Beratin, "Qyteti i 1000 dritareve" (1959). Dallohej si punë studentore, për didaktikën dhe sinqeritetin, për paanshmërinë në qëndrimin ndaj historisë, i larmishëm nga këndvështrimi etnografik e antropologjik i një qytetërimi.
Kam përshkruar jetën e gjallë të një qyteti antik. Është qyteti im i lindjes. Kisha mbresa nga fëminia, isha rritur me legjendën e Tomorit dhe Shpiragut, isha rritur me ato rrugica që i doja. Kur isha studente në Moskë, gjithmonë ëndërroja beratin tim. Pastaj vitin e fundit ma dha ideja që unë diplomën ta mbroja me një film dhe ky të ishte qyteti im i lindjes që unë e njihja. Duke xhiruar më dilnin gjëra të reja. Jemi në vitin 1959, akoma kishat mbusheshin me besimtarë. Ishte qytet sa i vjetër dhe ri, ndërtohej dhe rindërtohej.

Ojektet e kultit janë shumë të pranishme. Pati dokumentari më vonë pengesa për t'u shfaqur e qarkulluar?

Jo është shfaqur. Sepse aty janë të pranishme si vepra arti, piktura e Onufrit. Pas vitit 1967 filloi lufta kundër objekteve të kultit. Me raste është shfaqur pas këtij viti, me fragmente. Berati ka qenë qytet që e donte fenë. Filmi është parë me interes sepse paraqiste objekte të lashta, të rralla dhe sidomos vepra të Onufrit. Afresket ishin të famshme, dhe njerëzit kishin kuriozitet.

Është filmi juaj i parë dhe është më pak propagandë.

Patjetër sepse jemi në vitin 1960, filmi nuk ka asnjë fjalë për partinë, vetëm për jetën e re.

Te reportazhi nga Kurbneshi dhe portreti mbi mjeken e fshatit, ju vetë gjeni mospërputhje të tekstit me historinë që tregon imazhi?

Filmi dokumentar ishte i politizuar skajshëm dhe kalonte shpesh në skematizëm, po ne mundoheshim të bënim më të mirën. E tregonim heroizmin e klasës punëtore, po edhe emri i partisë duhej thënë. Po prapë e lartësonim punën e tyre, e ngrinim në piedestal.

Reportazhi paraqet në të vërtetë një ferr të minatorit, ju bënte përshtypje kjo gjë?

Kam qenë 40 ditë në minierë. Kur kam ikur prej andej i kam thënë tim shoqi: të më heqin 1000 lekë nga rroga ime dhe t'ua japin atyre.

Ju e quani qyteti i nëntokës, dhe minatorët, njerëzit që nxjerrin krom dhe e bëjnë partinë më të fortë e atdheun më të begatë. Tani po tregoni që dolët e shokuar nga ai vend?
E shokuar. I kam parë nga afër. Dyzet ditë kam jetuar pranë asaj miniere, edhe në pus jam futur thellë. Me shoqëronte një shoku im i klasës, inxhinier, që kishte studiuar me mua në Moskë, Spiro Vllahu. Punoi 25 vjet në minierë, 10 vjet në Kurbnesh, shef i prodhimit. Dhe u persekutua, u fut në burg, për absurditete me siguri.

Si iu dukej atyre burrave një femër me kamerë?

Ruaj përshtypjet më të mira nga Kurbneshi. Një roje në minierë me thoshte: Shiko Marë (se Marë më thoshte), është një gjë e madhe që ti, një grua, urdhëron 4-5 burra, në një kohë që këtu, në grykë të Kurbneshit, nuk vjen burrë pa armë.
Atë kohë, kam fjetur në kullat e malësorëve, sepse nuk kishte hotele turistike.

Dokumentari portret për Farfuri Zijaim duket i orientuar, i kërkuar.

Shiko, në Kinostudio, kur bëhej plani vjetor, na kërkonin temat tona të dashura. Unë kam bërë 100 filma, për Tefta Tashkon, Odise Paskali, Skënderbeun, Çajupin, Riza Cerovën, për 1912-ën, për 1924-ën. Por kishte dhe filma me porosi. Për reportazhin nga Kurbenshi morëm një lajm nga gazeta që kishte shpërthyer një prodhim. Shkuam me skenaristin Muharrem Skënderi në Kurbnesh, pamë gjendjen, na pëlqeu, dhe bëmë filmin.

Kurse për Farfurijen, një shoqja ime zëvendës/presidente e gruas më thotë: Marianthi mund të bëhet një film interesant për një mjeke që ka lënë spitalin. Ajo kishte shkuar në një vend të humbur ndërmjet Tiranës dhe Elbasanit, në grykë, në Kllojkë. Kishim rekomandim e një të madhi i cili ishte habitur që kjo grua e re punonte në ato anë. Është heroizëm.

Po kujtojmë për lexuesin diçka nga skenari. Farfurija takon një bareshë e cila, ndërsa tjerr lesh, përshëndoshet me të renë dhe e përgëzon për ndihmën që u jep fshatarëve: "Ti duhet të jesh komuniste moj bijë!" Skema është e krejt e zhveshur: kjo vajzë nuk doli vullnetare as ngaqë kishte partinë në zemër, as se ishte komuniste, por një arsye njerëzore duhej të kishte. Ju vjen keq që nuk keni folur edhe për këtë?

Së pari, ajo shkoi vullnetare sepse ishte fryma e asaj kohe. E dyta, në këndvështrimin e sotëm, unë do ta bëja ndryshe dokumentarin. Ju patë edhe ca skena lirike, ajo ishte beqare, 30 vjeç.

Kjo ndihet.

Neve mund të futeshim në jetën e saj private, por këto nuk mund t'i bënim dot. Ne përpiqeshim t'i bënim njerëzorë këto personazhe aq sa na lejohej.

Si e gjykoni produktin kinematografik të Kinostudios dhe në veçanti të brezit tuaj që studiuat në Moskë?

Ne bëmë maksimumin e mundshëm si intelektualë që ishim, si profesionistë që ishim, të zbusnim sa të mund të ishte e mundshme. Mos harroni kishte censurë dhe autocensurë dhe më e rrepta ishte autocensura, sidomos në filmin dokumentar. Ne e dinim, ne ruheshim. 30 vjet në punë, unë nuk kam asnjë vërejtje se dija çfarë kërkohej. Ne kemi qenë edhe solidarë, e mbronim njëri-tjetrin aq sa mund të mbrohej.

Ishit korrekt me politikën, po keni ndjerë ndrydhje?

Si s'e kemi ndjerë, ne dridheshim.

Megjithatë i vetmi dokumentar i ndaluar që përmendët ishte "Mjekja e fshatit". Për motive të dobëta thoni ju?

Filmi është ndaluar për arsye banale.

Pse kaq pak femra kineaste në Shqipëri?

Unë them se ecëm përpara. Mbas meje erdhi e paharruara Xhanfise Keko. Shkollën e lartë e kisha mbaruar për regjisore. Mua më thërrisnin për të bërë film artistik, por unë s'kisha kondita. Me një vjehërr 85 vjeçe të sëmurë. Kisha burrin me punë të rëndë, dy fëmijë në rritje, radhët e monizmit.

Me jetën si gjithë gratë...

Patjetër, me radhët e monizmit, në dy të natës për qumësht. Me filmin artistik shkoje 4 muaj jashtë, ndërsa me filmin dokumentar shkoja 4 javë dhe kthehesha në shtëpi, laja hekurosja. Punonim më kondita të rënda, stresante.

E ndiqni kinemanë sot?

Sot është krejt një hapësirë tjetër, ka liri mendimi, liri të foluri, liri veprimi. Duhet ta duash heroin tënd. Profesori im në vitet e studimit në Moskë, thoshte: një dokument, një fotografi, një fakt, flet më shumë se loja e aktorit më të madh.

Unë jam marrë vetëm me film arkivin, kam 20 vjet që kam dalë në pension. Vlerësohem nga miqtë, nga shokët.

Arkivi nxjerr dokumentarët e regjisoreve

Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit nisi dje Muajin e Gruas kushtuar dokumentaristikës nga autore femra. Java e parë u hap me tre filma dokumentarë të "Artistes së Merituar" Marianthi Xhako (Qemo): "Qyteti i 1000 dritareve" (1959), një dokumentar me të cilën Xhako mbrojti diplomën në BS, si edhe "Reportazh nga Kurbneshi" (1967) dhe "Mjekja e fshatit" (1975) ku Xhako ka bashkëpunuar me skenaristen Vllasova Musta dhe montazhieret Manushaqe Halili e Shefiqare Basha.

Marianthi Xhako, regjisore e filmave kronikalë dhe dokumentarë, lindi ne Berat më 2 nëntor 1936. Kreu studimet e larta ne Institutin Kinematografik VGIK në Moskë për regjisore filmash dokumentarë së bashku me regjisorët Viktor Gjika e Dhimitër Anagnosti. Është regjisorja e parë dokumentariste me arsim të lartë profesional në kinematografinë shqiptare. Gjatë karrierës së saj realizoi rreth 60 filma dokumentarë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama