Deputete shqiptare vizite ne Bundestag Ekspertize gjermane per reformen ne drejtesi

TIRANË, 13 Tetor/ATSH/.- Një grup deputetësh, anëtarë të komisionit të Jashtëm të Kuvendit, zhvilluan një vizitë në Bundestagun gjerman, ku u pritën nga kryetari i komisionit homolog, Norbert Röttgen. Kryetarja e delegacionit shqiptar, Arta Dade, pasi vlerësoi mbështetjen e Gjermanisë për Shqipërinë në procesin e integrimit, bëri një pasqyrë të reformave në vend, duke u ndalur tek reforma në drejtësi.
Ajo përmendi asistencën e vlefshme që po ofron në këtë drejtim Komisioni i Venecias, BE, por dhe vendet anëtare, duke u shprehur edhe për ekspertizën gjermane, pasi, sipas saj, një sistem gjyqësor mirëfunksional është një nga kushtëzimet për hapjen e negociatave me BE-në.
Pyetjes së kryetarit Röttgen se si mundet që Gjermania të ndihmojë konkretisht Shqipërinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, kryesuesje e delegacionit iu përgjigj se aktualisht këto vende janë përfshirë në Procesin e Berlinit, ku fjalët kyçe të bashkëpunimit janë ekonomia, infrastruktura dhe interkonektiviteti.
Që Ballkani Perëndimor të avancojë drejt perspektivave rajonale e më pas evropiane, tha ajo, ka nevojë jo vetëm për mbështetje ekonomike, por edhe ekspertizë për një administratë të kualifikuar. Në këtë mënyrë, një Ballkan Perëndimor i mirëintegruar kontribuon dhe në çështjet e sigurisë dhe më gjerë, u shpreh Dade.
Nga ana e tij, deputeti Aldo Bumçi, nënkryetar i komisionit të Jashtëm, u ndal tek problemi i dekriminalizimit të politikës dhe tek numri në rritje i shtetasve shqiptarë që kërkojnë azil politik në Gjermani. Bumçi tha se Shqipërisë i nevojitet konsolidimi politik me mbështetjen e Gjermanisë, si një nga vendet më të mëdha në Europë. "Opozita mbështet reformë në drejtësi, por nevojitet gjithashtu mbështetja e partnerëve të huaj për të mos e politizuar këtë proces", theksoi ai.
Bashkëbiseduesit u dakordësuan mbi faktin se në çështje të politikës së jashtme faktori politik shqiptar përgjithësisht është i bashkuar dhe se vitet e fundit është përmirësuar klima e bashkëpunimit pozitë-opozitë në Parlament.
Në këto takime delegacioni shqiptar shoqërohej nga ambasadori i vendit tonë në Berlin, Artur Kuko./a.s/ /a.ke/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama