Tryeza shkencore Gjurmet e Bizantit ne Shqiperi

Tryeza shkencore: Gjurmet e Bizantit ne Shqiperi

Në kohët e sotme studimi i historisë dhe i kulturës Bizantine, i shfaqjeve të shumëllojta dhe e ndikimeve të tij, ka marrë një zhvillim të ri edhe në vendin tonë. Ky interes për studimet bizantine justifikohet jo vetëm për faktin se populli shqiptar ka qenë mbi 10 shekuj pjesë e Perandorisë Bizantine, por edhe për lidhjet e ngushta politike, ekonomike dhe kulturore, të cilat kanë ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në mjaft fusha të jetës shoqërore e kulturore në vendin tonë.

Shoqata Shqiptare e Studimeve Bizantine, me mbështetjen e Ambasadës Austriake në Tiranë organizon ditën e nesërme, më 6 maj, një tryezë të rrumbullakët shkencore, me temë “Vlerësimi i Studimeve dhe i Trashëgimisë Kulturore Bizantine në Shqipëri sot”. Kjo veprimtari do të zhvillohet në Sallën “Kostandin Shpataraku” të Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, me praninë e mediave dhe me pjesëmarrjen e akademikëve, profesorëve dhe studiuesve nga i gjithë vendi. Në punimet e tryezës së rrumbullakët, ku ndër të tjerë do të referojnë profesor Johannes Koder, prof. dr. Aleksandër Meksi, prof. dr. Lida Miraj, prof. dr. Pirro Thomo, prof. dr. Luan Perzhita, prof. dr. Pëllumb Xhufi, lektor Andi Rembeci etj., do të trajtohen arritjet e deritanishme në fushën e studimeve bizantine në Shqipëri, duke vlerësuar nivelin e tyre, drejtimet dhe disiplinat studimore, si edhe metodologjitë e përdorura shkencore.

Konferenca synon të çelë, gjithashtu, përmes propozimeve dhe diskutimeve, perspektiva të reja në fushën e studimit të artit, kulturës dhe trashëgimisë monumentale bizantine në Shqipëri dhe të promovojë bashkëpunime të reja në nivelin kombëtar dhe ndërkombëtar.

Shoqata Shqiptare e Studimeve Bizantine (SHSHSB), anëtare zyrtare e International Association of Byzantine Studies është një organizëm shkencor jofitimprurës, që ka si qëllim promovimin dhe koordinimin e studimeve bizantine në të gjithë territorin e Shqipërisë, përmes organizimit të veprimtarive përkatëse shkencore e kulturore.

Në kohët e sotme, studimi i historisë dhe i kulturës Bizantine, i shfaqjeve të shumëllojta dhe e ndikimeve të tij, ka marrë një zhvillim të ri edhe në vendin tonë. Pas një periudhe relativisht të gjatë jo aktive, Shoqata Shqiptare e Studimeve Bizantine (SHSHSB), u rithemelua në vitin 2013 me nismën dhe interesimin e veçantë të profesorit Emeritus Johannes Koder, Institutit të Studimeve Mesjetare, Departamenti i Studimeve Bizantine i Akademisë së Shkencave të Austrisë dhe President i Shoqatës Ndërkombëtare të Studimeve Bizantine (AIEB). Ky interes për studimet bizantine është i natyrshëm dhe i justifikuar, jo vetëm për faktin se populli shqiptar ka qenë përmbi 10 shekuj pjesë përbërëse e Perandorisë Bizantine, por edhe për lidhjet e ngushta politike, ekonomike dhe kulturore, të cilat kanë ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në mjaft fusha të jetës shoqërore e kulturore në vendin tonë.

Profesor Johannes Koder u lind në Vjenë, në 1942. I përfundoi studimet më 1965 në Universitetin e Vjenës për Bizantologji, Filologji Klasike dhe Filologji Arabe. Vijoi studimet pasuniversitare si bursant i Institutit Austriak të Arkeologjisë në Athinë dhe, në vijim, si bursant i Fondacionit Alexander Von Humboldt në Mynih. Ka qenë profesor në Universitetin e Mainz-it në Gjermani dhe, nga viti 1985-2010, profesor i rregullt i Universitetit të Vjenës, në katedrën e profesorit të shquar Herbert Hunger dhe, njëkohësisht, drejtor i Institutit Austriak të Arkeologjisë.

Profesor Johannes Koder ka kryer, gjithashtu, detyrat e Kryetarit të Këshillit Federal të Profesorëve të Universiteteve të Vjenës dhe është anëtar i Akademisë së Shkencave të Austrisë. Aktualisht mban postin e Presidentit të Shoqatës Ndërkombëtare të Studimeve Bizantine.

Është nderuar më 1996 me medaljen Urdhri i Feniksit si edhe me dy dekorata nga Republika e Austrisë. Është profesor Honoris Causa i disa universiteteve dhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Greqisë. Interesat e tij studimore lidhen me historinë ekonomike, gjeografinë, demografinë e hapësirës mesdhetare bizantine, si edhe me poezinë bizantine. Për herë të parë, ai e ka vizituar Shqipërinë në vitin 1965, ku së bashku me profesor Eric Trapp, kanë kryer studime mbi kodikët bizantinë të Arkivit Qendror Shtetëror. Për herë të dytë, e ka vizituar vendin tonë më 1980, ku ka kryer kërkime për hartimin e volumit Epirus Vetus të Tabula Imperii Byzantini, një atlas historik dhe gjeografik i Bizantit, i botuar nga Akademia e Shkencave e Austrisë. Shtatori i vitit 1996 do ta sillte për herë të tretë profesor Johannes Koder në Shqipëri, së bashku me një grup studentësh pasuniversitarë, për të vizituar nga afër monumentet e periudhës bizantine dhe pasbizantine. Profesor Johannes Koder ka botuar një numër të madh monografish, të përkthyera në gjuhë të ndryshme, si edhe shumë artikuj shkencorë.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama