Detajet/ Miratohet stadiumi i ri kulla do te jete 24 kate (VIDEO)

Detajet/ Miratohet stadiumi i ri, kulla do të jetë 24 kate (VIDEO)

Infrastruktura sportive në vend do të ketë një tjetër impiant me parametra bashkëkohorë. Në qendër të kryeqytetit, mbi gjurmën e stadiumit kombëtar "Qemal Stafa", do të marrë jetë impianti i ri që do të jetë në funksion të ekipit kombëtar.

Untitled-5Këshilli Kombëtar i Territorit, me vendim Nr. 01, datë 29.04.2016 për "Miratimin e lejes së zhvillimit në objektin 'Kompleksi i ri i stadiumit kombëtar, Tirana'", ka dhënë dritën jeshile për zhvillimin e këtij objekti. Në këtë mbledhje, KKT-ja vendosi: Së pari, miratimin e lejes së ndërtimit për stadiumin kombëtar.

Së dyti, harta e planvendosjes se strukturave, e cila i është bashkëlidhur këtij vendimi. Së treti, procedurat administrativeligjore për objektin do të vijohen nga Bashkia e Tiranës.

Së katërti, Agjencia e Zhvillimit të Territorit do të ngarkohet për zbatimin e vendimit. Dhe së fundmi, por vetëm për kohëzgjatje të vendimit, është që ky vendim hyn në fuqi menjëherë pas miratimit të tij.

Detajet

Stadiumi, i cili do të jetë i kategorisë së pestë, më të lartë, për nga parametrat cilësorë që do të ofrojë si stadium, por i katërt për nga kategoria për shkak të numrit të spektatorëve, do të ketë gjithashtu edhe një kullë në strukturë. Më parë u përfol se lartësia e saj do të ishte 19 kate, mirëpo në vendim është parashikuar se lartësia e saj do të jetë 24 kate mbi tokë.

Duke qenë se kërkohej partneriteti publik-privat për një ndërtim që do të ngrihet mbi një pronë shtetërore, është dashur vendimi i Këshillit Kombëtar të Territorit, për të marrë vendimin përfundimtar për stadiumin ekzistues, si dhe për t'i hapur rrugë ligjore nisjes së punimeve për impiantin e ri.

Pas dhënies së lejes së ndërtimit nga KKT-ja, tashmë mbeten disa procedura "dytësore" për t'u kryer në Bashkinë e Tiranës nga 'Shoqëria Kuq e Zi', për të nisur fillimisht me shembjen e stadiumit ekzistues dhe, më pas, për të nisur nga puna për ngritjen e impiantit të ri.

Nga deklaratat e kryeministrit apo drejtuesve të Federatës Shqiptare të Futbollit është bërë me dije se kontrata me firmën është e tillë që nga dhënia e lejes deri në përfundim, afati do të jetë dyvjeçar, shkelja e të cilës parashikon penalitete për firmën.

OLSI TUJANI


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama