Dekriminalizimi-Meta Palet te bashkepunojne per te realizuar nje proces gjitheperfshires

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta Foto Agim Dobi

- Dy nismat ligjore kanë përputhshmëri -

TIRANË, 18 Shtator/ATSH-Anila Struga/.- Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta tha sot se dy nismat 'për dekriminalizimin', të propozuara respektivisht nga qeveria dhe opozita, kanë përputhshmëri mjaft të gjerë dhe se palët duhet të bashkëpunojnë për të realizuar një proces gjithpërfshirës. Meta theksoi se për çështjet që nuk do të ketë konsensus të kërkojmë ndihmën dhe vlerësimin e partnerëve ndërkombëtarë, që janë të interesuar për avancimin e këtij procesi.
"Jam i bindur se dhe pse tashmë kemi dy iniciativa, një nga ana e grupit të PD-së dhe një nga ana e qeverisë me arësyetimet përkatëse, dua të shpreh bindjen se në thelbin e tyre ato kanë përputhshmëri të qartë. Natyrisht, që ka disa dallime apo diferenca, që kërkojnë një frymë më bashkëpunuese, gjithmonë me qëllim gjetjen e konsensusit për të realizuar një proces gjithëpërfshirës në këtë drejtim", u shpreh kreu i Kuvendit.
Ai shprehu bindjen se edhe nëse do të jetë e vështirë arritja e konsensusit, për shkak të interesave të ngushta partiake, të panevojshme në këto momente, rëndësia e këtij procesi dhe domosdoshmëria e realizimit të tij do të na rrisë përgjegjshmërinë që dhe për ato pak çështje që mund të mos ketë dakortësi të kërkojmë ndihmën dhe vlerësimin e partnerëve tanë ndërkombëtarë, që janë të interesuar për avancimin e këtij procesi.
"Le të mos harrojmë se dhe marrëveshja e dhjetorit e vitit të kaluar u arrit me ndërmjetësimin e dy eurodeputetëve të nderuar, Eduard Kukan dhe Knut Fleckenstein. Kështu që besoj, që edhe për ato pak çështje që ka dallime e gjykime të ndryshme, ne do kemi mundësinë t'u kërkojmë partnerëve tanë një vlerësim, duke iu referuar dhe standardeve më solide euroatlantike në këtë drejtim. Ekziston mundësia për ta përmbyllur këtë proces", shprehu besimin e tij, kreu i Kuvendit, Meta.

Gjithashtu, nënvizoi ai, procesi i dekriminalizimit kërkon konsensus dhe ndryshime në Kodin Zgjedhor e atë Penal. "Përpjekjet që e paraqesin si iniciativë të thjeshtë, janë një lojë që bëhet me publikun dhe jo një përpjekje serioze për t'i shkuar me themel këtij procesi. Me rëndësi është të tregojmë vullnet dhe të mos krijojmë pretekste që pengojnë përmbylljen e një procesi që nuk duhet të ishte temë e politikës shqiptare", shtoi kreu i Kuvendit./f.n/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama