Deda & Deda dinastia e te qeshures

Deda & Deda, dinastia e te qeshures

Zef dhe Julian Deda kanë shumë diferencë moshore mes tyre por i bashkojnë dy gjëra; Ndajnë të njëjtin gjak dhe janë që të dy ikona të dy epokave të humorit shqiptar. Menduam t'i vendosim ballë për ballë këto dy gjenerata të një familjeje që i ka dhënë shumë artit skenik në Shkodër dhe në Shqipëri. Në rreshtat më poshtë Zef Deda tregon moshën e tretë, pasionin për të birin dhe natyrisht edhe për Shkodrën

Zoti Deda, me çfarë po merreni këto kohë?


Vazhdoj punën si aktor profesionist në Estradën profesioniste të Shkodrës, pranë Teatrit Migjeni, prej 42 vitesh tashmë. Jam akoma në formë, nuk kam dalë ende në pension. Aktiviteti im shtrihet kudo ku ka shfaqje të estradës, ku ka koncerte e aktivitete. Vijoj të aktroj në skenë dhe në televizion.
 
Me çfarë repertori jeni duke u angazhuar këto kohë?


Është një komedi e shkrimtarit dhe dramaturgut Tonin Kraja, ku marrin pjesë edhe aktorë të tjerë të njohur si Zyliha Miloti, Anton Krozaj etj. dhe në bashkëpunim me aktorët e dramës. Ka qenë një surprizë e bukur për mua, ta shihja plot e përplot sallën, në të gjitha netët e shfaqjes. Është një komedi e cila njohu mjaft sukses në Shkodër, ku si rrallëherë interesimi i publikut ka qenë maksimal.
Dua të shtoj se taktika dhe qëllimi ynë është të dalim përsëri në formatin e koncert-estradës, në formën e një shou me humor e me këngë, ndaj dhe jemi duke punuar për një premierë të re nga ana e teatrit tonë, si estradë. Duam që të kthehemi edhe një herë në origjinë, për të rikthyer kohën kur i bënim të qeshnin e të argëtoheshin shikuesit tanë të shumtë.
 
A është e drejtë të thuhet se Shkodra vazhdon të jetë kryeqyteti i humorit edhe sot, apo kjo ka ndryshuar?


Jo, nuk ka ndryshuar fare, përkundrazi madje. Shkodra është një gurrë, një burim si Syri i Kaltër, nëse e keni parasysh, i cili ka një veti të tillë, që nuk shteron kurrë. Vetëm se Shkodrën, ashtu si edhe pjesën tjetër të Shqipërisë, e lodhin situatat që krijohen. Ndonëse kemi kohë që kemi dalë në nocionet e lira të përdorimit të humorit, të mendësimit të tij, të shfaqjeve të bazuara në formate të reja menaxhimi, sërish jemi robër të kohës, e cila është kaq e varfër  në këtë qytet. Në fakt kjo është një gjendje e përgjithshme e artit dhe kulturës në gjithë Shqipërinë, jo vetëm një problem i Shkodrës. Ajo që bie në sy për keq, është se në një terren kaq të pasur në vlera, talente dhe humor, kjo gjendje përjetohet edhe më me vështirësi.


Sot ishte dita e luleve, më parë në shkurt kishim karnavalet. Janë këto festa që na bëjnë të mendojmë për rininë, për bukurinë e jetës. Ka plot djem e vajza të talentuar që dalin e performojnë nëpër rrugë e podiumet që bëjmë ne me rastet e festave. Ka talente e dëshirë plot, por ka ende pak mundësi për ta zhvilluar talentin e tyre. E kjo të dëshpëron në një farë mase.
 
Megjithatë, është vështirë të arrihet sot ndoshta plejada e artistëve e humoristëve të kohës tuaj, apo jo? Sa pajtoheni ju me këtë përshtypje të një mase të madhe shqiptarësh që e kanë ndjekur karrierën tuaj dhe të kolegëve tuaj?


E kuptoj që kjo është më shumë një dëshirë e shprehur, për të lartësuar edhe më shumë punën tonë, por unë dua të them që ka plot të rinj të mirë që dalin e spikasin edhe sot. Por i takon mbi të gjitha shtetit, që përmes subvencionimeve dhe investimeve të prekshme, të mund ta stimulojë këtë gjë, pra aktivizimin e të rinjve, në mënyrë që asnjëherë arti të mos ndjejë rënie e që publiku të mos mbetet me kokën pas. Sepse unë e kuptoj për shembull që futbolli është një gjë e fuqishme, një gjë e bukur, që mbledh mijëra vetë në një stadium gjatë ndeshjeve, por edhe arti ka të njëjtën forcë, madje edhe më madhe. Në një sallë spektaklesh mund të mblidhen edhe dhjetë mijë vetë, po të jepen njëzet shfaqje rresht. Le të hedhin edhe njëherë sytë nga arti, le të na pyesin edhe ne të vjetrit ndoshta, meqë kemi sa e sa tituj e meqë na kanë lavdëruar aq shumë, se si qëndron puna me krijimin e një baze solide për të ardhmen. Të rinjtë vijnë, vetëm se duhen stimuluar.
 
Nëqoftëse do të krahasojmë dy shkollat e humorit, atë të atëhershmen e këtë të sotshmen, cila ju pëlqen më shumë juve, si profesionist?


Tanimë intelekti, kultura, njerëzit, gjithçka është në rritje. Në këtë fazë sot, pas njëzet vjetësh, kur ne dolëm asokohe si “thiu nga tharku”, siç themi ne në Shkodër, arti shqiptar ka bërë përpjekje për t’u afirmuar në Europë. Sot kemi artistë si Elhaida Dani e plot të tjerë. Duhet thënë se është ecur mirë edhe në vitet e fundit dhe për këtë jam shumë i kënaqur.
 
Megjithatë, Tano Banushi dhe Zef Deda nuk ka akoma sot, apo jo, nëqoftëse do të krahasonim dy epokat.
Kur kam qenë i vogël dhe interpretoja afër me Tano Banushin, gjithmonë thoja me vete se “kurrë s’do të jem si ai”. E njëjta gjë vlen edhe për Paulin Prekën, Zyliha Milotin e shumë të tjerë, me të cilën ka qenë fat i madh të punoje e interpretoje. Tano dhe të tjerët kanë qenë të mëdhenj, jashtëzakonisht të mëdhenj. Kjo është ajo që mund të them sot, pas shumë viteve. Spektatori i ka dashur shumë të gjithë dhe i ka mbështetur megjithë forcën. Ka qenë një shpagim i pakrahasueshëm për të gjithë ne që i dhamë jetë asaj plejade artistësh, duke krijuar një shkollë të vërtetë humori.
 
Sa e ndiqni djalin tuaj Julin, nëpër spektakle?


E ndjek pothujase në të gjitha gjërat që bën, sa herë që kam mundësi. Me thënë të drejtën e ndjek më tepër pasi, siç ju thashë, gjykoj se është ende në fazat e maturimit të karrierës artistike, derisa të formojnë atë personalitetin e vet dhe të ketë nisur një rrugë solide në skenë. Gjithsesi jam i kënaqur me mënyrën sesi ka ecur rruga e tij në art.
 
Çfarë do të thoshte aktori dhe jo prindi Zef Deda, për aktorin dhe jo birin Jul Deda?


Pak e vështirë të jesh thjesht spektator, kur ai që interpreton është fëmija yt. Meqë ma kërkoni, po ju them se Juli më pëlqen shumë, por ja që nganjëherë kam edhe vërejtje. Kam qejf që të ruhet fort nga zhargonet dhe të përpiqet t'ju qëndrojë sa më larg banaliteteve. Gjuhën ai e ka shumë të mirë dhe mua më pëlqen si aktor. Por sfida e artit të sotëm, për mendimin tim, është të qëndrojë i pastër nga banalitetet dhe humori me efekte dhe pa përmbajtje.


A ka ndonjë rol që ju ka mbetur merak, që keni dashur ta luanit e s’keni mundur? A ju ka mbetur ndonjë karakter në mendje?


Si personazhe nuk mund të them se s’kam interpretuar shumë. E kundërta madje. Nëse duhet të gërmoj në karrierën time, them se më ka mbetur peng që kur isha i ri, nuk interpretova në një metrazh të gjatë, në Kinostudion e asaj kohe. Kam dashur gjithmonë të aktivizohem në filmat komedi me metrazh të gjatë, por nuk e realizova dot këtë, e kjo më ka mbetur merak. Kam qenë ndër ata aktorë në Shqipëri që them se i kam pasur kapacitetet e mira edhe fizike, edhe me zërin kam qenë shumë mirë, edhe njohuritë për zbërthimin e personazheve gjithashtu. Kam dashur, për shembull, të sjell një Charli Chaplin shqiptar, që të mbeste nga jeta ime, nga puna ime. Por ja që s’u bë realitet. Këto janë lojrat e fatit.
 
Së fundmi, çfarë porosie do i jepje Julianit në këtë intervistë, që simbolikisht e kemi quajtur "babë e bir"?


Kam vetëm një porosi për djalin tim: Ta mbajë sa më lart flamurin e artit dhe të kulturës, pikërisht me kulturë, me finesë e me art, duke mos kaluar asnjë cak tjetër. Arti nuk mund të jetë banal, artisti duhet të dijë t’i përçojë vlerat e artit me dinjitet dhe personalitet. Këtë i kërkoj Julianit, përmes faqeve të revistës tuaj. Të tjerat, jam i sigurt që i di vetë.
 
 
Julian Deda: Dikur bëhej humor "bio", sot është shumë e vështirë
 
Publiku shqiptar e njeh dhe e vlerëson prej vitesh Julian Dedën. A mendon se epiteti "artist i ri" nuk shkon më në rastin tuaj?


Përsa i përket termit artist i ri, nuk mund ta them unë nëse më shkon akoma apo jo. Këtë duhet absolutisht ta vendosë ai që e vendos se çfarë jam unë, pra publiku. Ndoshta profesionalisht kam bërë jo pak, duke patur parasysh eksperiencën 10 vjecare skenike me mbi 400 shfaqje televizive dhe teatrale. Por unë mendoj se nuk kam bërë akoma as gjysmën e asaj që duhet të bëjë një artist për emrin e tij. Keshtu qe ndoshta vazhdoj te jem “artist i ri” ne syrin e publikut. Në fakt më perkedhelet sedra nëse me quajnë akoma të ri. Ndoshta duhet të mërzitem nëse filloj të futem te veteranët, sepse je afër momentit që duhet t’i hapësh rrugën dikujt tjetër.
 
Sa e vështirë ka qenë të përballeshit me mbiemrin familjar, me të cilin hytë në rrugën e humorit? Si ju dukej kur thonin për ju "ky është djali i Zef Dedës"? A mendoni se vazhdojnë ta thonë edhe sot?


Nuk mendoj se është e vështirë teknikisht, por vështirësia qendron në të mbajturit mirë dhe në nivele të larta të mbiemrit. Mua nuk më ka shqetësuar asnjë sekondë fakti që njerëzit më shquajnë si djali i Zefit. Përkundrazi, unë e kam për kënaqësi, nder dhe përgjegjësi të ma thonë. Nuk më shqetëson për faktin që unë personalisht jam munduar që të krijoj një tjetër profil nga ai i babait tim. Ai ka krijuar një karrierë, një figurë të ndritur dhe shumë të suksesshme në historinë e artit tonë skenik dhe unë s’kam pse te jem një kopje e tij. Përkundrazi, është më bukur, kur nga e njëjta familje dalin dy artistë të ndryshëm dhe me personalitet të spikatur artistik.
 
“Portokalli” ka qenë një eksperiencë e parë e madhe pune. Si qëndron “Apartamenti”, në raport me atë shou? Ku ndryshojnë të dy spektaklet? Cili prej tyre i përshtatet më mirë profilit tuaj artistik?
Është shumë e vërtetë që spektakli “Portokalli” është përballja ime e pare reale me publikun. Gjithmonë e kam thënë që puna e bërë atje, ka qenë një punë e bërë me zemër, dëshirë dhe shumë përkushtim, por mbi të gjitha pa hile. Prandaj unë ruaj kujtime personale dhe profesionale nga ai spektakël.


Ndërsa “Apartamenti 2xL” është një tjetër stad, për mendimin tim. “Apartamenti 2xL” është nje terren mjaft i vështirë për një aktor dhe mendoj që janë të rrallë aktorët që e përballojnë këtë lloj formule televizive. Përveç vështirësive, duhet thënë që aktori  profesionalisht duhet të zgjedhë “Apartamentin 2xL”, para “Portokallisë”. Unë mendoj se jam përshtatur mire në të dyja formatet, por abitatin tim natyral kam “Apartamentin 2xL”.
 
Egziston një ide se humori i dikurshëm kishte më shumë profesionalizëm dhe emra të mëdhenj, natyrisht përtej dozave të politizimit dhe skematizmit ideologjik. Çfarë mendoni kur shihni një skec të viteve '80?


Unë i kam pare pak ashume te gjithe skecet e asaj kohe. Duhet respektuar pa me te voglen rezervë puna e aktoreve te asaj kohe. Une personalisht jam rritur me emrat dhe batutat e tyre. Por nuk duhet te harrojme qe behet fjale per dy epoka humori komplet te ndryshme, ne te gjitha parametrat. Ne ate kohe, me te vertete nuk mund te beje humor për gjithçka sepse të dënonin, por humori ishte më i filtruar, më i kulluar, me “bio”, siç thuhet sot.


Artistet e asaj kohe dilnin më rrallë në televizion dhe sigurisht priteshin me një kuriozitet më të madh, sepse publikun e merrte malli për artistin. Kurse sot është një tjetër sistem, po aq i vështirë dhe i ndërlikuar.


Eshtë e vërtetë që sot mund të bësh humor me gjithçka, por mos të harrojmë konsumimin e përjavshëm që peson aktori. Përveç kësaj, mungojnë penat e humorit në Shqipërinë e sotme. Humori duhet të ecë me të njëjtën shpejtësi që lëviz social-politika jonëë. Pra, me pak fjalë unë mendoj që aktorët e humorit, në çdo sistem, janë heronjtë e artit. Sepse punojnë në çdo kohë në kushte “të vështira”…!
 
Ku po shkon sot humori shqiptar? Si e shihnin trendin e përgjithshëm të këtij zhanri artistik?


Mua më vjen keq që humori është i lidhur jetikisht me politikën. Po sikur të mos kishte gafa politike, çdo bëhej me humorin?! Gjithsesi unë mendoj që tashmë ky zhanër është konsoliduar, sepse pas viteve 90-të, pati një boshllëk humoristik në vend. Sot emisionet me humor janë më të dashurat për publikun. Madje po tentojnë të bëjnë humor edhe aty ku nuk bëhet. Megjithatë ne aktoret duhet të tregohemi të kujdesshëm, që të mos e shpërdorojmë këtë mundësi të artë që na e ka dhënë fati. Duhet ta bëjmë sa më të shëndetshëm humorin.
 
A duhet të jesh medoemos shkodran që të bësh humor? Pse keni një sens kaq të zhvilluar humori ju shkodranët?


Nuk është e thënë se duhet të jesh shkodran që të bësh humor. Por gjithsesi Shkodra me të vërtetë është një vend që e përfton humorin. Çdo njeri në Shkodër ka dëshirë të bëjë batuta, apo të krijojë situata komike. Eshtë ambjenti i tillë. Nëse nuk e ke këtë sens humori, ndoshta vetpërjashtohesh nga grupi. Bëhet humor në dasma, festa, kafe, punë….etj etj, nganjëherë plas humori edhe në mort. Unë mendoj që një popull që e njeh dhe e bën humorin, është një popull inteligjent!
 
Si është jashtë skene Julian Deda? I njëjti person plot humor dhe batuta,apo një njeri si gjithë të tjerët?


Unë jam një njeri si gjithë të tjerët. Por sigurisht karakterizohem nga një karakter sanguin, i cili më shtyn gjithmonë drejt situatave sportive dhe me humor, edhe gjatë ditës sime më të zakonshme. E rëndësishme është që Julian Deda, edhe pse është bërë një njeri i njohur, nuk ka ndryshuar përballë njerëzve që e njohin. Ata mund ta vërtetojnë këtë.
 
A e shihni veten edhe një herë në “Portokalli show”, apo edhe në rolin e anëtarit të “The SHBLSH”?
 
Unë jam profesionist, dhe si i tillë kurrë nuk them kurrë. Gjithsesi mendoj se “Portokalli” është një kapitull i mbyllur, sepse shikoj që nuk është më në standartet e para, për të cilat punuam të gjithë. Fatkeqësisht, një tjetër mentalitet e ka përfshirë atë spektakël. Persa i përket “The SHBLSH”, duhet të marr edhe mendimin e Ermal Mamaqit…


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama