Dervishi Austriaket i mundim 1-0 dhe kualifikohemi me shtese

Dervishi: Austriakët i mundim 1-0 dhe kualifikohemi me shtesë

Dritan Dervishi parashikon një ndeshje që shkon në shtesë ndaj Austrisë së Vjenës dhe në fund kualifikohet Kukësi. Drejtori i përgjithshëm i klubit verilindor, në një intervistë për "Panorama Sport", theksoi ndër të tjera se parandien që ndeshja do të përfundojë 1-0 dhe sipas tij do të shënojë sulmuesi Izair Emini.

dritan dervishi

Zoti Dervishi, humbët minimalisht ndeshjen e parë ndaj Austrisë së Vjenës. Për çfarë ju erdhi më shumë keq nga ai takim?

Të them të drejtën, jam shumë i kënaqur me ndeshjen që ne zhvilluam në Vjenë. Kukësi tregoi karakter, sidomos pas pësimit të golit. Jam i lumtur për lojtarët, pasi treguan dashuri për fanellën që mbanin veshur. Patëm disa raste për të shënuar në pjesën e dytë, por për fat të keq nuk realizuam dot. Mund të them me plot gojën se nuk patëm fat, pasi në fund goditëm edhe shtyllën. Më vjen keq që Emini nuk mundi ta çonte atë top në rrjetë. Ishte e pafalshme, por, nga ana tjetër, unë jam i bindur që ai do të na e shpërblejë me gol në ndeshjen e së enjtes. Izairi është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne.

Është e vërtetë që Emini do të largohet nga Kukësi?

Më vjen keq që mund të mendohen apo thuhen këto gjëra, pasi te Kukësi nuk ndodh që një lojtar të gjykohet apo të largohet se humbi një rast apo goditi një shtyllë. Ky është futbolli, ka edhe raste të tilla që një lojtar mund të shpërdorojë, por ne te Kukësi jemi seriozë dhe të tilla gjëra nuk ndodhin. Është gjynah që dalin këto llafe në këtë pikë që ne ndodhemi. Emini u prek shumë pas atij rasti dhe pas ndeshjes ka qarë si fëmijë. Unë si drejtor i kam shkuar dhe i kam hedhur dorën në qafë, pasi ai tani ka nevojë për mbështetje dhe është shumë poshtë nga ana morale e psikologjike. Kjo nuk mbaron me kaq, jam i bindur që ai do të shënojë në ndeshjen e kthimit. Emini nuk largohet nga Kukësi.

kukesi austria

Sa është ndier në skuadër fakti që mundësitë ishin për më tepër, por nuk u shënua ai gol në fund për të mbyllur ndeshjen në barazim?

Edhe lojtarët e tjerë, normalisht që kanë qenë të mërzitur, por nga ana tjetër edhe të gëzuar, pasi ata treguan karakter në fushë dhe e vunë në vështirësi kundërshtarin. Pavarësisht disa pasaktësive në finalizim, na mungoi fati. Madje pas ndeshjes lojtarët u bashkuan me Eminin dhe e mbështetën, ndaj e them me bindje se jemi krenarë për këta djem, për këtë skuadër, pasi kanë vërtet shpirt të madh. Ne si drejtues donim të paktën barazimin, por nuk ndodhi.

Çfarë përshtypje ju lanë lojtarët e huazuar nga Skënderbeu?

Tri afrimet e fundit për Kupat e Europës janë lojtarë mjaft të mirë, të cilët i falënderoj, pasi arritën që të shkriheshin në një me skuadrën tonë dhe ta ndienin fanellën. Pres më shumë nga Latifi, pasi është një talent i madh, i cili duhet të bëjë më tepër. Falënderoj Sabien Lilajn, i cili është mesfushori më i mirë në Shqipëri. Ai duhet të luante në Kombëtare dhe është gjynah që nuk është grumbulluar nga De Biazi. Ndërsa Fukuin e njohim gjithashtu, ka shpirt japonezi. Këtu nuk dua të harroj grupin e Kukësit, lojtarë fantastik, me shpirt të lartë gare, me të cilët jam shumë i lumtur që punoj. Kjo është dhe një nga arsyet që unë personalisht të punoj më shumë në merkato për të përzgjedhur disa lojtarë të tjerë për t'ia bashkuar këtij grupi.

kukesi mbledhje

Synimi madhor është titulli?

Po, prandaj dhe duam ta kompletojmë ekipin, me qëllim që Kukësi të jetë kandidatja e parë për kampione në Shqipëri. Të konkurrojë kokë më kokë me Skënderbeun për vend të parë apo me ndonjë ekip tjetër.

Çfarë po ndodh me Pero Pejiç, do të jetë ai lojtari më i ri i Kukësit?

Nuk më intereson asnjë blerje e re aktualisht, më intereson vetëm skuadra aktuale që ne kemi. Jemi super të përqendruar te ndeshja e dytë me Austrinë e Vjenës, kjo është çështje parësore për ne.

OK, atëherë si e shikoni ndeshjen e kthimit me Austrinë e Vjenës? Besoni te përmbysja?

Sigurisht që besoj, por do jetë një ndeshje e fortë. Unë jam i bindur se ne do të fitojmë dhe do të kualifikohemi. Kemi shumë arsye ta mendojmë këtë gjë, pasi loja e mirë jona atje, skuadra dhe lojtarët me karakter dhe grintë që kemi, për më tepër që ndeshja luhet në shtëpi dhe kemi tifozë të mrekullueshëm. Me stadiumin plot, ne do të jemi superiorë dhe zotë të fushës.

Kaq të bindur jeni për fitore ndaj austriakëve?

E kam parandjenjë që do të fitojmë 1-0. Pra, ndeshja do të shkojë në shtesë dhe ne do kualifikohemi. Do t'i bëjmë një surprizë të hidhur Austrisë së Vjenës.

Fakti që rikthehen tifozët është një armë plus për ju, a keni një mesazh për ta?

Tifozët tanë janë një armë plus për skuadrën, pasi ata janë një nga pjesët tona më të rëndësishme, ndaj i bëj thirrje çdo kuksiani anekënd Shqipërisë të vijë në stadium, ta mbushim plot atë, pasi në këtë ndeshje lojtarët kanë nevojë më shumë se kurrë. U bëj thirrje të gjithë elbasanllinjve, qytetarëve të Cërrikut, Peqinit, Pogradecit dhe të gjitha zonave përreth që të vijnë në "Elbasan Arena" të mbështesin Kukësin, pasi është i vetmi ekip shqiptar që luan në këtë nivel në Kupat e Europës dhe përfaqëson flamurin shqiptar.

S.Sulozeqi



Artikujt e fundit


Reklama

Reklama