De Biazi Ndeshja e ... karrieres

De Biazi: Ndeshja e ... karrieres

Është i qartë, i kthjellët dhe i gatshëm për të hyrë në historinë e Kombëtares shqiptare, nëse skuadra e Shqipërisë arrin të kualifikohet në Euro 2016, ndonëse duhet të fitojë një herë me Armeninë. Xhani De Biazi kërkon që skuadra e tij të qëndrojë me “këmbë në tokë” dhe të marrë me maturi këtë ndeshje. Trajneri ka shpjeguar me detaj kundërshtarin dhe çfarë pret nga skuadra në 90 minutëshin e së dielës. “Për këtë ndeshje kemi thirrur 28 lojtarë, për një motiv të thjeshtë se forca jonë qëndron te grupi dhe 28 lojtarët që janë thirrur më kanë dëshmuar një profesionalizëm të madhe dhe seriozitet të madh, krenari për qenë pjesë e Kombëtares dhe, për më tepër që ndihen të disponueshëm për njëri-tjetrin, për të dhënë 100 për qind. Nga ndeshja e fundit kanë kaluar 4 muaj dhe pak ditë, kohë në të cilën kam parë të gjithë lojtarët në detaj dhe me çdo mënyrë. Kam parë edhe ata që duhet të shihja nga afër. Por duhet të kemi kujdes, sepse duhet të shohim progresionin e lojtarëve nga ana fizike dhe teknike. Ndeshja e radhës është shumë e vështirë.

Janë një rival i fortë dhe ne nuk e kuptojmë mirë, sesa është forca e kundërshtarit që do të përballemi. Takoj njerëz në avion, nëpër rrugë dhe të gjithë thonë fitore, fitore, fitore. Duhet të jemi me ‘këmbë në tokë’. Duhet të luajmë me zgjuarsi dhe të mbështetemi te kualitetet tona. Ata luajnë në grup, kanë zhvilluar 3 ndeshje. Kanë humbur me Danimarkën dhe Portugalinë, ndërsa kanë barazuar me Serbinë. Kjo është një skuadër kompakte, që ka humbur për pak ndaj portugezëve, fitonin në pjesën e parë në Danimarkë, por më pas humbën dhe barazuan me serbët në një 90 minutësh, ku mund të fitonin, sepse humbën një penallti në sekondat e fundit, por edhe mund ta kumbisnin. Ne duhet të fitojmë një ndeshje, duke luajtur në mënyrë inteligjente, por duke mos nënvlerësuar kundërshtarin dhe asnjë detaj që gjithmonë bën diferencën në ato 90 minuta.

Nga ana tjetër, të gjithë e dimë mirë sesa e rëndësishme është për çështjen e motivimit, ndeshja e së dielës. Për atë që kemi bërë gjatë këtyre eliminatoreve, duke përjashtuar ndeshjen me Serbinë, ndonëse edhe ajo ishte pozitive, kemi bërë gjëra të mëdha, por nuk duhet të kënaqemi. Vlerësimi i vetvetes, vendosmëria dhe personaliteti që kemi treguar ndaj skuadrave të mëdha, na kanë ndihmuar shumë gjatë kësaj kohe, ku jemi rritur. Por ne nuk duhet të bëjmë gabimin të mendojmë se jemi të fortë. Ne jemi të fortë, nëse njohim faktin sesa është limiti dhe fuqia jonë. Të gjitha këto virtyte na kanë bërë që të përballemi me ndeshjet e deritanishme. Ky shpirt dhe kjo dëshirë që kemi treguar nuk mund të humbasë tani. Nuk duhet të kënaqemi asnjëherë, por duhet të kërkojmë më shumë, duke vlerësuar edhe kundërshtarin. Të dielën do të jetë një ndeshje shumë e rëndësishme për ne. Është një udhëkryq për të gjithë Kombëtaren. Duhet të bëjmë gjithçka në detaje, të përgatitemi sa më mirë, për të arritur të mundim Armeninë. Kjo do të thoshte se do të vazhdonim vrapin drejt ëndrrës për t’u kualifikuar në Francë.

Në ndeshjen e fundit me Armeninë kemi fituar 2-0. Ishte miqësore, por është ndryshe sepse nuk ishte Mkitarian. Ndryshon gjithçka. Një ndeshje që nuk mund të krahasohet. Ka ndryshuar trajneri, ka ndryshuar çdo gjë dhe nuk mund të hiqen paralele. Ekuilibri mendor së pari do të vendosë ndeshjen. Nuk duhet të futemi në kllapat e euforisë dhe të jemi sa më larg faktit që tifozët tanë kërkojnë fitore, fitore, fitore dhe të luajmë në mënyrë inteligjente. Ndeshja me Serbinë ka qenë një takim i paharrueshëm, por jo një pengesë. Madje është e kundërta. Pas asaj ndeshjeje kemi bërë dy takime të tjera dhe ajo që ndodhi nuk është se na prek fare. Nuk është se kemi ndonjë dilemë të madhe, përsa i përket formacionit. Kemi afruar 28 lojtarë, por Curri dhe Rama kanë probleme. Gjatë javës do të shohim se cili është mirë dhe çfarë do të ndodhë”, është shprehur në fillim italiani.

Pak fjalë inkurajuese dhe respekt edhe për kundërshtarin, që sipas De Biazit ne e nënvlerësojmë, duke qenë euforikë. “Trajneri i Amenisë po bën shumë të mirë. Kam parë çdo ndeshje të tyre. Rreshtoheni mirë në fushë. Nuk kanë cilësinë, për të arritur rezultatin. Por nëse nuk vinë rezultatet, gjithmonë fajin e kanë trajnerët. Nuk dua të flas për shkarkime, sidomos për trajnerin e Armenisë që ka një CV të pasur, por do të isha shumë i lumtur nëse Shqipëria do të merrte një fitore kaq të rëndësishme. Unë nuk e mbivlerësoj kundërshtarin. Faktet janë kokëforte. E di, që shumë lojtarë tanët, nuk kanë luajtur shumë. Por unë kap anën pozitive të çështjes. Janë stërvitur mirë, janë të rinj të fortë, të freskët. Mavrajn e pashë në lojë, por së bashku me Lorikun në Kombëtare ndryshojnë. Nuk jemi nën presion.

Ne po bëjmë gjëra që janë dhe shkojnë më shumë se çfarë kishim parashikuar dhe prisnim në fillim të sezonit. Ne mund të luajmë qetë dhe të mos jemi nën presion. Kjo do të thotë, se ne nuk e pranojmë barazimin. Ose më mirë e pranojmë, vetëm nëse në fund do të jemi të kënaqur e që do të thotë se kundërshtari ka luajtur më mirë se ne. Sa për deklaratën e Dukës, dua të them se ai ka deklaruar se kërkon që të mundohemi të fitojmë këtë ndeshje. Dhe kjo është ndryshe nga fakti që duhet ta fitojmë medoemos. Kam folur me Dukën dhe ai është në një mendje me mua se, ndeshja me armenët është e vështirë, sepse duhet ta fitojmë dhe pikërisht ky është thelbi i çështjes.

Kur luan ke 3 rezultate në tavolinë. Besoj se nëse përgatitemi mirë, siç e thashë edhe më lart mendoj se mund ta fitojmë këtë ndeshje. Më pas nëse ndodh e kundërta, do të shohim të analizojmë problemet. Gjithsesi, të mendojmë për ndeshjen. Sa për formacionin unë mendoj se ekuilibruesi i skuadrës është reparti i mesfushës. Sulmi zgjidh ndeshjen, ndërsa mbrojtja dhe porta janë garancia për të mos u ndëshkuar. Le të mos harrojmë edhe atë që kemi bërë në fillim të këtyre eliminatoreve. Lojtarët i njoh mirë dhe nuk mund t’u them gjë nëpërmjet letrave, por gjithçka ua them sy më sy. Shkurt duhet të ndryshojmë mentalitet”, përfundon fjalën e tij, trajneri i përfaqësueses së Shqipërisë, Xhani De Biazi.

Të veçanta

Pesë mbrojtës sërish?

Nuk e di nëse shënojmë, por them që do të ndryshojmë taktikë, këtë herë ndryshe nga takimet e fundit.

Në histori?

Nuk më pëlqen të nisim festën përpara. Bëni gati veglat e muzikës, rregulloni kordat dhe më pas festoni. Këto eufori shqiptare, ju e dini që nuk më pëlqejnë fare. Të arrijmë diçka, pastaj flasim.

Pasaporta para Armenisë?

Nuk e di unë. E di zoti president. Bëjini një telefonatë atij dhe më pas.... Për himnin po e mësoj nga “youtube”. Sot nuk e këndoj dot, sepse nuk e kam zërin në rregull, por kam kohë edhe 7-8 vitet e ardhshme.

Aliji?

Është një djalë shumë i talentuar. Kemi një vit që e ndjekim. Është një djalë interesant edhe për të ardhmen në pozicionin që luan. Është i ri, 23 vjeç dhe meqenëse në atë vend kemi një djalë 30-vjeçar të ri, por që luan në Azerbajxhan dhe që gjithsesi është një djalë i jashtëzakonshëm, kemi zgjedhur edhe Alijin. Por është një lojtar i së ardhmes.

Sadiku në vend të Kapllanit?

Të them të vërtetën vajta e pashë dhe e takova në stërvitje. Ishte rritur shumë jo vetëm fizikisht, por edhe përsa i përket personalitetit. Është djalë që po piqet, edhe një lojtar i së ardhmes. Ka ndryshuar shumë dhe më ka impresionuar.

Skuadra anti-Armeni

28 lojtarë për ndeshjen me Armeninë. Xhani De Biazi publikon listën e lojtarëve të grumbulluar për ndeshjen me Armeninë, e cila do të luhet më 29 Mars në "Elbasan Arena". Rikthehet Migjen Basha në mesfushë, ndërsa bie në sy edhe grumbullimi i sulmuesit të FC Bazel 1893, Shkëlzen Gashi.

Ja dhe lista e plotë e 28 lojtarëve kuqezi:

Portierë: Etrit Berisha, Alban Hoxha, Orges Shehi

Mbrojtës: Ansi Agolli, Arlind Ajeti, Naser Aliji, Lorik Cana, Debatik Curri, Elseid Hysaj, Andi Lila, Mërgim Mavraj.

Mesfushorë: Armir Abrashi, Migjen Basha, Ervin Bulku, Ergys Kaçe, Burim Kukeli, Ermir Lenjani, Alban Meha, Ledian Memushaj, Valdet Rama, Odise Roshi, Herolind Shala, Taulant Xhaka.

Sulmues: Bekim Balaj, Sokol Cikalleshi, Shkëlzen Gashi, Armando Sadiku, Hamdi Salihi.

Olsi Avdiaj


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama