Charlie Hebdo dhe vendi i saj ne gazetarine franceze

'Charlie Hebdo' dhe vendi i saj ne gazetarine franceze

Revista satirike franceze, “Charlie Hebdo” u sulmua nga njerëz të armatosur, të cilët vranë 12 persona dhe plagosën 10 të tjerë në zyrat e saj në Paris. Ky është sulmi më i keq që i bëhet ndonjëherë një reviste, e cila është goditur edhe më parë nga dhuna. Në 2006-n, shumë myslimanë u zemëruan, pasi gazeta krijoi dhe shpërndau karikatura të Profetit Muhamed, të cilat si fillim u shfaqën në të përditshmen daneze, “Jyllands-Posten”.

Zyrat e revistës u bombarduan në nëntor 2011, kur u publikua një karikaturë e Muhamedit, nën titullin “Charia Hebdo”. Ndërsa një nga postimet e fundit në “Twiter” ishte një karikaturë e liderit të grupit militant të njohur si Shteti Islamik,  Abu Bakr al-Baghdadi. Kryeredaktori i gazetës, Stephane Charbonnier u vu nën mbrojtje policore, pas kërcënimeve për vdekje.  Ai dhe karikaturistë të tjerë ndodheshin në mesin e personave që u vranë nga të armatosurit në masakrën e ditës së mërkurë.

Satira historike

Sipas BBC-së, “Charlie Hebdo” është pjesë e një tradite të nderuar në gazetarinë franceze, e cila daton me denoncimet për Maria Antonetën para Revolucionit Francez. Tradita e saj kombinon radikalizmin e krahut të majtë me provokimin e "shthurrur", deri në kufijtë e të pahijshmes.

Në shekullin 18, shënjestra e saj ishte familja mbretërore dhe zakonisht përdoreshin përrallat – shpesh të ilustruara – të aferave seksuale dhe korruptive në Gjykatën e Versajës. Ndërsa sot, janë politikanët, policët, bankierët dhe besimi fetar. Satira dhe jo trillimi është arma e tyre e zgjedhur.

Mirëpo, shpirti i paturpësisë që vlente për regjimin e mëparshëm, pjesërisht trashanik, pjesërisht për vetëpromovim politik, del ende në skenë. Dhe “Charlie Hebdo” është eksponenti kryesor. Vendimi i saj për të tallur profetin Muhamet është krejtësisht konsistent me arsyen e ekzistencës së saj.

Karikaturat provokuese

Revista nuk është shitur kurrë në një numër të madh dhe 10 vjet nga viti 1981, nuk u publikua për mungesë financash. Mirëpo karikaturat e faqes së parë dhe titujt provokues janë një pjesë që nuk u mungon kioskave të gazetave dhe shitësve të librave në stacionet e trenave.

Tipari përcaktues i “Charlie Hebdo” janë kartonat dhe karikaturat. Me kalimin e kohës, ajo ka krijuar modele përfaqësuese të Muhamedit, që duken si ilustrime nga libra për fëmijë. Polica që mbajnë kokat e varura të emigrantëve, murgesha që masturbojnë, papë që vënë kontraceptivë – këto mund të gjenden në faqet e saj.

Si gazetë, “Charlie Hebdo” vuan nga krahasimi i vazhdueshëm me rivalen e njohur, “Le Canard Enchaine”. Të dyja janë krijuar nga i njëjti motiv: sfida ndaj pushtetit ekzistues. Por nëse “Le Canard” krijon shkrime të bujshme dhe shet sekrete të paraportuara, “Charlie” është më i ashpër dhe i vrazhdë. 


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama