Dante i shqiptareve konference ne 750-vjetorin e lindjes se autorit

Dante alighieri, Komedia Hyjnore

TIRANË, 9 Tetor /ATSH/ - Në kuadër të kremtimeve botërore të 750-vjetorit të lindjes të Dante Alighierit, Biblioteka Kombëtare, Instituti Italian i Kulturës, Shoqata Dante Alighieri dhe Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë do të organizojnë ditën e martë, ora 11:00, në Bibliotekën Kombëtare aktivitetin promovues, kulturor e shkencor, kushtuar marrëdhënies së veprës danteske me kulturën shqiptare nën titullin " Dante i shqiptarëve".

Bashkëpunimi shumëplanësh do të vijë përmes ekspozitës së botimeve të Dantes në shqip - Ligjëratës së dantologut italian, Prof. Rino Caputo dhe Prezantimin e botimit të parë në Brajl në shqip të "Kome­disë hyjnore".

Në kulturën shqiptare kryevepra poetike e Dante Alighierit zë një vend të privile­gjuar që shumë pak autorë të letërsive jo-kombëtare e jetojnë. Nga sprova e parë e përkthimit prej Luigji Lorekios në arbërisht, kanë kaluar vetëm 120 vjet, por tashmë Komedia Hyjnore gëzon disa përkthime të plota në shqip e të tjera sprova premton ende.

Guxim e joshje marramendëse, identifikim konceptual e rikrijim estetik, sprovat dhe orvatjet e pandërprera për ta përkthyer atë, për ta rrokur me gjuhë, me mend e me shpirt përbëjnë një nga rrugëtimet më të plota në historinë tonë kulturore. Prandaj nuk habisin emrat e poetëve tanë që lidhën përvojën e penës së tyre me të, që nga De Rada e Naim Frashëri, Luigj Gurakuqi e Martin Camaj, Ernest Koliqi e Arshi Pipa, deri te Kadare e At Zef Pllumi, për të shkëlqyer Dante, i papërsëritshëm në përkthimet e Pashk Gjeçit, në elegancën postume të Mark Ndojës, në fragmentet erudite të Nikollë Dakës.

Janë përkthyes-poetë, të cilët, Ferrin simbolik të Dantes jo vetëm e përjetësuan në gjuhën shqipe, por edhe e jetuan çnjerëzisht burgjeve dhe kampeve të internimit komunist. Në këtë rru­gëtim proliferik të Komedisë Hyjnore shqiptohej si një alegori thelbi intelektual e estetik i lirisë. Dantja shndërrohej në "i pashmangshëm". I tillë, edhe në këtë 750-vjetor të lindjes, Dante i të gjithëve, i shqiptarëve, i evropianëve, e përmes rrathëve të vizionit të tij universal, i mbarë njerëzimit.

Duke çmuar vlerën universale të Komedisë Hyjnore, Instituti Italian i Kulturës dhe Shoqata e të Verbërve të Italisë kanë kontribuar financiarisht dhe në bashkëpun­im me Shoqatën e të Verbërve të Shqipërisë mundësuan botimin për herë të parë në shqip në alfabetin Brail (alfabeti i të verbërve) të kësaj vepre. Ajo vjen në përkthimin mjeshtëror të Mark Ndojës, falë edhe kontributit të familjarëve të tij, të cilët e dhanë këtë përkthim në përdorim për të verbrit shqiptarë falas.

Rino Caputo është profesor i Letërsisë Italiane në Universitetin e Romës "Tor Vergata". Ka botuar ese dhe libra mbi Danten, Petrarkën, Manzonin dhe romanticistin e parë italian, Pirandello si dhe kritika letrare italiane dhe amerikano-veriore bashkëkohore. Është anëtar i Arcadias dhe Dante Society of America. Bashkëpunon me revista të mëdha të letërsisë italiane dhe është bashkëredaktor i revistës ndërkombëtare "Dante- International Journal of Dante Studies".

Ekspozita do të qëndrojë e hapur nga data 13 deri më 23 tetor.

/k.m//m.m/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama