Dako Gjiri i Lalezit terren per ndertimin e resorteve turistike

Dako: Gjiri i Lalezit, terren per ndertimin e resorteve turistike

“Toka juaj është mjaft pjellore, bashkë me ato të Manzës, Sukthit dhe gjithë fshatrave të tjerë. Ne do bazohemi tek toka dhe deti në zonën tuaj për rritjen e mirëqenies, zbutjen e varfërisë dhe rritjen e punësimit”. Kështu ka deklaruar kandidati i Aleancës për Shqipërinë Evropiane për Bashkinë e Durrësit, Vangjush Dako, në një takim me banorët e ‘Katundit të Ri’.

Dako është shprehur në këtë takim se, gjatë 20 viteve në këtë zonë nuk është bërë asgjë për të mbështetur fermerët, për këtë arsye siguroi se do të realizojë pastrimin total të kanaleve kulluese dhe vaditëse.

“Ky nuk është thjesht një premtim elektoral, sepse pas 21 qershorit pastrimi dhe mirëmbajtja e kanaleve të tilla do të jetë detyrë funksionale e bashkisë. Sigurisht për të bërë efektin e duhur kjo punë, do të realizohet edhe vënia në punë e 18 rezervuarëve që nuk funksionojnë, por së pari ne vëmë në punë rezervuarin e Tarinit, pasi ai prek më shumë toka për vaditje. Rezervuari i Tarinit është gati për fermerët në fillimin e vitit të ardhshëm”, u shpreh kandidati i majtë.

Dako theksoi rëndësinë e krijimit të Inspektoratit të Mbrojtjes së Tokave Bujqësore, si një strukturë që do të merret me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për problemin e tokave, zhbllokimin e parcelave, dhe piketimin e rrugëve, për lehtësimin e punës për fermerët.

“Modelin e zhvillimit të qytetit të Durrësit do e shtrijnë në tërë zonën rurale, ndërsa fermerët do të orientohen se çfarë është më me leverdi për të kultivuar. Fermerët duhet të orientohen sa më shumë drejt produkteve bio”, tha Dako.

Për zonën që merret me bujqësi do të jetë në dispozicion një shkollë e re profesionale për bujqësinë, e cila shumë shpejt do të jetë gati së bashku me 14 shkolla të reja, me jo më pak se 5000 metra katror sipërfaqe secila.

Dako tha se kjo zonë do të marrë shumë shpejt një zhvillim të madh ekonomik, pasi theksoi se zona turistike e Gjirit të Lalëzit është mjaft e përshtatshme për ndërtimin e resorteve turistike.

Dako ka zhvilluar edhe një takim tjetër me banorët e fshatit Shënepremte, ku deklaroi se investimet në këtë zonë do të jenë të tilla sa nuk janë bërë për 25 vjet me radhë. “Me zhvillimin ekonomik të kësaj zone do të sigurohet e ardhmja juaj dhe e fëmijëve”, shtoi Dako në fjalën e tij.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama