Dardanet ne shek. IV p.e.sone.

Lindja dhe forcimi i Mbretërisë Dardane
Lajmi i parë për dardanët i përket mesit të shek. IV p.e.sonë dhe tregon për një përpjekje të mbretërisë së Maqedonisë, që ishte bërë asokohe fuqia politike-ushtarake më e madhe në Ballkan, për të forcuar kufijtë veriorë. Sipas historishkruesit romak, Justinit, Filipi II kishte mundur të mposhte e të nënshtronte dardanët e fqinjët e tjerë. Kjo luftë e sundimtarit maqedon lidhet me pushtimin e Paionisë dhe në përgjithësi me veprimet e tij ushtarake kundër ilirëve, sepse në vitin 344 p.e.sonë ai sulmoi edhe shtetin ilir.
Gjendja që Filipi II vendosi në kufirin me dardanët qe e përkohshme dhe më tepër një sigurim i kufijve me fqinjët ilirë, të cilët e kundërshtonin politikën hegjemoniste të Maqedonisë në Ballkan. Në kufirin me dardanët shteti maqedon kishte arritur pasi kishte pushtuar viset e paionëve. Ngjarjet që ndodhën pas kësaj lufte, duke filluar me kryengritjen e vitit 335 p.e.sonë tregojnë qartë se dardanët nuk u pajtuan me politikën pushtuese të Maqedonisë dhe me gjendjen e krijuar në kufirin jugor, prandaj edhe u bashkuan me koalicionin antimaqedon.
Duke përshkruar ngjarjet e mësipërme, autorët antikë nuk përmendin asnjë qendër banimi të dardanëve dhe nuk thonë asgjë për organizimin e tyre të brendshëm. Madje, ata nuk përmendin as sundimtarin e tyre. Por ngjarjet e mëvonshme dhe të dhëna të tjera burimore dëshmojnë se në gjysmën e dytë të shek. IV p.e.sonë ishte kryer bashkimi i fiseve në një bashkësi të fuqishme. Dardania asokohe përbënte një tërësi gjeografike e politike më vete. Në bashkësinë e dardanëve ishte rritur mjaft pushteti i parisë pronare të tokave. Nga gjiri i kësaj parie doli më vonë dinastia mbretërore, që i vazhdoi luftërat me Maqedoninë, shkaku i të cilave nuk qe vetëm plaçka. Këto luftëra u nxitën, në radhë të parë, nga politika e sundimtarëve maqedonë, të cilët duke mbajtur të pushtuar Paioninë kishin ndërprerë marrëdhëniet miqësore midis dy fqinjëve dhe kërcënonin në mënyrë të vazhdueshme dardanët.
Në fillim të shek. III p.e.sonë në trevën qendrore të Ballkanit del Mbretëria Dardane si një organizëm politik i rëndësishëm. Në vitet 80 të atij shekulli, në trevën e mësipërme ndodhën dy ngjarje të rëndësishme, të cilat lidhen njëra me tjetrën: invazioni i keltëve, kalimi i tyre në drejtim të Greqisë e të Maqedonisë dhe ndihma që dardanët i ofrojnë Maqedonisë për t’u mbrojtur nga ky invazion. Sipas njoftimit të Justinit, në vitin 279 p.e.sonë “mbreti i dardanëve” kishte dërguar delegatë te mbreti maqedon Ptoleme Kerauni për t’i ofruar një ndihmë ushtarake prej 20 mijë luftëtarësh në luftën kundër keltëve. Por Ptoleme Kerauni e përbuzi ndihmën dhe iu përgjigj me fjalë fyese delegatëve dardanë. Dardanët morën masa mbrojtëse kundrejt keltëve. Pas disfatës në Greqi, keltët të mundur e të shpartalluar u tërhoqën drejt veriut. Tepricat e ushtrisë së tyre “u asgjësuan të gjitha në tokën e dardanëve, nëpër të cilën deshën të kalonin”, kështu shkruante Diodori në tregimin e tij për përfundimin e invazionit të keltëve.
Ngjarjet që lidhen me invazionin e keltëve janë një burim i çmuar për të njohur gjendjen e krijuar te dardanët në fillim të shek. III p.e.sonë. Ndonëse nuk njihet emri i sundimtarit të dardanëve, dihet se këta të fundit kishin mbretërinë e tyre, e cila tashmë ishte një forcë politike-ushtarake e fuqishme. Ndryshe nuk ka si shpjegohet ndihma prej 20 000 luftëtarësh që mbreti dardan i ofroi shtetit maqedon. Ky veprim i sundimtarit të dardanëve duhet parë si një tregues i fuqisë së Mbretërisë së Dardanëve dhe, ndoshta, edhe si një përpjekje për të ndryshuar marrëdhëniet me fqinjët jugorë.
Pas këtyre ngjarjeve, në burimet e shkruara antike, për katër dekada nuk ka ndonjë lajm për dardanët. Së pari mund të mendohet se gjatë kësaj kohe dardanët qenë të shtrënguar të merrnin masa për zhdukjen e pasojave të invazionit kelt. Duke u mbështetur në përhapjen e onomastikës dardane dijetarët kanë shfaqur edhe një mendim tjetër: gjatë periudhës së mësipërme Mbretëria e Dardanëve u forcua edhe më tej duke zgjeruar njëkohësisht kufijtë e saj në veri e në jug.
Në gjysmën e dytë të shek. III p.e.sonë rifilluan luftërat midis Mbretërisë Dardane dhe shtetit maqedon. Shkaku i fillimit të luftërave duket se ka qenë politika pushtuese e sundimtarëve maqedonë kundrejt fqinjëve të tyre iliro-veriorë dhe në mënyrë të veçantë pushtimi i truallit të paionëve. Paionët herëpashere janë ngritur kundër pushtuesve maqedonë dhe, duke u bashkuar në aleanca antimaqedone, kanë mundur të çlirohen. Një aleancë e vjetër, më tepër se sa një pushtim, duhet të ketë ekzistuar midis dardanëve e paionëve, sepse nuk mund të shpjegohen ndryshe të dhënat e autorëve antikë sipas të cilëve, sa herë që paionët fitonin pavarësinë, dardanët e kishin të hapur rrugën drejt Maqedonisë.
Një politikë të tillë ndoqi edhe sundimtari i parë dardan që njohim me emër, Longari, i cili, pasi çliroi Paioninë në vitin 231 p.e.sonë, luftoi kundër Demetrit II të Maqedonisë duke kundërshtuar kështu përpjekjet e shtetit maqedon për të zgjeruar kufijtë veriorë. Mbretëria Dardane ishte forcuar shumë dhe prej kësaj kohe sundimtarët maqedonë u detyruan të angazhonin forca të mëdha ushtarake në konfliktin me dardanët, çka ndikoi negativisht në veprimet e tyre luftarake në Greqi dhe në përgjithësi në dobësimin e shtetit maqedon.
Në këtë periudhë ngritjeje të mbretërisë së tyre sundimtarët dardanë bënë përpjekje për ta forcuar pozitën e tyre në zemër të Ballkanit edhe kundrejt shteteve të tjera fqinje. Në vitin 229 p.e.sonë, duke përfituar nga rasti që shteti ilir, në krye të të cilit ndodhej Teuta, ishte i zënë në veprime ushtarake në jug, në Epir, “një pjesë e ilirëve, - shkruan Polibi, - ishin shkëputur dhe ishin hedhur nga ana e dardanëve”. Teuta dha urdhër për të bërë paqe me epirotët dhe për kthimin e ushtrisë, e cila duhet të nënshtronte popullsitë e shkëputura nga varësia e shtetit ilir. Polibi nuk thotë nëse shteti ilir i futi nën vartësinë e tij ata ilirë që u bashkuan me dardanët. Trazirat, me të cilat, sipas tij, u ndesh dhjetë vjet më vonë Skerdilaidi, të çojnë në mendimin se shteti ilir nuk mund t’i mbante nën vartësi këto fise. Dardanët, po atë vit, duke shfrytëzuar gjendjen e vështirë që kalonte mbretëria maqedone sulmuan tokat e saj. Maqedonia e dobësuar e përballoi me vështirësi sulmin e dardanëve, gjatë të cilit u vra edhe sundimtari i Maqedonisë Demetri II.
Luftërat dardano-maqedone vazhduan edhe gjatë sundimit të Antigon Dozonit, kur iniciativa e luftës kaloi në duart e Maqedonisë, e ndihmuar edhe nga gjendja e re e krijuar nga aleanca me shtetin ilir. Antigon Dozoni mundi të nxirrte dardanët jashtë Maqedonisë e Paionisë dhe nga të gjitha viset që kishin pushtuar në vitet e fundit të sundimit të Demetrit II. Në qytetin paion Bylazora, në luginën e lumit Aksios, maqedonët vendosën një garnizon të fortë ushtarak. Ky qytet kishte një rëndësi të madhe strategjike, sepse duke u ndodhur në luginën e Aksiosit u mbyllte dardanëve rrugën në drejtim të Maqedonisë. Një forcim i tillë i maqedonëve në kufirin me dardanët ishte i domosdoshëm për mbrojtjen e hegjemonisë mbi Greqinë, aq më tepër kur në brigjet perëndimore të Adriatikut kishin zbarkuar legjionet romake dhe Republika e Romës kishte ardhur në kontakt me Maqedoninë. Kjo gjendje herët a vonë do t’i çonte të dyja palët në luftë.
Politikën antidardane e zbatoi më me konsekuencë pasardhësi i Dozonit, Filipi V. Siç tregojnë burimet e shkruara, Mbretëria Dardane edhe gjatë sundimit të këtij mbreti nuk u pajtua me gjendjen e krijuar në Paioni, as me pretendimet hegjemoniste të Maqedonisë. Në vitin 219 p.e.sonë, kur Filipi V ndodhej në Peloponez ushtria dardane çliroi atë pjesë të Paionisë që mbanin të pushtuar maqedonët dhe bashkë me të edhe qytetin Bylazora. Filipi V u detyrua të ndërpriste luftën në Greqi dhe ta dërgonte ushtrinë e tij në kufijtë veriorë. Veprimet ushtarake u përqendruan përreth Bylazorës dhe luginës së Aksiosit. Forcimi i kufirit verior të mbretërisë maqedone dhe zotërimi i Bylazorës, që sipas Polibit do ta vështirësonte hyrjen e dardanëve në Maqedoni, nuk i ndali sulmet e këtyre të fundit. Në një pasazh të Livit tregohet se sundimtari maqedon u kthye përsëri në vitin 211 në kufirin dardan dhe kësaj radhe pushtoi edhe qytetin Sintia në pjesën jugperëndimore të Dardanisë, dhe në veri të Pelagonisë (rrafshi i Manastirit) një pikëmbështetje tjetër e rëndësishme e sulmeve të dardanëve.
Luftërat që Mbretëria e Dardanëve bëri me shtetin maqedon gjatë sundimit të Filipit V, pavarësisht që nuk arritën të zgjidhnin në favor të tyre çështjen e vartësisë së paionëve, e dobësuan mjaft Maqedoninë dhe u bënë një pengesë serioze për realizimin e ndërhyrjeve ushtarake që synonin rivendosjen e hegjemonisë maqedone në Greqi. Për Mbretërinë Dardane u krijua një situatë e favorshme në konfliktin me Maqedoninë pas agresionit të Filipit V në Ilirinë e Jugut. Në vitin 208 p.e.sonë, dardanët në aleancë me Eropin, sundimtarin e një krahine ilire juglindore, sulmuan Maqedoninë. Ndërsa ky i fundit i kufizoi veprimet ushtarake në qytetin Lyhnid dhe në zonën përreth tij, ushtria dardane zbriti deri në Orestidë, një krahinë në kufirin jugperëndimor të Maqedonisë. Kësaj radhe, duke bashkëpunuar me forcat ilire të Dasaretisë, ushtria dardane kaloi nëpër Pelagoni në kufirin perëndimor të mbretërisë maqedone. Futja e ushtrive ilire në tokat e shtetit maqedon dhe sidomos pushtimi i Orestidës nga ana e ushtrisë së dardanëve e detyruan mbretin maqedon të hiqte dorë nga lufta e Ahesë dhe të kthehej në Maqedoni. Sulmet e dardanëve, shkruante Livi, bënë që Filipi “të tërhiqej edhe nga lufta kundër romakëve dhe e vunë përpara domosdoshmërisë që të mbronte mbretërinë e vet”. Me këto ngjarje të fundit duhet të lidhet edhe një lajm i Justinit, sipas të cilit “dardanët kishin filluar të shkretojnë krahinat kufitare të Maqedonisë dhe kishin marrë 20 mijë robër”. Më pas, vazhdon ai, Filipi V duke analizuar situatën e vështirë në të cilën gjendej Maqedonia dhe marrëdhëniet me kundërshtarët kryesorë të saj, vendosi që fushatën e parë ta bënte kundër dardanëve, sepse ata përbënin një kërcënim serioz dhe zotëronin fuqi të mëdha ushtarake. Për zbatimin e këtij vendimi ai luftoi kundër dardanëve në vitet 208 e 206 para e.sonë.

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama