DRKK-Durres inspektime ne Amfiteatrin e qytetit

TIRANË, 19 Nëntor /ATSH/.- Amfiteatri i qytetit të Durrësit u vizitua dhe inspektua sot gjatë ditës nga disa prej anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Restaurimeve si dhe Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë të Ministrisë së Kulturës.

Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Durrës sqaron se vizita dhe inspektimi u zhvillua edhe në kuadrin e mbikëqyrjes dhe ecurisë së punimeve lidhur edhe me prishjen e banesave në hapësirën e Amfiteatrit.

Mbikëqyrja e këtij procesi është ndjekur dhe shoqëruar edhe nga specialistët e DRKK Durrës dhe Institutit të Monumenteve të Kulturës, ku gjatë vizitës janë caktuar edhe tre supervizorë, dy arkeologë dhe një arkitekt, të cilët kanë ndjekur të gjitha punimet në mënyrë të vazhdueshme.

Gjithashtu nga ana e specialistëve të tjerë të DRKK Durrës është inspektuar puna çdo ditë, ndërsa procesi i punës është fotografuar dhe dokumentuar nga mbikëqyrësit.

DRKK Durrës sqaron se puna për prishjen e objekteve është kryer manualisht sipas specifikimeve në projekt, ndërsa thekson se është ruajtur çdo element, si tjegullat, trarët, tullat, objektet e gurit disa prej të cilave janë marrë nga Amfiteatri dhe janë përdorur për ndërtimin e këtyre banesave.

DRKK Durrës bën me dije edhe se projekti parashikonte vetëm prishjen e banesave dhe jo gërmime arkeologjike.

/k.m//m.m/


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama