Buxheti miratohet tjeter variant me rritje deficiti

Buxheti, miratohet tjeter variant me rritje deficiti
Një tjetër variant i buxhetit të shtetit për vitin 2011 ka hyrë në fuqi më 2 shtator, me botimin në Fletoren Zyrtare. Ndryshe nga i pari, i publikuar më 19 gusht, ku parashikonte një total shpenzimesh për vitin që vjen në rreth 395 miliardë e 200 milionë lekë, në planin e ri, të publikuar pak ditë më parë, planifikohet një buxhet rreth 13 miliardë lekë më i madh. Në këto kushte, duket se qeveria ka rishikuar edhe parametrat e tjerë të buxhetit, duke nisur nga të ardhurat që nuk duken me ndryshime të konsiderueshme, kurse deficiti pëson luhatje drejt negatives, me një rritje rreth 7 miliardë lekë.

Nuk mësohen ende shkaqet e variantit të ri të buxhetit që parashikon rritje borxhi për shkak të shpenzimeve të larta, por shikohet se të dyja vendimet lidhen me programin buxhetor afatmesëm për tre vitet e ardhshme (njëri është dokumenti i programit, kurse tjetri kuadri fiskal) dhe janë marrë në të njëjtën ditë, më 28 korrik.

Duke i parë me vëmendje planet afatmesme, duket se janë miratuar dy skenarë të rritjes ekonomike, me ndryshime të dukshme. Në variantin e parë, parashikohet një rritje ekonomike e këtij viti me 4.1 për qind dhe për 2011 me 5 për qind, kurse në të dytën Ministria e Financave planifikon një rritje me 5.5 për qind dhe 6.5 për qind. Pikërisht mbi këta tregues, qeveria ka ndryshuar edhe planin e shpenzimeve, duke i rritur ato, me të paktën 8 miliardë lekë, veprim që do të ndikojë në ecurinë e deficitit buxhetor.

Në planifikimin buxhetor për vitin 2011, të publikuar në javën e tretë të muajit gusht, qeveria kishte miratuar një deficit prej 36 miliardë e 436 milionë lekësh, ose 2.7 për qind në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, kurse me variantin e publikuar në shtator, është caktuar 43 miliardë e 11 milionë lekë, ose 3.15 për qind në raport me PBB-në, ose 0.05 pikë përqindje më i lartë se viti aktual, kur ministria deklaroi vullnetin për të ulur borxhin.

Të ardhurat dhe shpenzimet

Me variantin e rritjes ekonomike 6.5 për qind, qeveria planifikon të sigurojë rreth 365 miliardë e 124 milionë lekë të ardhura në total, kurse të ardhura tatimore rreth 337 miliardë e 752 milionë lekë. Me skenarin tjetër të rritjes ekonomike 5 për qind, gjithnjë për vitin 2011, qeveria parashikonte të ardhura më të vogla, në masën rreth 7 miliardë lekë më pak. Në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, me rritje 6.5 për qind, të ardhurat në total ishin 26.8 për qind, ose 0.2 për qind më e ulët se plani tjetër.

E njëjta gjë ka ndodhur edhe me shpenzimet, të cilat kanë pësuar rritje, përfshi edhe investimet, me të paktën 2 miliardë lekë.

Tani pritet vetëm varianti final që do të miratojë Kryeministri në muajin shtator, e më pas fillimi i diskutimeve në Parlament.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama