Celulari i katert tenderi ne tetor

Celulari i katërt, tenderi në tetor
Tenderi i hapur ndërkombëtar për dhënien e licencës së katërt të telefonisë celulare do të zhvillohet në fillim të muajit tetor. Data nuk është vendosur ende, por zyrtarë të Ministrisë së Telekomunikacioneve pohuan dje, për "Shqip", se pas mbylljes së fazës të shprehjes së interesit, e cila parashikohet në javën e dytë të muajit shtator, çdo gjë do të jetë gati për hapjen e ofertave në tetor. I gjithë procesi i zhvillimit të tenderit do të monitorohet nga Enti Rregullator i Telefonisë (ose siç quhet tani me ligjin e ri, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postave) dhe ministrisë përgjegjëse, duke iu referuar procedurave ligjore, tashmë të përfunduara. Futja e operatorit të katërt celular në treg pritet të bëhet realitet brenda këtij viti, duke i dhënë impakt pozitiv tarifave për shërbimet telefonike.

Tenderi

Burime pranë ministrisë janë shprehur dje, për gazetën, se aktualisht është duke u ndjekur faza e shprehjes së interesit nga ana e kompanive të huaja dhe vendase, të cilat nuk kanë munguar gjatë gjithë kësaj kohe. "Deri më datë 10 shtator do të vazhdojë procesi i konsultimeve ose më mirë shprehjet e interesit nga kompanitë vendase dhe të huaja. Pra, mbas publikimit në gazetën "Financial Time" të shprehjes së interesit deri më 10 shtator vazhdon pritja e tyre", shprehen ekspertë të ministrisë. Më tej mësohet se, ka pasur interes nga disa kompani të huaja prestigjioze, emrat e të cilave nuk bëhen ende të ditura. "Asgjë nuk është bërë konkretisht zyrtare, por vetëm disa biseda dhe shkëmbime informacioni me kompanitë e huaja. Që nga fillimi i gushtit e deri në këtë moment që po flasim, disa kompani të ndryshme nëpërmjet numrit të kontaktit shprehin paraprakisht interesin për të marrë licencën e katërt, por që për momentin nuk kemi një listë zyrtare me emrat konkret", sqaron Ministria e Telekomunikacioneve. Procesi i shpalljes së interesit do të zgjasë deri më 10 shtator, ku më pas Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare do të raportojë në ministri mbi kërkesat konkrete që ka pasur gjatë gjithë kësaj kohe. Nisur nga kjo, vetëm pas datës 10 shtator do të mësohen zyrtarisht se cilat do të jenë kompanitë, qoftë të huaja apo vendase që kanë shfaqur zyrtarisht kërkesën për marrjen e licencës.

Licencat

AKEP ka nisur prej kohësh fazën e konsultimit publik lidhur me kushtet e përdorimit të brezave përkatëse të radiofrekuencave që do t‘i ofrohen operatorëve të rinj, konkretisht brezat E-GSM dhe GSM 1800. Synimi kryesor i konsultimit është të vlerësohet niveli i interesit të investitorëve të mundshëm dhe të merren opinionet e palëve të interesuara në lidhje me përdorimin e këtyre brezave.

Sipas planit kombëtar të radiofrekuencave, brezat e frekuencave për ngritjen e rrjeteve të telefonisë së lëvizshme GSM janë E-GSM, GSM 900 dhe GSM 1800. Brezi GSM 900 dhe një pjesë e brezit GSM 1800 iu është dhënë në përdorim operatorëve të licencuar të telefonisë së lëvizshme. Procesi i konsultimit publik do të zgjasë deri më datën 10 shtator të këtij viti dhe brenda këtij afati AKEP do të presë shprehjen e interesit nga subjektet e interesuara. Ndonëse AKEP mendon se në treg mund të veprojnë deri në pesë kompani celulari, praktikat evropiane kanë treguar që numri i operatorëve në këto tregje mund të arrijë deri në katër, madje në disa vende deri në tre.

Kërkesat

Një nga pyetjet që AKEP iu ka drejtuar subjekteve të interesuara ka të bëjë direkt me shumën që investitorët do të ishin të gatshëm të paguanin për një licencë të telefonisë së lëvizshme në këtë moment.

Celularët

AMC

AMC është licencuar si operator publik kombëtar i telefonisë së lëvizshme në vitin 1996 dhe ka funksionuar si kompani shtetërore deri në shtator të vitit 2000, kur u krye privatizimi i 85% të aksioneve, që u blenë nga grupi "Cosmote Group".

VODAFONE

Celulari "Vodafone Albania" është licencuar si operatori i dytë kombëtar i shërbimit GSM në Shqipëri më 9 qershor 2001, nëpërmjet procesit të tenderit të hapur ndërkombëtar. Këtij operatori, i janë dhënë në përdorim 40 kanale nga brezi GSM 900.

EAGLE MOBILE

Celulari i tretë, "Eagle Mobile" është licencuar si operatori i tretë kombëtar i shërbimit të telefonisë GSM në Shqipëri më 1 mars 2004. "Albtelekom" zotëron 100 për qind të aksioneve të "Eagle Mobile", i cili ka hyrë në treg më 15 mars 2008.


Gazeta: Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama