Megjithatë, institucioni përgjegjës, Ministria e Telekomunikacioneve, prej dy muajsh ka nisur procedurën e zhvillimit të tenderit, që mundëson futjen në treg të një tjetër kompanie celulare, me synim rritjen e konkurrencës dhe uljen e tarifave. Aktualisht ministria nuk e ka ende të qartë se kur mund të zhvillohet tenderi, por siguron se brenda vitit në Shqipëri do të ushtrojnë aktivitetin e tyre katër kompani të shërbimit të telefonisë celulare. "Gjatë dy muajve të fundit kemi bërë njoftimin e shpalljes së interesit për licencën e katërt celulare, si dhe kemi përgatitur kuadrin ligjor që do të ndiqet për zhvillimin e tenderit. Enti Rregullator i Telekomunikacioneve ka përfunduar ligjin "Për komunikimin elektronik", në bazë të së cilit ka hyrë në fuqi edhe metodologjia e re e përllogaritjes së tarifave", tha për "Shqip" ministri Olldashi. Kreu i Telekomunikacioneve nuk e fsheh vështirësinë që has ky proces, duke e lidhur me numrin e kompanive që janë aktualisht në treg dhe me numrin e abonentëve që ofron vendi ynë.
"Kemi tre kompani celulare për tre milionë banorë. E katërta duhet t‘i bëjë mirë llogaritë përpara se të paraqesë ofertën e marrjes së licencës". Procesin e bën edhe më të vështirë kushti i palës shqiptare. "Kompania në momentin e paraqitjes së ofertës teknike duhet të marrë përsipër një gamë shërbimesh me tarifa të reduktuara. Pra, në tender do të fitojë ajo kompani që ofron tarifa të ulëta, si për tregun, ashtu dhe në raport me subjektet e tjera pjesëmarrëse në procedurën e prokurimit publik", shtoi më tej ministri i Telekomunikacioneve. Për sa i takon afatit, ministri nuk jep ndonjë datë të caktuar, por shton se ka pasur mjaft interes nga kompani të njohura në arenën ndërkombëtare.
Kriteret
Tenderi do të zhvillohet në dy faza: e para do të jetë parakualifikuesja, e cila përcakton zyrtarisht emrat e kompanive të interesuara për licencën. Faza e dytë do të jetë hapja e ofertave nga ana e kompanive që kanë kaluar provën e parë. "Ky proces do të shoqërohet me dy momente. Në fillim kompanitë do të paraqesin ofertën teknike, e cila lidhet me teknologjinë dhe pajisjet që do të përdoren për ngritjen e operatorit të katërt. Oferta teknike do të përmbajë edhe nivelin e tarifave për shërbime të ndryshme. Momenti i dytë, të cilin e konsideroj si mjaft të rëndësishëm, do të jetë paraqitja e ofertave për çmimin e licencës". Lidhur me këtë të fundit, Olldashi shpreh pikëpamjen e tij, se "vlera e shitjes nuk do të jetë dhe aq e madhe, duke u nisur nga rastet precedentë".
Interesi
Ashtu si me afatin se kur do të hyjë në treg operatori i katërt, ministri Olldashi nuk preferoi të jepte emra konkret rreth kompanive të interesuara. "Asgjë nuk është zyrtare. Ka pasur mjaft interesim nga kompani ndërkombëtare, të njohura në fushën e telefonisë, por nuk mund të them emra deri në momentin e shpalljes së kompanive parakualifikuese", sqaron kreu i Telekomunikacioneve. Pak kohë më parë, kreu i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postave (AKEP), Ilir Shehu, kishte thënë për "Shqip" se një pjesë e kompanive janë prestigjioze dhe se vijnë kryesisht nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian, por edhe nga vendet arabe. Deri tani është zbuluar vetëm emri i njërës kompani: "British Telecommunications" (BT).
Celularët
AMC
AMC është licencuar si operator publik kombëtar i telefonisë së lëvizshme në vitin 1996 dhe ka funksionuar si kompani shtetërore deri në shtator të vitit 2000, kur u krye privatizimi i 85% të aksioneve që u blenë nga grupi "Cosmote Group"
VODAFONE
Celulari "Vodafone Albania" është licencuar si operatori i dytë kombëtar i shërbimit GSM në Shqipëri më 9 qershor 2001, nëpërmjet procesit të tenderit të hapur ndërkombëtar. Këtij operatori i janë dhënë në përdorim 40 kanale nga brezi GSM 900
EAGLE MOBILE
Celulari i tretë, "Eagle Mobile", është licencuar si operatori i tretë kombëtar i shërbimit të telefonisë GSM në Shqipëri më 1 mars 2004. "Albtelekom" zotëron 100 për qind të aksioneve të "Eagle Mobile", i cili ka hyrë në treg më 15 mars 2008











