Çiftet e famshme qe jane ne qender te vemendjes

Çiftet e famshme që janë në qendër të vëmendjes

Karrierat e tyre të suksesshme, shpesh të pavarura nga njëri-tjetri dhe dashuritë që i lidhin, i bëjnë ata personazhet më interesante në media. A s'është i tillë çifti Sonila Meço dhe Drini Jaso, Enada Hoxha dhe Gerti Vaso, apo Inva Mula e Pirro Çako? Po aq kërshëri për ta zgjojnë edhe çifte më të hershme si regjisorja Vera Grabocka e aktori Timo Flloko, Zerina e Pali Kuke dhe Roza e Dhimitër Anagnosti. Janë personalitete në profesionet e veta dhe lidhjet e jetës mes personash të famshëm, jo pak herë shfaqen në faqet e gazetave. Po ndërsa futesh më thellë në historitë e tyre të njohjes dhe dashuritë e tyre, kërshëria të zgjohet akoma më shumë.

Duke nisur që nga gazetarët Enkel dhe Mesila Doda (Demi), të cilët janë miqtë më të mirë të njëri-tjetrit. Një dashuri që është rritur dita-ditës mes tyre nga respekti, dhe që ka krijuar një strehëz të bukur familjare së bashku me dy fëmijët e tyre. Në këtë vijë vjen edhe historia e dashurisë mes Majlinda Bregut dhe Namik Ajazit që janë njohur ndërsa punonin për një kronikë kolere në Durrës. Një njohje, e cila u kthye në një dashuri të madhe që s'i ka penguar asnjëherë të realizohen secili në rrugën që ka zgjedhur. Dashuritë e balerinëve janë gjithashtu interesante. "Binjakët siamezë", Enada dhe Gerti, që s'ndahen asnjë ditë nga njëri-tjetri, apo dashuria e vonshme e shokëve të fëmijërisë, Manjola Hasani dhe Ezdalin Gorani. Edhe pse kanë dekada bashkë, fokuset e aparateve vazhdojnë çak-çaket e tyre kur qendërzojnë Inva Mulën e Pirro Çakon, Luizën dhe Gjergj Xhuvanin, apo Rozën dhe Dhimitër Anagnostin.

Inva Mula dhe Pirro Çako

Ata gjithmonë kanë qenë në qendër të vëmendjes. Edhe atëherë kur shoqëroheshin bashkë në Liceun Artistik, e ku njerëzit sa herë i shikonin bashkë të birin e Gaqos me vajzën e Ninës, çuçurisnin me njëri-tjetrin. Por edhe tani, pas shumë vitesh martesë me njëri-tjetrin. Artistët e njohur janë gjithmonë në qendër të vëmendjes për shkak të suksesit të tyre. Inva, me famën botërore, dhe Pirro, me këngët e bukura që po i sjell njëra pas tjetrës në tregun e muzikës shqiptare. Megjithëse jetojnë larg, për shkak të impenjimeve të punës, ata janë një çift simpatik që gjithmonë ngjall kureshtje në publik. Po me këtë kureshtje, ata të dy duhet të jenë mësuar që kur adoleshentë dhe nxënës të shkëlqyer të liceut, linin orët në shkollë që të takoheshin bashkë. Inva dhe Pirro kanë rreth 25 vjet bashkë, dhe janë një nga çiftet e maturës '82 që ka rezistuar më shumë.

Vera Grabocka dhe Timo Flloko

Ajo sapo ka mbyllur një spektakël me përmasa gjigante si ai i "Miss Albania"-s, ndërsa aktori dhe së fundmi autor i shumë tekstesh këngësh, vazhdon impenjimet e tij në fushat përkatëse. Të dy kolosë të skenave shqiptare. Vera Grabocka dhe Timo Flloko s'mund t'i shpëtojnë vëmendjes së publikut. Jo se kanë arritur vetëm suksese në punën e tyre, por edhe sepse gëzojnë "statusin" e një prej çifteve më simpatikë në Tiranë. Si atëherë kur u njohën. Timo ishte pedagog dhe aktor i njohur. Ndërsa ajo, një vajzë e imtë, plot sharm, e denjë për një konkurs bukurie, por ende e panjohur në botën e spektaklit. Edhe sot ata vazhdojnë të jenë një çift i bukur, e akoma më shumë, i famshëm. Të dy me një karrierë brilante, Timo Flloko dhe Vera Grabocka kanë arritur të ndërtojnë edhe një familje të bukur. Disa vite pas martesës, ata sollën në jetë një vajzë që e quajtën Linda.

Sonila Meço dhe Drini Jaso

Deri kur televizioni grek "Mega" realizoi një reportazh për jetën e përditshme të Sonilës dhe kur në të u shfaq Drini Jaso, historitë e medias për të shuar kureshtjen për Sonila Meçon nuk kishin fund. Por as shpallja e dashurisë së saj të madhe, nuk e ka davaritur vëmendjen nga imazhi i "Vizion +". Sonila dhe Drini mund të përbëjnë lajm në çdo kohë. Historia e tyre nisi që kur Sonila punonte në "TV Klan". Atje Drini vazhdon ende të punojë si përgjegjës transmetimi dhe regjisor. E ndërsa fama e Sonilës do të rritej, Drini do të mbetej pothuajse i padukshëm në sytë e publikut, të paktën për ata që nuk qëllonin të ishin në të njëjtat kafe pothuajse çdo pasdite me çiftin. Por tashmë misteri ka marrë fund. Pas gati shtatë vitesh, ata vendosën ta bëjnë publike dashurinë e tyre dhe vendimin se me njëri-tjetrin do të donin të kalonin pjesën tjetër të jetës.

Enkel Demi dhe Mesila Doda

Çifti simpatik me thjeshtësinë e tyre kanë krijuar vetëm dashamirës në publik. Gazetarët e njohur kanë krijuar stereotipin e çifteve të spikatura të profesionit, që e zbukurojnë akoma më tepër relatat e tyre. Janë prej vitesh me njëri-tjetrin, jo më vetëm si kolegë, por edhe si familje. Enkeli, zemërmirë, i kudondodhur, profesionist dhe me intuitë. Mesila, e ëmbël, revolucionare dhe e mprehtë. Prandaj është e lehtë t'u besosh se janë miqtë më të mirë të njëri-tjetrit. Kjo i bën ata dhe më interesantë në sytë e kureshtarëve, që përpiqen të njohin sa më shumë jetën e tyre private. Ata nuk janë as të rezervuar, por as të kudogjendur nëpër faqet e gazetave. Janë një familje e këndshme, me dy fëmijë që, si në çdo familje, bëjnë ligjin me dashurinë e tyre.

Luiza Papathanasi dhe Gjergj Xhuvani

Ajo vazhdon të ngjisë shkallët e karrierës, e bashkë me to edhe vëmendjen e publikut. Luiza Xhuvani, e shpallur vetëm para pak kohësh aktorja më e mirë e vitit me interpretimin e saj te monodrama "Mënyra e zonjushës Margaritë", vazhdon të ketë po atë magji tek telespektatori. Jo vetëm si aktore, por edhe si një nga femrat më me sharm të kryeqytetit. Së bashku me bashkëshortin e saj, Gjergj Xhuvani, ata renditen në çiftet më të spikatura të artit. Historia e dashurisë së tyre lindi natyrshëm në bankat e Akademisë së Arteve. Ajo vinte nga Saranda dhe adhuronte notin. U njohën me Gjergjin në një kurs në Institutit ku ndanin të njëjtën bankë. Atëherë as njëri as tjetri s'kishin menduar se ç'do të bënin në të ardhmen, por kishin vendosur se në atë të ardhme do të ishin bashkë. Dhe janë akoma sot, jo vetëm një nga çiftet më tërheqëse, por dhe bashkëpunimi i tyre regjisor-aktore është nga më frutdhënësit në kinematografinë shqiptare.

Manjola Hasani dhe Ezdalin Gorani

Balerinët e "Portokallisë", siç jemi mësuar t'i quajmë, janë rrethuar me fjalë edhe kur nuk kishin asgjë që mund të quhej dashuri mes tyre. Shokët e fëmijërisë, që shoqëroheshin bashkë, gjithmonë kanë dëgjuar për fjalët që dëgjonin rreth e rrotull tyre, por pa e vrarë mendjen për më gjatë. Por profecia e "gojëve llafazane" u bë e vërtetë para disa kohësh kur të dy e pranuan se ishin bërë për njëri-tjetrin. Për Ezdalinin, balerina është dashuria e parë dhe bashkë me Manjolën po ngrenë të ardhmen jo vetëm të jetës së tyre private, por edhe karrierën profesionale, që e kanë të lidhur me baletin. Ata janë njohur që dhjetë vjeç me njëri-tjetrin. Kanë qenë edhe në të njëjtën klasë, por prej disa vitesh jetojnë bashkë.

Roza dhe Dhimitër Anagnosti

"Gjoleka, djali i Abazit" i solli në qendër të vëmendjes të dy. Edhe "nënën" e Abazit, edhe babain e filmit. Roza dhe Dhimitër Anagnosti janë nga ata çifte që gjithmonë do të vishen me vëmendjen e publikut. Dashuria, qetësia dhe mirësia që transmetojnë i bën gjithmonë më të dashur për publikun sa herë që rishfaqen në ekranin shqiptar. Ata vetë janë takuar për herë të parë në xhirimet e filmit "Toka jonë". Dhimitri ishte një nga regjisorët e rinj të diplomuar në ish-Bashkimin Sovjetik, kurse ajo një nga aktoret e reja shumë të bukura dhe të talentuara. Shumë shpejt djali simpatik nga Vunoi i Vlorës u dashurua me vajzën bukuroshe nga Shkodra, dhe të dy së bashku krijuan një nga çiftet më të bukura në atë kohë. Edhe sot, me gjithë moshën e tyre, Roza dhe Dhimitër Anagnosti vazhdojnë të mbeten një nga çiftet më tërheqës.

Enada Hoxha dhe Gerti Vaso

"Binjakët siamezë" gjithmonë mbledhin vëmendje rreth tyre. Kështu cilësohen Enada Hoxha dhe Gerti Vaso, çifti i pandashëm si në punë ashtu edhe në jetë. Nuk janë ndarë asnjëherë nga njëri-tjetri, që në momentin kur kanë vendosur të qëndrojnë pranë. Për më tepër janë cilësuar dhe si çifti më i dashuruar dhe për t'u pasur zili për dashurinë e madhe që reflektojnë sa herë që i sheh. Ndoshta kjo i vë ata në qendër të vështrimeve rrugës apo kudo që kalojnë. Janë të rinj, të famshëm dhe njëkohësisht model klasik i një lidhjeje. Në çdo performancë apo emision televiziv ata flasin për njëri-tjetrin sikur të jenë në fillim të romancës së tyre. Por në fakt balerinët e parë të Teatrit të Operës dhe Baletit kanë shumë vite bashkë. Dashuria e tyre nisi kur filluan të punojnë në Teatrin e Operës dhe Baletit, duke u rritur çdo ditë, derisa vitin e shkuar e kurorëzuan me martesë.

Majlinda Bregu dhe Namik Ajazi

Nuk ka ditë që ministrja e Integrimit të mos shfaqet në ekran. Karriera e saj intensive, po me aq intensitet ka grumbulluar vëmendjen ndaj saj. Nga ana tjetër, bashkëshorti i saj, gazetari dhe regjisori i njohur Namik Ajazi vazhdon të ketë po të njëjtin sukses në punët e tij. Çifti i njohur kontribuon secili më vete, duke marrë energji nga çerdhja e ngrohtë që kanë ngritur së bashku. Puna i ka njohur në vitin 1994 dy simpatikët e atëhershëm të televizioneve. E si rrethanë ishte një ngjarje jo fort e këndshme, një kronikë për epideminë e kolerës. Për ta nuk ka pasur ndonjë formulë propozimi, çdo gjë ka shkuar jashtë çdo klisheje. Pas një viti u fejuan dhe më pas u martuan, krejt kundra asaj çfarë kishte menduar deri në atë kohë gazetari i njohur, jetesën vetëm. Dy fëmijët e tyre, Kejda dhe Enesi i vogël e kanë pasuruar jetën e çiftit simpatik.

Zerina Kuke dhe Pali Kuke

Zerina dhe Pali Kuke nuk mund të veçohen nga çiftet e spikatura të televizionit. Ethet e dashamirësisë ndaj tyre i kaplojnë të gjithë shikuesit shqiptarë të çfarëdolloj moshe. Ajo, si gjithmonë e ëmbël dhe e sinqertë, ndërsa ai babaxhan dhe mbret i regjisë. Kanë ndryshuar që nga koha kur u lidhën bashkë. Vitet kanë kaluar, por vëmendja e publikut ndaj tyre s'ka reshtur asnjëherë. Ishte televizioni ai që i bashkoi. Ajo, një vajzë plot sharm që drejtonte emisione në ekran e spektakle, e ai një operator simpatik që sapo kishte filluar punë në Televizionin Shqiptar. Aty dhe janë njohur e kohë më vonë janë dashuruar. Në vitin 1974, kjo dashuri u kurorëzua me një martesë, dhe vetëm një vit më vonë, me një djalë. Zerina Kuke dhe Pali Kuke ende rrezatojnë lumturi edhe pas 30 vitesh martesë. Edhe dy djemtë e tyre kanë ndjekur rrugën e artit, sikur edhe prindërit.

Dorina Topallaj : Gazeta TiranaObserver


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama