Derbi me halle Kuli Tirana ia del prej Dajes

Derbi me halle, Kuli: Tirana ia del prej Dajës
dinamo 2008

Kuli duke festuar me lojtarët e Dinamos për fitimin e titullit më 17 maj 2008

Derbi është ndosh ta ndeshja më e paparashikueshme dhe më e pamëshirshme gjatë një kampionati. Shumë skuadra, të detyruara nga faktorë të ndryshëm, kanë hyrë në fushë aspak si favorite, por në fund e kanë fituar derbin. Shpesh për shkak të episodeve dhe shpesh edhe sepse kanë vendosur zemrën në fushë. Ndaj, për ata që në këtë rast me të drejtë do të pyesin se ç'lidhje ka Kuli me Tiranën kur derbet e tij i ka luajtur vetëm kur ka qenë pjesë e Dinamos, përgjigjja është e thjeshtë: ka fituar një derbi titulli në vitin 2008 kundër Partizanit, kur e kishte lënë skuadrën me 9 veta në fushë dhe kur në stol ishte pikërisht Ilir Daja...

Bekim, a e fiton një derbi skuadra më në formë?

Jo, nuk besoj. Derbi është ndeshje specifike dhe shpeshherë edhe e çuditshme.

Nesër, sa shanse ka Tirana që të ndalë Partizanin?

Shoh një pesimizëm rreth Tiranës, por më duket se po e nënvlerësojnë më shumë sesa duhet. Partizani është favorit për shumë arsye, por Tirana është ekip i rrezikshëm dhe mbi të gjitha ka një trajner si Daja...

Ju keni qenë protagonist në një derbi titulli me Partizanin, për herë të fundit kur të kuqtë kanë qenë aq pranë dhe kur trofeu u nda me një finale...

E mbaj mend shumë mirë atë ndeshje. Dola me të kuq në minutën e 56-të dhe e lashë ekipin me 9 lojtarë. Para meje kishte dalë me të kuq edhe Pollozhani.U pikëllova pa masë sepse mund ta humbnim ndeshjen dhe bashkë me të edhe titullin.

Por si ia dolët?

Mendoj se e kishim studiuar më mirë kundërshtarin sesa ata ne. Daja ishte i jashtëzakonshëm në këtë aspekt. Prej më shumë se 10 ditësh na detyronte të shikonim video dhe të studionim thuajse të gjitha ndeshjet e rëndësishme të Partizanit. Aty pastaj gjërat u bënë më të thjeshta.

Pse u bënë më të thjeshta, çfarë zbuluat?

Shikoni, asokohe Partizani luante nga krahët me Gjylën dhe Hallaçin. Të dy kishin të njëjtin problem kur skuadra kundërshtare sulmonte nga krahu i tyre. Kur sulmonim nga krahu i Hallaçit, Gjyla dilte jashtë detyrave taktike dhe nuk i mbyllte mirë zonat e tij dhe anasjelltas. Daja e pikasi këtë gjë dhe ne u përpoqëm ta shfrytëzojmë maksimalisht.

Pra, ju besoni se Ilir Daja mund ta shtangë sërish Partizanin?

Absolutisht po. Është një ndër më të mirët në qarkullim dhe i punon truri shumë. Por skuadra duhet ta ndjekë deri në detaje, duhet t'i qëndrojë besnik asaj që ai kërkon, ndryshe nuk ia dalin dot. Partizani ka cilësi dhe më shumë alternativa.

E keni fjalën për sulmin, apo në tërësi?

E kam fjalën për sulmin. Dinamo në atë ndeshje kishte në fushë një lojtar si Pejiç... U tregua i jashtëzakonshëm sepse bënte mur i vetëm përpara dhe na e çonte topin pikërisht te zonat e pambuluara nga Partizani. Ne, nga ana tjetër, vetëm e pritëm Partizanin dhe mbrapa luftuam të gjithë në grup, pa u sforcuar edhe aq shumë në fazën ofensive, sepse herët a vonë Partizani do linte hapësira.

Po, por sot Tirana nuk e ka më Pejiçin...

E vërtetë. Tirana vuan shumë në finalizim dhe kjo mendoj se e ka penguar gjatë gjithë sezonit. Megjithatë, një ndeshje është kjo, çfarë nuk ndodh. Kanë Bakajn, i cili lëviz shumë më tepër nga krahët, por nëse mbështetet mirë dhe spostohet pak më në qendër, ndoshta mund të bëjë surprizën.

Çfarë menduat kur dolët me të kuq?

Isha në tension të jashtëzakonshëm. Para meje kishte dalë nga loja Pollozhani. Në jetën e përditshme jam i qetë, por në fushë bëhem pak më i sertë sesa duhet. Para asaj ndeshjeje, unë kisha shtatë kartonë të verdhë, nëse merrja edhe një tjetër e humbja atë ndeshje dhe zyrtarët e Dinamos nisën të më thoshin që dy javë para: "Kujdes mos merr të verdhë se do humbësh finalen...!". M'u bë stres ai karton. Pastaj, kur erdhi ndeshja, mbaj mend që bëmë tri ditë grumbullim. Më thoshin vazhdimisht edhe aty: "Kujdes se mos merr të kuq se ty do të të provokojnë të parin...!". E gjithë kjo më tensionoi pa masë dhe në fund gabova, e lashë ekipin as me 10, por me 9 veta. Por, për fat të mirë, fituam se ndryshe do më kishte ngelur merak. Ndaj besoj shumë se megjithëse Tirana nuk është favorite në këtë ndeshje, ka mundësi të mira ta surprizojë Partizanin.

Intervistoi: JETMIR HALILAJ


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama