De Biazi Krenar per fitoren e pare si shqiptar!

De Biazi: Krenar  per fitoren e pare si shqiptar!

Trajneri nuk përmbahet: “Entuziazmi përpara ndeshjes më frikësoi, por kur pashë lojtarët që hynë me besim në fushën e lojës u qetësova dhe prita fundin për të festuar”

 

Fitorja e parë si shqiptar. Kështu mund të titullohet ky sukses për De Biazin, i cili vetëm një ditë përpara ndeshjes u pajis me pasaportën shqiptare nga ana e Presidentit të Republikës, ndërsa dje, trajneri i kuqezinjve pati një meritë të veçantë në marrjen e tri pikëve ndaj Armenëve. E nis ndeshjen pa Gashin e Lenjanin, duke i besuar një skuadre me më shumë muskuj, ndërsa pas pjesës së parë dhe disavantazhit largon Abrashin dhe Memushajn. Ishte ky momenti kur trajneri i kuqezinjve luan të gjitha kartat për fitore, edhe pse në stol ishin të tjerë sulmues të gatshëm, ndërsa mes tyre i beson eksperiencës së Salihit. Në fund, Shqipëria kthen rezultatin ndaj Armenëve dhe fiton 2-1. Për De Biazin, merita e këtij triumfi është e gjithë futbollistëve të tij, të cilët dhanë maksimumin dhe besuan deri në fund për tri pikët.

 

-Si e përjetoi De Biazi një ndeshje të tillë, me kthim rezultati dhe me shumë raste për shënim nga ana e kuqezinjve?

-Ishte një ndeshje që e përjetova me ankth. Të gjithë prisnin fitoren, duke parë edhe nivelin e kundërshtarit që nuk ishte në lartësinë e atyre me të cilët ishim ndeshur deri tani në këto Eliminatore. Por me gjithë entuziazmin e lartë përpara ndeshjes, personalisht jam qetësuar në momentin kur pashë lojtarët që hynë në fushën e lojës me aq vendosmëri për të dalë fitues. Pas kësaj qëndrova i qetë në bankinë duke pritur fundin e ndeshjes për të festuar (qesh).

-Sa shijon për ju kjo fitore e parë me nënshtetësinë shqiptare?

-Jam i kënaqur që e kthyem rezultatin në pjesën e dytë dhe më vjen mirë që arrita fitoren e parë pas marrjes së nënshtetësisë shqiptare. E shijova shumë këtë pjesë. Lojtarët zhvilluan një ndeshje të mrekullueshme dhe kjo është ajo që më më bën edhe më shumë krenar.

-A ishit përgatitur për një fillim kaq të vështirë të takimit?

-Nuk mund ta dish kurrë se si do të rrjedhin ngjarjet në një ndeshje futbolli. E rëndësishme është të reagosh në kohë dhe të ndryshosh historinë e saj në favorin tënd. Pjesa e parë nuk u interpretua siç duhej nga ana jonë. U ndëshkuam për faj të një gabimi në mbrojtje, pasi ishim në zotërim të topit, e humbëm dhe më pas shënuam në portën tonë. Megjithatë, e rëndësishme është që gjetën kurajën për të reaguar në fraksionin e dytë të takimit.

-Sa meritë kanë lëvizjet tuaja në pjesën e dytë, ku në fushë hynë Gashi e Lenjani dhe më pas edhe Salihi?

-Edhe me fillimin e pjesës së dytë nuk luajtëm menjëherë me tre sulmues. Pavarësisht se në fushë hynë Lenjani dhe Gashi u munduam të ruanim ekuilibrat dhe ta merrnim me qetësi këtë sfidë. Lenjani nuk e nisi përballjen ndaj Armenisë që nga minuta e parë, sepse nuk ka luajtur shumë kohët e fundit me skuadrën e tij. Megjithatë ai mbetet një lojtar mjaft i vlefshëm dhe këtë e tregoi edhe sot (dje), ku përmes lëvizjeve befasuese të tij mund të bëjë diferencën. Gashi bëri gjithçka mirë për ato minuta që iu kërkua të ishte në fushë. Vendosja e tij pas Cikalleshit ishte efikase, sepse i dha më shumë thellësi sulmit tonë, duke krijuar raste për shënim. Më bëhet qejfi edhe për të që arriti të shënonte dhe të na jepte këtë fitore.

-Sa pranë kualifikimit është Shqipëria në Evropianin e Francës?

-Nuk mund të themi asgjë me bindje. Është e vërtetë se kemi një ecuri pozitive, kemi zhvilluar ndeshje mjaft të mira dhe nuk kemi pësuar asnjë humbje. Të vetmen disfatë që kemi pësuar është ajo ndaj Serbisë, për të cilën unë vazhdoj të këmbëngul se na është bërë një padrejtësi dhe na është mohuar e drejta jonë në mënyrën më të shëmtuar të mundshme. Shpresoj që më datë 17 prill të vendoset drejtësi nga ana e KAS-it dhe Shqipëria të marrë atë çka i takon.

-Cilin nga sistemet e lojës do të zgjidhni për ndeshjet në vazhdim, duke parë se ndaj Armenisë, modulet e lojës nga njëra pjesë në tjetrën ishin të ndryshme?

-Nuk kemi ndryshuar sistem loje. Edhe ndaj Armenisë kemi përdorur të njëjtin modul loje si në ndeshjet e fundit të zhvilluara gjatë këtyre Eliminatoreve. Ndryshimi ishte vetëm në lojtarët që u aktivizuan, ku ata që u aktivizuan në pjesën e parë ose kanë zhvilluar shumë ndeshje me skuadrat e tyre, ose e kundërta, kanë luajtur pak ndeshje.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama