Coppola Mjaftonte ‘Kumbari I’ te tjeret i bera per para

Coppola: Mjaftonte ‘Kumbari I’, te tjeret i bera per para
Për të qenë të sinqertë, deri në momentin që ai zbriti nga limuzina e zezë dhe vendosi këmbën mbi tapetin e kuq, shtruar përpara teatrit “Aleksandër Moisiu”, ekzistonte frika se ai mund edhe të mos vinte.Çdo kërkonte Francis Ford Coppola në një vend si Shqipëria dhe në një festival 4-vjeçar si ai i Durrësit?! Por dje, një nga regjisorët më të mëdhenj të të gjitha kohërave ishte pikërisht në Durrës. Menjëherë pas mbërritjes nga Aeroporti, ai u drejtua për në teatrin “Aleksandër Moisiu”, ku e prisnin jo pak njerëz, qofshin këta të artit, apo edhe adhurues e kureshtarë. “Më bëni çfarëdolloj pyetje të doni. Mund të flasim për kinemanë, aktrimin, të shkruarit, teknologjinë…. Mos jini të turpshëm të më pyesni për gjithçka. Dua të jem i dobishëm për ju, meqenëse shoh shumë të rinj këtu”. Kështu, energjik, do t’u drejtohej tani kureshtarëve regjisori fitues i disa Oskarve e shumë çmimeve të tjera kinematografike. Takimi i parashikuar vetëm 60 minuta, zgjati dyfish. Babai i “Kumbarit”, “Apocalypse now”, “Drakula”, etj., u përgjigjet pyetjeve mbi karrierën, familjen, vështirësitë, ëndrrat…

Jeni në Shqipëri sot, e njihnit më parë?

Ishte viti 1972, kur xhiroja në Dubrovnik, në ish-Jugosllavi dhe që përtej dukej bregu juaj. Isha shumë kureshtar për të vizituar këtë vend kaq të bukur, por aso kohe ishte e pamundur. Ndaj dhe jam shumë i kënaqur që jam këtu pas kaq shumë vitesh.

Nga skenarist, në regjisor, si nisi…?

Kur isha i ri shkruaja pjesë teatri. Doja të bëhesha shkrimtar, një shkrimtar i mirë, por një ditë teksa isha në prapaskenë pashë që ishte dikush që drejtonte gjithçka, atëherë mendova se duhej të bëhesha regjisor. Dhe ëndrra ime e madhe ka qenë gjithnjë që të vija në skenë pjesët që unë shkruaja. Doja që të shkruaja pjesët e mia origjinale dhe jo të adaptoja histori që të tjerët kishin shkruar.

Megjithatë, keni realizuar një nga filmat tuaj më të mirë, “Kumbari”, mbi një histori të dikujt tjetër…

Nga mbërritja e tij në teatrin “Aleksandër Moisiu”, shoqëruar nga aktori Timo Flloko Fotot: Vlasov Sulaj

Ndërsa ishim duke kërkuar para për filmin “Njerëzit e shiut”, miku im, dy vjet më i ri, George Lucas, hodhi idenë që të realizonim një projekt të dytë që të mund të na sillnin paratë. Mora në dorë një libër që m’u propozua dhe kështu realizova një film të madh që ishte “Kumbari”. Por, me thënë të drejtën ky film i madh nuk më bëri edhe aq mirë, pasi më largonte gjithnjë e më shumë nga ëndrra ime për të bërë filmat e mi. Sa më të mëdha të jenë buxhetet e filmave, aq më e vogël është fuqia e regjisorit, dhe sa më i vogël të jetë buxheti, aq më i madh është pushteti i regjisorit mbi film. Dhe sa më shumë që futesha në procesin e realizimit të filmave me buxhet të madh, aq më shumë i largohesha mundësisë të realizoja skenarët e mi..

Atëherë si lindi “Kumbari I” dhe II? Ju bën presion Hollywoodi për një të katërt?

Gjatë karrierës sime kam rrezikuar shpesh. Kam pasur raste që jam rrëzuar dhe jam ngritur sërish. Unë nuk e mendoja kurrë se do të bëja një “Kumbar” të dytë. Një ishte i mjaftueshëm. Një film i mirë nuk ka nevojë për një vazhdim. Për dyshin m’u ofruan shumë para, ndërsa propozimi për treshin m’u ofrua pikërisht në një moment të tillë, kur unë kisha nevojë për paratë. Të bësh një film të mirë është si të nxjerrësh një markë. Serialët janë gjithnjë zgjidhje komerciale. Por, për një të katërt nuk besoj se ka më aq shumë para.

Një tjetër “industri e rëndë” ka qenë “Apocalypse now”, si e keni realizuar atë?

“Apocalypse now” ka qenë tmerr i vërtetë. Hollywood-i është i çuditshëm. Ti mendon se kur ke bërë 2-3 filma të suksesshëm, të gjithë do të vijnë pas, por nuk është kështu. Ai ishte filmi i parë që u bë mbi luftën në Vietnam. I vura qëllim vetes të bëja një film të madh që më vonë të bëja filma të vegjël. Kështu që guxova dhe vura gjithçka në lojë, shtëpinë time, vreshtin, madje edhe lotarinë e gruas në një supermarket dhe shkova në bankë. Nuk e mendoja se ky film do të më hante dyfishin e kohës, dhe shpenzimet do të rriteshin 4-fish. Besomëni isha në telashe të mëdha. Isha 30-40 vjeç dhe kisha një familje për të mbajtur. Përgjegjësia ishte e madhe. Teksa punoja, më dukej sikur nuk po gjeja dot fundin që më duhej, pasi, pas gjithë kësaj sakrifice do të ndodhesha me një film normal. Gati e humba mendjen. M’u desh të zgjohesha pas 10 vjetësh që të shihja se filmi im ishte i suksesshëm. Ata që më kishin kritikuar dikur e që më kishin quajtur të çmendur, e futën atë mes klasikëve.

Keni qenë regjisor dhe producent i filmit, ç’ju shijoi më shumë?

Të them të drejtën nuk kam shijuar asgjë. Isha aq i frikësuar gjatë gjithë procesit të prodhimit. “Apokalips now” ishte një gjigand i jashtëzakonshëm, që i kaloi parashikimet, për të cilin nuk pati reagime aq të mira kur doli fillimisht. Madje gazetarët shkruanin pa u bërë ende montazhi. Por, dalëngadalë, njerëzit filluan të ndryshonin mendje dhe ata që nisën ta pëlqejnë u bënë shumë në numër. Vetëm 20 vjet më vonë thanë se ishte i mirë.

Jeni shprehur se tashmë keni nisur një etapë të re në karrierën tuaj, ç’kuptoni me këtë?

Ndërsa i kisha kaluar të 60-at, më saktësisht teksa po i afrohesha të 67-ve, mendova t’i kthehesha ëndrrës sime të dikurshme. Dëshiroja të bëja filma të vegjël, për të cilët mund të gjeja paratë dhe të mund të krijoja të njëjtën atmosferë dhe dëshirë si te “Njerëzit e shiut”. Kështu që kam nisur një etapë të re të krijimtarisë sime, kur mund të realizojë filma të “vegjël”, shumë personalë, intimë, shpenzimet e të cilëve mund t’i përballoj vetë. Dëshira ime është që të ndaj sa më shumë gjëra personale me publikun. Ju e dini si e ka kjo jetë. Kur jeni të moshuar dhe keni shumë thinja në flokë, ktheni kokën prapa dhe shihni se keni bërë diçka.

Përmes filmave tuaj keni zbuluar yje të ardhshëm të kinemasë si Al Pacino, etj, si e nuhasni një aktor të mirë?

Sekreti i gjithë krijimtarisë kinematografike është të jesh i hapur dhe të shohësh përtej. Të jesh i aftë që të shohësh se çfarë të ofrojnë aktorët. Është si piktura e një fëmije. Keni parë ndonjëherë një pikturë të një vogëlushi që të mos jetë e bukur. Sa më shuam rritemi, aq më shumë i largohemi fëmijës që është brenda nesh. Duhet ta ushqejmë atë, ai do të dijë të zgjedhë.

Sa ka ndikuar kinemaja europiane, në veçanti ajo italiane në krijimtarinë tuaj?

Në Hollywood, ne gjithashtu kishim një traditë shumë të mirë, por ndërkohë një traditë shumë e mirë ishte krijuar në Itali, me regjisorë të mrekullueshëm, si Rosselini, De Sica, etj., por kishte edhe kinema japoneze, apo britanike. Kështu që regjisorët e brezit tim u gjendën mes dy traditash dhe u munduam të shfrytëzonim të dyja.

Thatë se dikur merreshit me teatër, e keni braktisur?

Kam qenë student kur nisa të merrem me kinemanë. Kinemaja është arti më i mrekullueshëm që ekziston, është kaq magjik, kaq hipnotizues, saqë unë do të shpenzoja gjithë jetën time duke mësuar dhe eksploruar në të. Kur bën një film ke mundësi të mësosh shumë gjëra. Ti lexon mbi temën që po punon, mbi luftën, mafien, gjithçka. Kur je duke realizuar një film personal, atëherë ti zbulon më shumë mbi veten. Tek filmi “Tetro” tregohet për dy vëllezër dhe mënyrën se si i vogli adhuron të madhin. Ka shumë doza personale në të. Unë kam një vëlla, i cili më ndihmoi në rrugën time dhe, të them të drejtën, jam në siklet për faktin se unë u bëra më “i madh” se ai. Ishte një aksident që unë u bëra i suksesshëm, sepse ai ishte më i zoti se unë.

Cili është raporti juaj me të vërtetën?

Gjithmonë u them të rinjve, që kur shkruani diçka vendosni dhe datën në të. Më vonë, kjo datë do t’ju ndihmojë. Gjithashtu u them që të mos gënjejnë dhe të thonë gjithnjë të vërtetën. Nëse gënjeni nis një proces i tërë gënjeshtrash, ajo fillon dhe ju helmon dhe ju nuk e ndani dot më të vërtetën nga gënjeshtra dhe arsyen pse gënjyet. Është më mirë që të përgjigjeni se ajo është një pyetje e pavend. Mund të mendojnë ç’të duan, por mos gënjeni.

Mendoni se Hollywoodi ka probleme sot?

Tanimë Hollywood-i nuk është më një vend. Nuk është më Los Angelesi. Hollywoodi është një ide, e cila po kopjohet ngado. Në qoftë se do të më pyesni nëse tregu i filmit ka probleme, atëherë unë ju them që ka, për faktin se bëhet në vazhdimësi i njëjti film. Ka nevojë për më shumë variacione, më shumë dramë, komedi… Sot ka shumë regjisorë të mirë në gjithë botën, që realizojnë filma të pavarur, por problemi i tyre është që nuk sigurojnë dot financat e duhura. Por, kinemaja është e re, ka ende shumë për të zbuluar. Nipërit tanë do të bëjnë kinemanë e vërtetë.

Çfarë do i këshillonit regjisorët e rinj?

Unë vë në lojë paratë e mia dhe jo të sponsorëve. Është më e lehtë të rrezikosh vetë, se sa të bindësh ata që i kanë paratë, të t’i japin. Për të gjithë ata regjisorë të rinj, që duan të bëhen të suksesshëm i them që të martohen sa më shpejt. Duke pasur një familje do të bëhen më seriozë dhe do të kenë më shumë përgjegjësi. Më pas, fëmijët do t’ju ndihmojnë. Nëse jeni një regjisor i ri duhet të keni patjetër një punë të dytë, në mos të tretë. Mos mendoni se do bëni para nga filmat. Unë me të njëjtin instinkt që kam bërë filmat, kam blerë një tokë dhe ngrita një vresht për të bërë verë, pasi ishte ajo që amerikanët donin në atë kohë. Të jesh artist do të thotë të kesh një padron dhe nuk ka padron më të mirë se vetja. Nëse je një grua e re, që do të bësh karrierë si regjisore… Mos u marto! (Bëj shaka, ime bijë Sofia, sapo është martuar).

Tashmë Sofia është kolege dhe një “rivale” e juaja, si ju bën të ndiheni kjo?

Unë i dua shumë fëmijët. Gjithmonë i kam dashur. Kur isha 15 apo 16 vjeç isha këshilltar në kampet verore. Madje unë jam bërë me fëmijë qysh në moshën 22-vjeçare. Gjatë karrierës sime më është dashur shpesh të largohesha nga shtëpia, me javë të tëra dhe, në vend që të rrija larg tyre, i merrja gjithnjë me vete nëpër sheshxhirime, në Filipine, Karaibe, kudo ku kam qenë. Kështu që duke luajtur dhe argëtuar së bashku ata mësuan gjithçka mbi filmin. Kështu lindi tradita familjare e ndjekur nga ime bijë Sofija, madje dhe nga mbesa Gia, e cila tashmë po realizon filmat e saj të parë. Jam shumë krenare për to. Ata kanë mësuar shumë nga unë, por edhe unë kam mësuar dyfish prej tyre.

Nëse do ta kishit në dorë, nga gjithë historia e njerëzimit, cilin personalitet do të kishit dashur të takoni?

Ka shumë njerëz që do të kisha dashur të takoja, por ndoshta do kishte qenë mirë të takoja dikë prej këtu, nga ky terren. E ndoshta, pse jo Pirron, i cili mendoj se ka qenë një nga udhëheqësit më premtues të periudhës helenistike. Ndoshta do të më kishte shijuar të shëtisja me të nëpër kopshte, shoqëruar nga filozofët. Tregojnë një anekdotë për të. Dikur Pirro dhe një nga filozofët zhvillojnë këtë bisedë: ” Do të kisha dashur t’ju takoja sërish në këtë kopsht, kur të kthehem nga lufta, i thotë Pirroja filozofit. Po përse të presim sa të mbarojë lufta, kur kohën e kemi tani, ia kthen filozofi. Jo, sepse në Lindje kam ca ushtri për të drejtuar i thotë Pirro”. Në fakt nuk u takuan më kurrë sepse Pirro nuk u kthye më nga lufta. Kështu që morali është: Mos luftoni, por shijoni kopshtin tuaj dhe filozofët!

 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama